Rrëfimi i Hasan Kastratit: “... more gurë, gurë me pasë me hangër!” - NACIONALE

Rrëfimi i Hasan Kastratit: “... more gurë, gurë me pasë me hangër!”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Unë jom Hasan Polluzha, ma vonë Kastrati. Jom i lindun me 3 janar 1943 në Pejë nga baba Sylejmani dhe nga nëna Qamilja. Rininë e kom kalu si o ma së vështiri, se qysh herët në rini më ka pengu okupimi dhe kur ka qenë aksioni i pushkëve [Aksioni i Mbledhjes së Armëve 1955-1956] me 14 janar 1956, baba mbasi i kishte dy pushkë, njonën e çon me dorëzu edhe më mori mu me veti, unë isha 13 vjeç. Kur e kemi dërgu në stacionin policor – stacioni policor ka qenë afër Lumbardhit, në lumë kanë qenë të lidhun, në janar ka qenë shumë ftohtë, me shumë ngrica të mëdhaja e borë, kanë qenë në ujë të lidhun dy vetë, njoni ka qenë Musë Gjakova i Pejës.

Kurse përjashta në oborrin e policisë ka qenë një me tirqi që nuk ia di emrin, që ka qenë i zbathun pa këpucë në atë akull, edhe nji guri të madh nja 30-40 kilogramë në shpinë, të lidhun për brezi... edhe mu m’u këput filmi. Kur e kemi dorëzu pushkën kcejsha prej inatit, e prej gjitha atynve se çka pava.

Baba atëhere ka qenë anëtar i rezistencës edhe më merr për dore më thotë, “Hajde kha dojmë me të çu me dhanë betimin...” Atëhere nuk ka pasë marksizëm, leninizëm, ka qenë NDSH - Nacional Demokrat Shqiptarë, qajo ka qenë si rezistenca e asaj kohe. Unë kurrë njihere nuk kom pasë ngjyra, as marksisitleninist, veç patriot i thjeshtë pa ngjyra.

Edhe e kom thanë betimin në praninë e Osman Balokut, Bajram Vokshit e Ramiz Berishës, Jah Goranit edhe nja dy tjerë nuk ja u di emrin, se baba më prezantoi.. po m’njifshin ata, ishin shokë të babës. Statutin ma lexunë masë pari, statusi i tyre ishte neni nantë. Qito e kom mbajtë në mend kështu fort mirë, neni nantë thotë, “Realizimi i aspiratave gjithëpopullore me luftë, jo me paqe,” sikur këta që formun në vitet e ‘90-ta...

U anëtarësova aty edhe ma prunën flamurin me e vnu dorën mbi flamur, për m’u betu, atë betim s’e kom thy kurrë në jetë! Ai betim më ka mbajtë tonë jetën, edhe tonë jetën kom vujtë, as nuk di që ka vujtë dikush prej neve ma shumë, po kom pasë nji shpresë herët a vonë se e kom pasë synimin për qët’ ditë, për liri të kësaj toke, këtij vendi...

Mandej me dy shokë të tjerë, me Qazim Mahën dhe me Skender Kabashin, kemi qenë në ‘59-tën në Shqipni, një njeri na ka udhëzu, na ka qitë në Shqipni, ata kanë mendu që po shkojmë na aty me nejtë, na çun te nji oficer i sigurimit në Bajram Curr... “Për çka jeni ardhë?” “Jemi ardhë për me u lidhë me ju për me fillu luftën, për me shliru Kosovën”. Na ishim të ri atëhere, në të ’59-ën ishim 16 vjeç.

Ata normalisht, që është gja normale, nuk besojshin në ato aftësitë tona... “A po doni me nejtë këtu?” Thamë, “Jo! Nuk kemi ardhë për me shpëtu lëkurën tonë, kemi ardhë për qëllime të caktume” “Ani, a po doni me nejtë?” “Jo!” “Hajde pra me ju kthy mas”. Edhe jemi kthy në shpi. Në shpi janë ardhë na kanë marrë se kemi mungu prej shpije nji javë ditë, e baba u dashtë patjetër me lajmëru që po i mungon djali në shpi. E na vetshin, “Kah keni qenë?”

Hetimet qashtu vazhdun nja gjashtë muj, edhe masnej na lëshun se masi s’kishin diçka konkrete. Të dytën herë në ‘61-shin shkum në Shqipni në të njëjtën kohë, në tetor. Kësaj here veç ishim 18 vjeç e ish ma ndryshe, ma të zhvillum e ma të pjekun, nuk ishim ma veç adoleshenta. Edhe na thanë, “Vazhdoni, punoni!” Masi na dhanë vizën për punë na fluturum prej gëzimit, edhe mandej kur dulëm këndej, prej gëzimit, “Hajde dojmë me shku m’u la në liqen të Plavës”. Aty na kanë nxanë! Plava, liqeni i Plavës... Gucia ka qenë zonë kufitare, prandej edhe na kanë burgosë edhe na prunën në Pejë. Në Pejë menjihere na dhanë vendimin për nji muj ditë, “Që e keni shkelë kufinin!” “Nuk e kemi shkelë kufinin!” S’e pranum kurrsesi edhe kur u bonën hetimet, kur u zgjanun hetimet, gjashtë muj...

Herën e parë gjashtë muj e dy-tri ditë edhe na lëshun. Mandej ja fillum me zgjanu veprimtarinë me NDSH-në edhe me ata ma të vjetrit, me bekimin e tyne e kemi zgjanu rrjetin. NDSH-ja ka qenë organizatë për rezistencë kundër okupatorit, sikur “Balli Kombëtar”, sikur ma vonë këto që janë ra marksistat, leninistat... Krejt njëjtë janë kanë. Qëllimi ka qenë bashkimi me Shqipërinë, kundër okupatorit.

Në ‘62-shin me 17 nëntor, me 16 nëntor...Në të vërtetë me të 15-tin, në gjysë të natës e kanë nxanë nji shok temin edhe mandej e kanë pytë ata, ka tregu se ai... E regjistrova Gjimanzin e atëhere une në ‘61-shin u bëra maturant me do shokë që ishim po na nxunën e na shtinën në burg. Unë në atë organizimin që e kemi ba e kemi pasë librin, fletore e madhe A4, aty i kemi shënu antarët, çdo anëtar i ka pasë të gjitha shënimet. Në fletën e parë ka qenë betimi, fleta e betimit, ka qenë shumë betim i rëndësishëm, e kom atë fletë, po ka nisë me u tretë se tuj e mshefë. Edhe kurrënihere nuk kanë mujtë me marrë atë libër, atë fletore.

Nji shok i cili ka banu, e kom marrë në shpi teme, pa qera, në tesha të miat, në bukë teme, kuptohet të babës po edhe une punojsha pak për m’i ndihmu. E ai e pata gjetë ni herë tuj e shfletu atë fletore, kon ka mujtë ai me e lexu edhe me mbajtë në mend e ka tregu, se nuk jemi njësoj, dikush e duron dajakin, dikush nuk e duron... ai s’e ka duru. Po mu m’i patën nxirrë dhomtë me dana të kuajve, ata u mundojshin m’i nxirrë po s’mujshin m’i nxirrë prej fëlqive [nofullës] ma, e shtrengojshin danën edhe e këputshin... Këndej tre, këndej dy, goja gjak edhe dikur më lëshun, erdhën në gjysë të natës atë natë prapë në çeli aty me më pytë për fletore, “Ku është?” Thashë, “E kom djegë!” Veç qët’ fjalë e kom thanë gjithmonë, “E kom djegë!” Edhe na kanë qitë në gjyq, na kanë dënu ka katër vjet... mu katër vjet, Shaban Kelmendin i cili ka qenë zëdhënës i organizatës, atëhere i kanë thanë përgjegjës, tash në vitet ‘90-ta po i thojnë zëdhënës, ai ka qenë zëdhënës...

Edhe atij katër vjet. Sylë Dinës dy vjet; Vesel Veselit nji vjet; Isa Panxhës nji vjet; Qerim Shalës nji vjet.. e të gjithë anëtarët tjerë, kanë qenë kinse dëshmitarë të veprës tanë që e kemi organizu. Po, kjo ka qenë ajo që kemi dashtë me ndërru shtetin, me çliru Kosovën edhe me bashku me Shqipninë, se në aktakuzë më shkrun që, “Hasani ka kqyrë, ka tentu edhe ka organizu rini...” Edhe vajza kemi pasë në organizatë... “Rini sa ma shumë shqiptare me orientim kundër okupatorit, në mënyrë që në momentin e duhun me sulmu organet shtetërore dhe ushtrinë...” Ky ka qenë qëllimi kryesor i kësaj... Vazhdimisht, tanë kohën na kanë mbajtë në vetmi.

Ato çeliat tjera kanë pasë ka nji dërrasë, une s’kom pasë as dërrasë as hiç, krejt m’i kanë hekë. Edhe kanë pasë të drejtë prindët me na pru bukë, çdo dy javë, mu bukën s’ma kanë dhanë kurrë. Në këtë rast kanë shpëtu 17 pa u përfshi, pa ra në burg: Katër të Pejës edhe nja gjashtë të Gjakovës, nja pesë të Prizrenit, një i Prishtinës, kanë shpëtu mirë. Mandej na çunë në Goli Otok. Në vitin 1963, me 14 mars na kanë lidhë në burgun e Pejës edhe lidhun na kanë çu deri në tren.

Me tren mandej deri në Beograd, s’e disha ku po na çojnë, mendojsha në Nish, se Nishit e Pozharevcit ja u kom pasë ndi zanin përpara se me shku në burg. Goli Otoku... Kërkush s’e ka ditë çka është Goli Otoku! Erdhëm në Beograd lidhun, na futën në polici aty deri sa erdh koha me u nisë treni për Zagreb, e prej Zagrebit mandej për në Rijekë. Në Zagreb hiç nuk dijsha ku po na çojnë.

Mbërrijtëm në Rijekë, aty na mbajtën nja gjashtë-shtatë ditë në një stacion policor, në një vend ku i mbledhshin të gjithë për me i çu për në Goli Otok. Në Goli Otok na çunë me nji anije që e furnizojke Goli Otokun me ujë, se atje nuk ka pasë burim uji të pijshëm. Goli Otoku ka qenë ishull i rrethum në të gjitha anët me deti, ujë të pijshëm s’ka pasë... Prandaj e pritëm deri sa u banë 20-30 vetë, gjashtështatë ditë edhe në mëngjes na çunë herët...

Në anije na futën atje në fund të anijes që na mos me pa ka po shkojmë edhe mos po ikim, se në anije nuk ishim të lidhun. Dikur na lejun me dalë nalt se disa vjellshin, une nuk kom vjellë po tjerët vjellshin prej lëvizjeve të anijes, prej valëve.

Shkumë në Goli Otok. Atje kishin ndryshu pak ato strukturat e mëparshme ish ba njifarë liberalizimi, po shumë i vogël! Zbritëm prej anijes drejt e në karantinë, u dufke nja tri javë ditë në karantinë me ndejtë, me i mësu ligjet e burgut edhe me punu. Na dhanë ka nji ksi kartë për me e plotësu për me ja u çu të shpisë që kemi mbrri edhe adresën. Si kemi mbrri aty ishte dreka, ishim untë.. more gurë, gurë me pasë me hangër...

Na kanë marrë na kanë çu neve treve, se na tre ishim të organizatës tanë aty, treve na kanë çu në izolim. Sylë Dinën e kanë mbajtë shtatë ditë, Shaban Kelmendin e kanë mbajtë dhetë ditë, mu më kanë mbajtë 21 ditë. Kur jom dalë prej atyhit barku veç më prekke në kurriz prej unit, se aty shumë pak bukë, 250 gram në ditë... na qitën prej atyhit edhe mandej shkum me njifarë vendi ku ishte, u qujke teli. Teli ishte vend i rrethum me tela, ku ishin shtëpizat ku banjoshin të burgosurit, drejt prej dreke na kanë çu aty.

Të nesërmen nadje neve grupin tanë na çunë në punishten ku përpunohej guri. Konkretisht ku bluhej guri, seperacion ku bluhej guri. Sylë Dinën e mbajtën tre ditë, e çunë në repart. Atje bile pluhur nuk ka pasë, në repart ku përpunohej guri. Shabani nja pesë ditë ka ndejtë a gjashtë, ai nuk u bojke rahat qysh i shkojke nuk e di... Une nji muj e tri ditë qaty, tona me shku poshtë, poshtë e kom gjetë nji të burgosun politik prej Shqipnisë, njifarë Stavro Andoni.

Stavro Andoni ka qenë ushtar, partizan i Luftës së Dytë Botërore, ky kishte qenë i dënum me 12 vjet burg edhe në atë kohë i kishin metë edhe nji vjet për me e lëshu. Ai më ka udhëzu qysh me qëndru, qysh me u paraqitë, qysh me u sjellë se atijna nuk i tolerojshin kurgjo, edhe ai e pau që edhe mu nuk po më tolerojnë për hiç, hiç, hiç kurgjo edhe më tha, “Me punu puno, qysh ke qenë i aftë me qenë kundër tijna, ‘Edhe punën’ thuj, ‘jom i aftë me ta kry, me ta mbajtë dënimin. ama unë jom apet ai me mendimin e vjetër, qëndrimin s’e kemi ndërru’”. Punojsha!

Normalisht normën e kom qitë, nuk kom guxu mos me qitë, se ata që nuk e qitshin normën i thirrshin kinse në bisedë informative për me ju ba presion për me u ba bashkëpunëtor i UDB-së [Uprava Drzavne Bezbednosti / Organi i Sigurisë Shtetërore]! Unë qasejna i iksha.

Kur dulëm në repart të përpunimit të pllakave të gurit, lagështi me ujë, uji i detit i njelmët, çementoja... e krejt gishtat me gjak i kom pasë. Me propozimin e qatij Stavro Andonit, tha, “Masi ki dënim tetë vjeçar e ki me kërku me dalë në zdrukthëtari kinse me mësu zanantin”. Une i propozova mandej edhe Shaban Kelmendit, shokut tem me shku na me kërku për me na leju me dalë në zdrukthëtari, edhe atje i kishim do shokë, njifarë Ali Nikqin, ishte udhëheqës i ndërrimit – kryepunëtor, por ishte shumë patriot.

Në zdrukthëtari, pikërisht në repartin e ngjyrosjes. Shkumë une e Shabani, secili veç e veç te hetuesi, kërkuem mbasi kemi dënim katër vjet i kishim edhe tri vjet dënim e ma tepër, ajo shkollë ishte dy vjeçare për me dalë me mësu zanantin e zdrukthëtarisë. Aty na lejoi, na lejun edhe dulëm, kur dulëm aty unë kërkova me shku në [repartin për] ngjyrosje.

Në Goli Otok ushqimi ka qenë shumë i keq, ma shumë ujë se pasul. Une barkun nuk e kom ngi bukë tanë kohën atje, kurrë! Veç kur më ka ardhë vizita, pesë herë më kanë qenë familja. Në ’63-shin nuk janë ardhë po në ‘64-tën dy here, në ‘65-tën dy here... jo në ‘68-tën tek u kanë ni here, e në ‘64-tën dy here edhe në ‘65-tën dy here. Vishin nona, baba, vëllau, motrat...Motrat ishin të vogla, se ka pasë asi raste që kanë pasë të drejtë edhe me bujtë, ose vizitë pak ma e zgjatun, dy orë, katër orë, pesë orë, ama në rastin tem kurrë mbi gjysë ore...

Bile në ‘65-tën shkova... Më lajmrunë që kanë ardhë vizita edhe shkova. Teli, ai vendi ku banjoshim neve të burgosurit, është kanë larg me hotelin, gjegjësisht larg vendit ku ishte porti ku u ndalke anija me udhëtarë, qoftë me të burgosun, qoftë me udhëtarë, i kishte nja katër-pesë kilometra larg. Më lajmërunë policia prej portës më thanë, “Hajde! Ki vizitë!” Edhe shkova. Kur shkoj atje po më thojnë policët qi duhet me folë serbisht... Thashë, “Jo, me nonën teme”, thashë, “nuk foli serbisht, nuk din serbisht edhe une nuk du me folë serbisht”.

Edhe pse letrat i shkrujsha serbisht në mënyrë qi mos m’u ndalë edhe mos me hupë, “Bile ta kenë najfarë lajmi prej meje”, thojsha! Edhe jom ardhë prapë në tel në atë rrethin ku isha, ku flejshim e rrishim... Gjysë ore mbasi kom ardhë, kanë ardhë dy policë më kanë marrë për krahu se nona atje kish fillu me qajtë, se nuk e kanë ditë që nuk po du me folë unë serbisht, po ajo ju ka thanë që, “Ju e pasket mbytë, s’po e shohim! Une du me mëndu qysh du une vetë...” Vijnë më marrin dy policë e unë nuk preksha në tokë, më kapën për krahëve.. e tuj vrapu me shku atje, pra shqip folëm gjysë ore...

Na shkojshim në shkollë për dy shkaqe tash, nja me u hekë prej përpunimit të gurit... Por edhe mbas orarit të punës si hajshim drekë na merrshin me bajtë gurë prej këtij vendi në vendin tjetër, edhe tash sot këta gurë m’i çu atje e të nesërmen të njëjtit m’i pru knej... Veç sa me ja u ndërru vendin, sa mos me na lanë ndejë, mos me na lanë me pushu... Kur jom ardhë prej burgut jom kanë shumë ligsht, as në shpi teme nuk është që kom hangër bakllavë, po të paktën e kom ngi barkun bukë, bukë e djathë, po barkun e kom ngi.

Na kanë ndëshku, për shembull kanë kërku me u ba rresht, mos m’u ba rresht, të kanë ndëshku... Po unë qato, unë në vetmi qaty për qata kom qenë, ajo s’i ka ndodhë kërkujna tre muj me qenë në vetmi. I dënojshin tri ditë, pesë ditë, dhetë ditë vetmi, jo tre muj.

Domethanë tretmani ka qenë i posaçëm për mu se që thojnë, “Dikujna i bon edhe gjeli edhe pula vo, dikujna nuk i bon as gjeli as pula”. Unë kurrë nuk kom pasë nji përkëdhelje nga pushteti, kurrë hiç, gjatë tonë jetës, jo përkëdhelje po as të drejtën teme s’kom mujtë me e realizu, as të drejtën teme legjitime. Mbas burgut e kom regjistru BAT-in [Bazat e Arsimit Teknik].

E pamë që Kuvendi e kanë rekrutu nji UDB-ash, nji profesor të cilit i kanë dhanë për detyrë për mos me më lanë me kry shkollën... Torturë edhe ma e madhe ka qenë mbas burgut. Une profesorin edhe e kisha vra, se faktikisht në provime shkojsha me allti, po në bisedë me shokë ata më thanë, “Nuk bon me e vra, se ti bahesh palaço e jo veprimtar politik!” Prandej edhe kom duru, e kom shfrytëzu të drejtën legjitime që ka qenë me kërku me u testu me komision.

Herën e parë hajde ai profesori ma dha pesëshe, herën e dytë... Se nuk jom shku kurrë nihere pa u përgatitë, se notën mesatare e kom 8.75...Por ishte qëllimi i profesorit me më dezorientu, mos me më lanë me kry, me më demoralizu...Ky ishte presion psikologjik i UDB-ës ndaj meje. Të tretën here... Se mu më qitshin përjashta masi ju përgjigjsha pytjeve që ata me vendosë.

Herën e parë nuk bonën zhurëm, herën e dytë bonën pak ma shumë zhurëm, “Jo bon, jo s’bon, jo bon, jo s’bon!” Nejse po herën e tretë i ka kapë profesori për fyti këta të komisionit. Këta s’kanë ditë ku është çashtja por kanë mendu qi po ma bon me qëllim! Ai me qëllim po, por i detyrum prej UDB-ës... Kështu hina në punë në arsim, në nji shkollë fillore edhe në Gjimnaz të Pejës. Punova deri në ‘73-shin kur me 5 mars erdh vendimi me na qitë prej punës neve të cilët kemi qenë të burgosun. Shkolla fillore e murrë prej Komitetit atëherë vendimin me më përjashtu edhe më përjashtun, pa të drejtë punësimi tjetër se të gjithë këta të tjerët që i përjashtunë...

Në Pejë kemi qenë nja gjashtëdhjetë ish të burgosun politik që kemi punu në arsim, mirëpo vetëm dy-tre prej nesh na qitën, jo të tjerët.. Domethanë ka pasë krejt tjetër trajtim për ata, e tjetër për neve të tretë, neve na qitën pa të drejtë punësimi. Në atë kohë, në vitin 1972 e kisha regjistru edhe Fakultetin Juridik, nji prej shokëve i cili ka vdekë para dy-tri vjetve më tha, “Nuk mundesh me gjetë punë me atë fakultet!” Edhe kom shku e kom kry Maqinerinë, shkollën e naltë të Maqinerisë në Mitrovicë.

Ky hetuesi i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Pejë më tha, “A din ti që s’ki të drejtë shkollimi, as punësimi... Pse? Pse po mundohesh?” I thashë, “Ama me shkrim ti mu që s’kom të drejtë...” Tha, “Jo me shkrim nuk ta jepi..” “E atëhere?” Thashë, “E jotja është me më ndjekë e une në mujsha me kry e kryj, mos të mujsha, kurgjo”. Unë me Maqineri as me kurgjo hiç me gjetë punë në Pejë! Hiç me më lanë mu!

Atëhere kush u punësonte prej njerëzve jo të rëndomtë, se s’kam qenë i rëndomtë se kam qenë me vulë si “i burgosun politik”, për qita nuk kam qenë i rëndomtë... është pyete komiteti, është pyetë UDB-a, “A bon me marrë Hasanin a s’bon?” Asnjani s’ka thanë ni here, “Bon!” Po, “Nuk bon!” Atëherë me anë të do shokëve tjerë të burgut, përmes nji shokut i cili e kishte vëllaun e punësum në KEK [Korporata Energjetike e Kosovës], në nji organizatë punuese...Erdhën te une në Pejë, tha, “Boni dokumentat gati!” Se në KEK atëhere ka qenë prej viteve ‘60-ta konkursi i hapur për kuadra, qoftë juridike, qoftë ekonomike, qoftë inxhiniera të profileve të ndryshme: xehtari, teknologji, maqineri, elektro...

Plus, në mënyrë që me i tërhekë kuadrat, ka qenë edhe banesa e sigurume... banesa ka qenë në mënyrë që me i tërhekë se kurkush nuk donte prej inxhinerave, dojshin me dalë nëpër zyre jo në pluhun. Mu deri atëherë, nuk ka qenë rruga Pejë-Prishtinë e ndërtume, udhëtojshim me tren edhe kur vijshim te stacioni i trenit “Bardhi”, aty ishte afër mihja sipërfaqësore e “Bardhit”... deri atëherë veç era e qymyrit ma nxinte frymën me tren kah kalojsha se që po më vjen koha me punu une aty edhe jo me urrejtë atë erë por me m’u dokë parfum s’e kom besu... po qe erdh koha me punu une në qat’ qymyr...

Kjo banesa s’ishte hala gati, banjosha privatisht do kohë në Prishtinë mandej do kohë në Kastriot. Edhe qishtu deri sa u ba banesa, por është këtu nji…Thashë kam qenë si dele e zezë, m’u dallu prej të gjithëve edhe trajtimin ma të keqin e kom pasë… Ka qenë banesa 81 metra katrorë por kurrë në të nuk jom hi. UDB-a e Komiteti nuk më ka lanë me hi në të. Ka qenë e re... E ajo në të cilën kom hi ka qenë 43 metra katrorë, për gjysë, plus kjo njizetë vjet e vjetër.

Më kanë detyru në gjendje të alivanosun me pranu ndërrimin me një boshnjak drejtor teknik... I alivanosun prej rrahjes, prej dajakit... edhe e kom nënshkru, e kom marrë qat’ të vjetrën. Në atë kohë nuk kom mujtë me u anku, kujna me ju anku? Se qaj pushtet ma bani qato, gjyqet kanë qenë vegël e pushtetit, edhe s’kom mujtë me realizu kurgja. Se edhe gjykatat ishin të korruptume.

*Padrejtësitë dëshmitar i të cilave kishte pasur fatin të jetë qysh në moshë të njomë, nuk e lanë rehat Hasanin i cili ju bashkua lëvizjes për çlirim qysh kur ishte 13 vjeç. Në vitet e ’50-ta, zotëri Kastrati ishte dëshmitar i mënyrave të zbatimit të Aksionit të Mbledhjes së Armeve e pasojave të dhunshme të tij, kështu që në fëmijëri u betua si anëtar i NDSH-së. Për shkak të një vizite në Shqipëri, ishte arrestuar bashkë me shokë në fillim të viteve ’60 dhe ishte dërguar për në Goli Otok në moshën 19 vjeçare. Një ndër kujtimet e tij më të hidhura të kësaj periudhe është vizita në burg e nënës së tij, të cilën fillimisht u detyrua ta refuzonte, për shkak të kushtëzimit për të komunikuar me nënën e tij në gjuhën serbe. Pas daljes nga burgu, Kastrati u ballafaqua me persekutim pas persekutimit, kur nga sistemi i atëbotshëm ju vështirësua qasja në edukim e punësim.

Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme