Rrëfimi i Fadil Bajraktarit: “Na kanë dënu pa kurrfarë dëshmie...” - NACIONALE

Rrëfimi i Fadil Bajraktarit: “Na kanë dënu pa kurrfarë dëshmie...”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fadil Bajraktari nuk kishte qenë pjesë e asnjë grupi të organizuar të rezistencës në vitet ’80. Sidoqoftë, kjo nuk ndaloi arrestimin e tij në prill të vitit ’82. Sipas fjalëve të tij, kurrë askush nuk i kishte treguar arsyen e arrestimit. Bajraktari u dërgua në Goli Otok në shkurt të vitit 1984 dhe u dërgua drejt e në izolim – ndryshe prej përvojës së të burgosurve të tjerë të cilët fillimisht kalonin një muaj në të ashtuquajturën karantinë. Ai u lirua nga burgu i Goli Otokut më 22 prill të vitit 1987.

Unë jam Fadil Bajraktari, i lindun me 5 nëntor ’62- tën në Morinë. Shkollën fillore e kom kry në Ponoshec edhe dy vite në gjimnaz në Ponoshec, vitin e tretë e të katërtin e kom kry në Gjakovë, ka qenë Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientum, kështu i kanë thanë në atë kohë, drejtimin Kimi-Fizikë. Pas diplomimit dhe pas kryerjes së shkollës së mesme atëherë në tetor ’81-tën, kom shku në shërbim ushtarak edhe jom kthy në shtator ’82-tën.. do të thotë shërbimi ushtarak ka qenë atëherë 12 muj për ne që kemi qenë të regjistrum.

Pastaj kom fillu studimet dy vjet në Prishtinë në Fakultetin e Bujqësisë edhe kur ka përfundu semestri i dytë, kur ka përfundu viti i parë, gjatë pushimeve... Me datën 9 qershor kom qenë duke punu kështu normal punë bujqësore... janë ardhë policia te shpia edhe kanë thanë që me u paraqitë. Jom shku jom paraqitë kështu, e kom ndi vetën se nuk kom kurrfarë... Jom shku jom paraqitë edhe më kanë arrestu atë ditë në Gjakovë. Prej Gjakove me tren më kanë çu qat’ ditë në Zagreb. Unë nuk kom qenë pjesë e naj grupi të caktum, qysh kanë qenë...Veç në bazë të traditave familjare...

Si studentë... Na edhe si nxanës këtu në Gjakovë kemi organizu demonstrata kur kom qenë në vit të katërt të shkollës së mesme...

Demonstratat që kanë qenë në Gjakovë kom qenë pjesëmarrës. Mandej edhe në Prishtinë.. mas ushtrie, në mars edhe prill të vitit ’82 kom qenë pjesëmarrës i demonstratave në Prishtinë. Në prill të ’82-tës jonë ardhë në konvikt edhe më kanë arrestu sigurimi i shtetit i asaj kohe. Më kanë majtë prej mëngjesit deri në mbramje tuj më intervistu e tuj më pyetë e tuj u mundu me përfitu diçka nga unë edhe unë s’kom pranu kurgja! Kom refuzu krejt edhe më kanë lëshu atë ditë. Atëherë prej prillit deri në fund të qershorit sa kom qenë në Prishtinë kom qenë i përcjellun çdo ditë, po ja kom harru edhe emrin atij punëtorit [të sigurimit të shtetit].

Për arsye kinse une kom qenë pjesëmarrës edhe në demonstratat që ashtë kanë përvjetori i demonstratave të ’81-tës, me 26 mars që jonë majtë edhe me 1-2 prill, kishe kom dalë në përvjetor edhe kom organizu aty në konvikt e kom marrë shokë. Thojshin, “Ti ke qenë një ndër organizatorët!” Unë s’e pranojsha normal. Ata me fotografi që i kishin fotografu prej konvikteve, te fontana aty, tash ku ashtë fontana... njerëzit kishin fotografu krejt aty. Kish njerëz, me qindra njerëz që i kisha të njofshëm aty po ata të provokojshin, “A e njef filanin, a e njef këtë?” Une s’pata pranu kurgja! Atëherë dikur ka ora katër masdite më lirun e manej prej të nesrit kom qenë i përcjellun edhe pata pësu edhe sa i përket provimeve, pata ngecë se nuk e ndisha veten i lirë. Edhe në konvikt kur shkojsha, kur delsha në qytet... Kur ta kish nji njeri vazhdimisht... Ka qenë përafërsisht java e parë e prillit deri në fund të qershorit.

Derisa kom qenë në Prishtinë kom qenë non-stop i përcjellun prej qatij personit.. Masanej më kanë arrestu me datën 10 korrik, ’83-tën, na kanë çu atje në Gjykatën Ushtarake të Zagrebit, edhe emnin e rrugës e maj në mend, “Gajeva 8A”. Atëhere ja kanë nisë ata tuj na thanë, “Ju keni dashtë me ba kundër-revolucion!” Gjanat që i kanë përgatitë ata, që i kanë formulu... edhe na kanë dënu pa kurrëfarë dëshmie vetëm me fjalë, kurrfarë dëshmie s’kanë pasë!

As që shkrujke najkun, “Ti e ke kry këtë vepër!” Vetëm me fjalë. Aty kemi qenë të vetmum, unë kom qenë në vetmi prej 10 korrikit deri në fillim të nëntorit.

Atëherë masi na kanë shpallë akt-gjykimin, na kanë dënu sipas dëshirës. Aty edhe nji muaj e diçka na kanë majtë, mandej na kanë transferu prej atyhit, na kanë thanë, “A doni me shku me e pritë akt-gjykimin e plotfuqishëm... A doni me e pritë këtu në burg, në paraburgim, apo doni me shku në vuajtje t’dënimit?” Edhe na kërkum që me shku në vujtje të dënimit. Na kanë çu atëherë me kantoniera këtu në Rijekë, aty na kanë majtë njo dy-tre ditë deri u ba transferi. Prej Rijeke na kanë çu në nji farë fshati Jurjeva, ku u kanë ai trageti i burgut, edhe na kanë çu në Goli Otok. Të burgosurit tjerë i kanë çu në karantinë nji muj ditë, për me i mësu rregullat e sene, a neve çka jena kanë të dënum politikisht na kanë çu drejt në izolim. Edhe kemi qenë aty tre muj në izolim. Izolimi ka qenë shumë i randë se kemi qenë tre vetë me nji dhomë, s’ka pasë ajrosje, dritare s’ka pasë, veç me dritë të rrymës.

Unë kom punu zdrukthëtari... o’ kanë puna e vështirë se o’ kanë punë primitive, kushte s’ka pasë... aty o’ kanë shumë ftohtë. Gjithë kohën une sa kom punu në zdrukthëtari, kushtet e punës jonë kanë shumë të vështira. Kur u bojke diçka e padrejtë neve menjiherë fjala e parë është kanë në vetmi na çojshin.

Na kanë çu shpesh për shkak të solidaritetit, që jemi munu njanitjetrin me mbrojtë sado-kudo në ato mundësitë tona simbolike që i kena pasë. E di nji rast kur na kanë sulmu ata në mënyrë t’organizume, minimum najnjo prej nesh me likuidu edhe ajo punë ish mbyllë edhe... po fati deshti që veç me do lëndime... Atëherë aty kemi qenë tonë napër vetmia [izolime]. Kanë qenë ato të programume, nuk jonë kanë ato që kanë ardhë prej rastit po ata i bojshin ato se i kanë pasë ato veglat e veta, ata që jonë kanë kriminelë ordinerë, kanë pasë dënime ka 20-25 vjet, ata manipulojshin me ta qysh dojshin, a din me na provoku neve.. Po neve vetëm na ka majtë solidariteti me njoni-tjetrin... kurgja tjetër s’na ka majtë. Po të ishim kanë na pak të shkapërderdhun aty na kishin thy shumë lehtë..

Dhomat i kena pasë veç shqiptarë, o’ kanë ndërtu ai objekti i ri e kushtet e gjumit kanë qenë të mira, s’munet njeri me thanë... po ka qenë shumë ftohtë, s’kemi pasë ngrohje. Kur u çojshim në mëngjes dimrit, aty dritaret kanë qenë krejt me kryp se era e madhe e bike...

Kur ka ra borë na kemi qenë në vetmi të gjithë shqiptarët... do të thotë turni i parë kanë qenë të gjithë në vetmi se kur janë çu në mëngjes, janë shku me punu... ka qenë njani në izolim edhe ai dishka ka ba, nji mosmarrëveshje ka pasë me ata gardiantë e burgit, aty ka lindë konflikti edhe atëherë kanë shku turni i parë krejt kanë qenë në izolim.. ka qenë shkurti i ’85-tës. Krejt e kanë refuzu punën edhe i kanë çu napër vetmia... na çka kemi qenë në vetmi, kemi qenë unë edhe nja dy tjerë, edhe neve na kanë pyet e jemi solidarizu... Na kanë dënu atëherë, prej vetmisë së punës na kanë çu në vetmi të pa punës. Ajo kohë ka qenë ekstrem borë, acar, temperaturat kanë qenë në minus... ushqimi ka qenë miserabël aty, se gardiani na bike, na heke edhe sa herë ja shpërndajke tjerëve vike, e ke hangër, s’e ke hangër s’i interesojke atij. Me të vërtetë ka qenë shumë vështirë qajo periudhë e shkurtit, është kanë dishka ekstrem ftohtë prej temeperaturave, batanije s’kishim edhe u mloshjim me batanije 1 metër me 1 metër... qysh të bike fati.

Qatëherë për shembull thojshin ka ra para 50 viteve borë, se atje nuk bjen borë, po fatin e kom pasë që ka qenë dritarja... Ato pa xhama se bahen ashtu puna e sigurisë kishe mos me ba naj lëndim, vetëvrasje a diçka... viti i parë s’ka pasë xham edhe u mbush çelia krejt borë a din bike atëhere i thirrsha ata kolegtë tjerë thojsha., “O hajdi, hajdi me pa borën qysh është ra!” Se ata nuk shihshin e më thojshin, “Ty të ka ra ma e mira [dhomë]”.

Nxehtësia atje ka qenë më të vërtetë shumë e randë, ka qenë krejt shkëmb i zhveshur edhe beton... veç kush e ka përjetu... Ajo ka qenë metoda e tyne për me i shkatërru njerit psiçikën se me nejtë prej orës 1 deri në ora 9 në temperaturë 40 gradë përjashta o’ kanë shumë, shumë e randë!

Ne bojshim aktivitete, u merrshim me sporte po ka qenë edhe... Ata na numrojshin çdo gjysë ore. Na thirrshin me numra me na numëru a jemi të gjithë... ishim diçka tuj lujtë ose naj aktivitet ose tuj lexu diçka, kur bike ajo sirena u dufke patjetër me shku se përndryshe e shpallshin që ai personi nuk është këtu, kjo ka qenë shumë e keqe...

Familjarët kanë pasë mundësi me na vizitu, po edhe për ta ka qenë shumë e vështirë se ata kanë mujtë me ardhë deri në Zagreb, prej Zagrebit në Rijekë po prej Rijekës janë kanë edhe nja 100 kilometra me ardhë...U thirrke ai fshati Jurjevë ku u bojke ngarkimi i mallnave edhe transporti i njerëzve që vishin. Ka qenë rrugë shumë e gjatë e edhe për kushte financiare ka qenë shumë e vështirë për familjartë. Ai e bojke gati katër ditë i bojke rrugëtim, se u dufke me ardhë, u dufke me flejtë në hotel aty në qat’ fshatin se ai ka qenë për shembull të dillen kanë qenë vizitat, ai vike të shtunen për shembull, u dufke me flejtë aty në hotel, e të nesrit me hypë në anije e me ardhë. Vizita ka qenë...kemi qenë grup, na shtishin nji dhomë komplet, secili e kemi pasë aty prezent gardianin, mos me qëllu shqiptarë...Shumë shqiptarë i kanë refuzu që s’ka pranu me folë me familjen e vet në gjuhën serbo-kroate. S’ka pasë fat me kanë dikush, se ka pasë edhe gardianë shqiptarë, e ka refuzu...ja kanë ndërpre. Na i përballojshim këto sene, po për familjarë janë kanë të randa shumë, vijshin pleq e plaka, s’i lejshin me folë shqip, atëherë u kthejshin ata të dëshpërum, kanë qenë sene të vështira po na si u kryjshin ato vizita prapë se prapë na e merrshim pak ma gjonë, me humor e merrshim atë punë... Vizita zgjatke gjysë ore - 40 minuta, varet qysh e sheh edhe ai... se ata i kanë pasë do rregullore po bojshin, shtojshin edhe...

Familjartë mujshin do ushqime me i pru me veti, edhe do paketa ashtu mujshin me na dërgu se në qat’ kohë, mas viteve ’80-ta ka qenë nji zbutje e kritereve pak, jo sikur në vitet ’60 e ’70 që njerztë kanë humbë jetën tuj bajtë gurë e edhe i kanë mytë me qëllim... Ka pasë tentime që e kanë kalu detin krejt not e atje kur janë dalë i kanë nxanë e i kanë mytë aty në deti i kanë mytë krejt...I ka pasë policia ato farë mjetet lundruese, ato përfundi i kanë pasë sikur thika, metalike kanë qenë ato, prejshin shpejtë... Në vitet e ’50-ta e ’60-ta s’jonë interesu as me i nxerrë a din, po veç kanë shku i kanë mytë në deti, i kanë lanë...

Nuk e di saktë kur kom shku në Goli Otok, veç e di që fillimi i shkurtit të vitit ’84 edhe kom qëndru deri më 22 prill të ’87-tës. Do të thotë tri vite e dy muaj e diçka ditë... Kur jom shku kom qenë 21 vjeçar...

Kemi qenë krejt të ri se në Goli Otok [në atë kohë] kanë shku krejt çka kanë qenë nën moshën 25 vjeçare. Edhe secili që vike koha me dalë nga burgu a din, jonë emocione të pa përshkrueshme, kur nji shok për shembull e kryke vuajtjen e dënimit edhe na ja bojshim nji ceremoni përcjellëse... ato kanë qenë momente shumë të vështira për ato që dilke se pritojke ai se i lejke shoktë në burg, ajo ishte shumë emocionuese... Nga ana tjetër na u gëzojshim që ai dilke po ai aq randë e përjetojke emocionalisht si thojke tash... për tjertë nuk e di veç ai që ka dalë prej burgut ka dalë duke qajtë.

Jo që me thanë, “Po gëzohna!” Po secili që ka dalë, ka dalë duke qajtë tuj u përshëndetë me shokë. Atë e kam përjetu edhe unë vetë. Edhe këta tjertë që kanë qenë për vepra tjera janë emocionu po na çka kemi qenë kështu për çështje kombëtare, secili ka qajtë kur ka dalë prej burgut, edhe këta që kanë metë po ai që dilke, ai e ka pasë edhe nji farë barre, “Unë po dal, këta po mesin!” Kanë qenë momente shumë prekëse që s’harrohen kurrë! Unë për vete kom qajtë, kanë qajtë tjertë krejt, asnjo s’është dalë pa qajtë, se ti dilshe e të metshin shoktë...

Pas vuajtjes së dënimit, kur jom kthy në Kosovë ka qenë një ambient me ndryshime të mëdhaja si në shoqni edhe në familje...

Po neve që kemi qenë të burgosun na kanë kqyrë me nji sy tjetër, njerztë kanë qenë pak ma të distancum, nji pjesë e njerëzve jonë frigu, i kuptoj, jonë frigu prej regjimit, jonë frigu me pasë kontakt me neve. S’kemi pasë kurrfarë statusi sa i përket risocializimit, kemi qenë njerëz të anashkalum, s’është marrë kërkush me neve, e vetmja ndihmë ka qenë familja, meqenëse familja ka mujtë diçka me të ndihmue, përndryshe sa i përket shoqnisë na kemi qenë të anashkalum. Jemi gjetë secili në atë mënyrën e vetë... Me punu është kanë e pamundshme. Në fillim të viteve të ’90-ta kenë çelë do ndërmarrje private, aty kemi fillu ka pak...Por prapë ka qenë e papërballueshme... Në vitin ’89 situata eskaloi në mënyrë ekstreme, më kujtohet kemi qenë në këtë sallën e sportit që është në Qendrën e Studentëve, kemi pasë grevë nja nji javë ditë, u solidarizojshim me minatorë. Atëherë na e nijshim veten ma lirë se merrshim frymë ma lirë se krejt populli i Kosovës u organizu kundër regjimit, pra u pjek ajo vetëdija kombëtare, hupi frika...S’kishin njerztë ma frikë.

Atëhere në fund të vitit ’95, mora nji vendim të vështirë, u largova në mënyrë ilegale për në Zvicër...

Atëherë filloi lufta në Kosovë ’97-’98-’99... po foli për veti, e kom përjetu shumë randë, krejt familja këtu sidomos rrethi jonë ka Gjakova, ajo Reka e Keqe ka qenë caku. I patën djegë krejt me shpija, në fillim ma së pari i kanë djegë me 9 maj, përveç Drenicës që e kanë djegë, edhe neve na kanë djegë të parëve krejtve. U shpërngul familja...

Na do të thotë ’97-’99 kemi pasë pak nji jetë veç na e dijmë çka kemi hjekë... Ata këtu po se po se janë kanë edhe fizikisht po edhe na kemi nejtë tana herët psiçikisht jemi kanë shumë, shumë të lodhun.

Edhe e kemi pasë nji jetë, jetë shumë të vështirë...

Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme