Rrëfimi i Sabri Novosellës: "Ishulli lakuriq"
Në shtëpinë e tij qysh në fëmijëri, Sabri Novosella dëgjonte nënën duke kënduar vargjet e Gjergj Fishtës teksa në vek thurte çilima me motive kombëtare. Për të, angazhimi për çështjen kombëtare ishte i pashmangshëm marrë parasysh përvojat të cilat ai i jetoi në fëmijëri, nga vetëvrasja e punëtorit të babait të tij për shkak të presionit gjatë Aksionit të Mbledhjes së Armëve, tek shpërngulja e dhunshme e komshinjëve të tij të afërt për në Turqi në të njëjtën kohë dhe përfundimisht burgosja e mësuesit të tij i cili atëbotë ishte pjesë e NDSH-së. Zanatin e tij prej rrobaqepësi, e vuri në funksion të lëvizjes, kur në vitet ’60 – kohë kur ky veprim ishte i dënueshëm - qepi 94 flamuj kombëtarë të cilët u ngritën nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Sabri Novosella u dërgua në Goli Otok në vitin 1965 dhe u dënua me nëntë vjet burg.
Unë jam Sabri Novosella Maxhuni, i lindun në vitin... Më 3 maj të vitit ’43. Jam lindë në Vushtrri, dhetë vjet kemi jetu në Vushtrri, mas dhetë vjete baba me krejt familjen kemi kalu në Prishtinë, edhe në Prishtinë nga viti 1953 deri në 1964, kam qenë në shkollë edhe e kam mësu zejen si rrobaqepës.
Familja jonë ka qenë me të vërtetë familje gjithmonë në konflikt me okupatorët sërbo-sllavë. Fëmijëria ime tu e marrë tash që nga mosha që kam ba diku katër-pesë vjeçare, u kanë në familjen tonë... tjetër gja nuk o’ bisedue veç për vuajtje e sakrifica, për vdekje, për kujtimin e njerëzve tonë që kishin ra nëpër beteja. Më kujtohet shumë mirë, nana ime punonte me vek, kështu i thojnë kanë maru çilima tradicionale dhe knojke, ato kangët e saj kanë qenë përjetësi me një krenari shumë të naltë, për vuajtjet, për sakrificat, për... Bile unë jam adhurues jashtëzakonisht i madh i At Gjergj Fishtës... edhe nanën time në vek e dëgjojsha kah këndonte kangët nga poezitë e At Fishtës, për Oso Kukën, për Avdi Hysën, për luftërat, vazhdimisht për qëndresë.
Në moshën 10 vjeçare kaluam në Prishtinë, isha në klasën e pestë, edhe fillum, shkojsha në shkollë, edhe aty punët... Babën e kam pasë bujk, me punët e bujqësisë, me bagëti... Por edhe gjatë shkollimit, qatyne shkollimeve që patëm, ma tepër s’na lanë, ishte vazhdimisht diçka... ajo koha ishte e aksioneve të armëve.
Në aksionet e armëve, njerëzit torturojshin shumë keq, nji mixhë të babës e torturun në mënyrë të tmerrshme, edhe u detyrun me gjashtë anëtarë të familjes, tre djem e tri vajza të martum, me kalu në Turqi edhe u shpërngul. Për shembull për mu kanë qenë ato raste ma të tmerrshme, ato tortura, ato rrahje... Baba kishte nji punëtor që i ndihmojke babës, edhe tu kalu nga fabrika e tullave, e tjegullave i pashë ca njerëz ishin tubue shikojshin çka ka, u afrova, kur u afrova aty ma ai punëtori jonë e kishin torturue në mënyrë të tmerrshme policia në aksione të armëve dhe i kishin thanë, “Ose ki me na pru armën ose kena me ta ba ma zi...” Ai armë nuk ka pasë, nuk ka dashtë torturë ma tepër, ishte varë, e pashë kufomën e tina të varun...Edhe nuk ishte varë në konop [litar] se s’ka pasë pare me ble një konop, po me tel, e kishte gjetë nji tel aty në fabrikë të tullave, ish vjerrë. Tash qajo skenë më ka metë e paharrueshme. Po!
Dej në atë gjendje shqiptarët torturoheshin, njonen anë u bojshin torturat, në tjetrën anë u bojshin shpërngulje, deportime...
Atëhere jom kanë te shpija pak ma në atë anë. Ishin burrë e grue, nuk kanë pasë fëmijë, po e kanë pasë nji qen të mirë, edhe ata u përgatitshin me u shpërngulë në Turqi. Të nesërmen në mëngjes e pashë, ata tu u ba gati edhe u nisën me shku te treni... Gjithmonë ju kërkojsha qenin, “Kur të shkoni në Turqi, këtë qen me ma lanë mu...” Shkun deri në stacionin e trenit, unë po shkoj mas tyne, ata hypën në tren, u mbajtën mirë, e përqafunë qenin, hypën në tren e lanë qenin. Edhe treni u nis, qeni ngajke, ngajke mas tyne. Mas sa kohe u ktheva, kur u ktheva ai qeni ish nalë te shpija, rrijke para derës, edhe nuk hynte mrena se i pritke me ardhë. U munova me ledhatu, po hiç-hiç, i donte njerëzit e vet, disa ditë me radhë ja çojsha ushqimin, s’e hajke, në shpi nuk hyjke. Nji ditë ngordhi para derës se edhe kafsha si kafshë e ndjen tmerrin dhe largimin e njerëzve.
Kam kujtime shumë të randa nga fëmijëria. Atëherë shkojsha në shkollë, e ndjeksha klasën e pestë. M’i burgosën mësuesit e klasës.
Kadri Deva ishte kujdestar i klasës, e burgosën. U burgos grupi i NDSH-istëve, “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”.
Kur erdh mësusja, një mësuse na jepke mësim, e veta, i thashë, “Pse na e burgosën mësusin Kadri?”, Tha, “Dashti pleshti me rrëzu bullin!” Thashë unë, “Mësusi jonë nuk ka qenë plesht, ai ka qenë mësus i mirë!” Ajo mësusja më paraqiti te drejtori... Drejtori ishte një serb. Menjiherë më përjashtun prej asej shkolle. Pra, qysh në klasë të pestë të shkollës fillore, jam përjashtue prej shkollës pse e përkraha mësusin që na e burgosën. Edhe nëpër mahallë kom plot kujtime... Pra kështu, fëmijënia shkoi.
Në vitin 1963 pasi doli Adem Demaçi nga burgu, u themelue organizata... Pra Adem Demaçi e themeloi organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Edhe ishim ngat me Ademin, kishim nji marrëdhanie të mirë me ta, edhe Ademi e pa të arsyeshme, më njoftoi edhe më propozoi... Unë me kënaqësinë ma të madhe pranova edhe u anëtarësova në organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Ajo organizatë e kishte udhëheqësinë qendrore dhe udhëheqësinë e qarqeve. Mas nji kohe të caktume me propozim të Adem Demaçit u zgjodha anëtar i Komitetit të Qarkut të Prishtinës për LRBSH-në. Gjatë asaj kohe u mirrshim me aktivitete të ndryshme, me shkrimin e parullave, me zgjerimin e organizatës, por edhe ndërmershim masa edhe hapa kështu... Donim për m’i tregue edhe popullit edhe armikut se mbi këtë tokë duhet me valu flamuri kombëtar-shqiptar.
Atëherë me propozimin e Ademit une i qepa 94 flamuj kombëtarë shqiptarë. Në vitin 1964, ata flamuj u ngritën nëpër hapësirën shqiptare. Unë i qepa flamujt, kurse aktivistët e organizatës sipas rregullit, i shpërndanë gjithandej. Bile shumë më ka pelqy një aktivist i Lëvizjes... Natën shkon ai në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, edhe nji tren që shkonte për Beograd, hin edhe mu në ballë të trenit e qet’ nji flamur shqiptar, ata s’e vërejnë hiç, derisa ka shku flamuri në Beograd, në Beograd atëhere ata thojnë, “Çka është kjo qysh...?” Edhe në ndërkohë u burgosën shumë, nja 360 vetë jemi burgosë prej asej organizate.
Të burgorusit kanë qenë... Dënimet kanë qenë me grupe, unë kam qenë i dënum me grupin e parë. 12 vetë kemi qenë në Prishtinë me Adem Demaçin. Adem Demaçi u dënu 15 vjet burg, une u dënova 9 vjet burg edhe tjerët me dënime të ngjajshme. Atëherë gjatë burgut hetues ishim në Prishtinë, edhe masi u dënum, kalun derisa u mor vendimi prej Gjykatës Supreme... Atëherë mu me Abdyl Lahun prej organizatës tonë na dërgun në burgun e Goli Otokut.
Në burgun e Goli Otokut më kanë çue në vitin 1965. Atje kur shkum gjetëm edhe shokë tjerë, aktivista të organizatave edhe tjera, për aktivitete politike kemi qenë sa veta... Edhe kena fillu me ba jetën e burgut. Burg shumë i randë, shumë i vështirë, burg ka qenë Goli Otoku që sërbisht i thojnë ishulli lakuriq, komplet i rrethum në ujë, por me të vërtetë mund të themi me krenarinë ma të madhe të gjithë ata shokë që kemi qenë të organizum për vepra kombëtare, kemi pasë një unitet, nji bashkëpunim, edhe kohën e lirë e kemi kalu krejt me lexim. Libra kahdo që na vishin. aty na shtishin edhe me punu, po kohën e lirë e kalojshim me lexim...
Jom burgosë më 8 qershor... Më 8 qershor të vitit 1964, herët në mëngjes cokati dera, edhe cokati ashpër ashtu. Dikush ja u çeli derën, kur hynë, une e disha... Kah ora pesë e mëngjesit, burgosjet janë ba në orët e hershme të mëngjesit. Erdhën së pari më kapën, m’i vnun prangat në durë, edhe po na hallakatin shpinë, sa andej- sa andej... edhe më thanë, “Tash je i burgosun”. Tuj dalë, nana ishte në oborr, nana kur më pa... tu dashtë m’u afru me më përqafë, ata nuk e lanë, e shtynë nanën, nuk e lanë me më përqafë. Edhe ajo pamje e nanës nuk më kalon pi syve kurrë, ton’ jetën e kom pa, edhe më ka shërby shumë, me dy durtë, m’i drejtoi durtë kështu, m’tha,
“Bir m’u kthefsh me faqe të bardhë!” Gjatë hetimeve, gjatë torturave, ato tortura shtazarake, na i mytën shokët, Fazli Grajqevcin... çelia ime ka qenë numër pesë, çelia e tij ka qenë numër gjashtë... Derisa ka vdekë ja kom ndi gërrhamzën. Nuk pranoi, askënd s’e qiti...
Transporti për Goli Otok u ba... mu për shembull me Abdyl Lahën, na kanë marrë nga burgu i Prishtinës, normal të lidhun me pranga, na kanë çu deri në tren. Na ishim tre, edhe policët që na përcjellnin, ata me tren na kanë çue.. u ba ndërrimi i trenave në Beograd edhe Zagreb, na kanë çu në Goli Otok, na kanë çu në Rijekë. Pra na ishim tre të burgosun, tre policë na përcillnin deri në burgun e Rijekës, në burgun e Rijekës na kanë vendosën aty në burg se aty duhej me u ba një numër, një sasi e mjaftueshme, që me mbushë një anije të burgosun, e atëhere prej burgut të Rijekës na çonin në burgun e Goli Otokut.
Aty nejtëm nja tri-katër ditë në atë burg, burg normal i vogël, e thotë ai a e dini që burgu nuk është për dëfrim.. aty u tubum...
Kështu që kjo rruga ka qenë deri në burgun e Rijekës, nga burgu i Rijekës na kanë çu me anije në burgun e Goli Otokut. Në burgun e Goli Otokut na kanë vendosë sipas rregullave nji muj ditë u kanë përpara, mandej na kanë pasë nda nëpër ato pavilionet.
Për shembull atje ishim.. burgu e ka pasë ushqimin, më ka pëlqy, ushqimi i burgut është ushqim i burgut, plus me ato mbeturinat që kanë mbetë, por i mshefshim, nuk ishim që me vdekë nga uria... ushqim kishte për mos me vdekë nga uria! Kohën e punës e punojshim si punëtorë të rregullt, pastaj i kishim faktikisht tetë orë punë, tetë orë gjumë, tetë orë pushim. Atë pushim e kena shfrytëzu për mrekulli, për lexim, në mënyrë të organizume, nji libër që na kanë ardhë, të gjithë shokët dorë mas dore e kemi lexue, edhe na vishin nga jashtë, diçka libra dorë mas dore, por edhe një bibliotekë e kemi pasë, se burgu ka qenë i kroatëve...një varg libra në gjuhën kroate unë i kam lexuar në bibilotekën e burgut aty. Edhe thjesht jemi kanë të disciplinum, edhe kemi marrë vendim edhe punëtorë jem kanë, që t’i tregojmë edhe okupatorit se nuk kemi ra në burg pse s’kem pasë çka me ba, nuk kemi ra në burg si avanturier, “Hajde po bajmë diçka palidhje!” Por jemi njerëz të rregullt, kem ditë çka po dojmë edhe ne, edhe si të burgosun dojna me kanë taman të rregullt si duhet me kenë. Plotësisht është e vërtetë, asnji shok i joni gjatë burgut nuk u marrë me punë të këqija. Te ne s’ka ndodh te asnji i burgosun politik shqiptarë... Pra kanë qenë shembull për sjelle të mira njerëzore djemat tonë në burgun e Goli Otokut.
Familja kanë ardhë me më pa shumë pak, nji herë në vit vishin prej Kosovës nana, shoqja me djalë, edhe dy herë më kanë ardhë vëllaznit, Bedria m’ka ardhë, nji herë nji dajë i jemi m’i ka prue...
Këto kanë qenë shumë rrallë. Letrat që i shkrujshe, shkojke mas tre muj dite. Domethanë me familje kemi qenë të shkëputun komplet se atëhere s’ka pasë telefon, s’ka pasë kurgjo hiç...
Në Goli Otok e kemi kalu një jetë shumë shumë vëllaznore, ka qenë nji unitet i plotë, nji përkrahje morale. Nji paketë që na ka ardhë prej shpie tanë së bashku e kemi nda. Torturat kanë qenë...
Ne e kemi përdorë një metodë, ka qenë e caktume me punu, na gjithë kemi punu. Nuk jena marrë me asnji punë të keqe, se edhe nëpër burgje janë marrë me punë të këqija, ashtu që nuk i kemi dhanë okupatorit shkas për me na.. Por prapë se prapë ata i gjejshin arsyet, ishin rrahjet ishin...
Një kohë kam punue zdrukthtari, edhe pse s’kisha lidhje me të, po ma vonë kishin nevojë shumë për rrobaqepës. Se në përgjithësi po them këto teshat e të burgosurve kur çkyheshin, i çojshin te rrobaqepsi edhe na i harrnojshim, por, një pjesë të kohës para se me dalë nga burgu jom, e kom punu si, një pjesë të punës kom punu zdrukthtari, një pjesë kom punu si rrobaqepës.
Ka qenë ajo situata me të vërtetë e ndjeshme, nji qëndresë, nji krenari edhe ua them sinqerisht qata njerëz kanë lexu shumë! Para se me ra në burg i kisha mësue... E lexojshim atëhere Migjenin edhe Fishtën, edhe tanë jetën në burg, posaqërisht këta dhetë muajt që kam qenë nën hetime, ishte ajo çelia e tmerrshme, me ato dritaret me hekra...
Ne me të vërtetë e kemi ndi vetën, përkundër vuajtjeve, torturave të gjitha në çelitë e burgjeve serbo-sllave, e kemi ndje vetën si luaj të ndryer në kafaz...
Unë kam kalue gjashtë vjet në burg se, ndërkohë atëhere në vitin 1966 mos gabofsha u ba një ndryshim në kryen e Jugosllavisë, Tita e rrëzoi Rankoviçin edhe njëfarë krahu serb çetnik, babën e Rankoviçit e rrëzoi, edhe u banë do lehtësime. Pra, derisa ne ishim në burg në vitin 1966, mos gabofsha, u ba rrëzimi i Rankoviçit. Atëherë gjykimi jonë u përsërit, dhe në përsëritje të gjykimit neve nuk na shpallën të pafajshëm por na i zbritën dënimet, Adem Demaçit nga 15-të vjet, në dhetë vjet... mu nga nantë vjet në gjashtë vjet edhe kështu i majtëm ato dënime.
Pasi dulëm nga burgjet e Goli Otokut, prapë vazhdova aktivitetin.. unë porsa dola nga burgu menjëhere hapa dyqanin si rrobaqepës, edhe rrobaqepësia ime... Eshtë interesant dhe kjo është e vërteta, dhe Osman Dumoshi tani është i ndjerë, ka qenë aktivist i burgosun, thojke, “Kur du m’u taku me ndonjë aktivist,” thojke, “shkoj në dugojë të Sabrisë e aty i takoj!” Krejt çka ishin këta shokët aty hishim-dilshim. Kështu që, nga një anë punojsha për mbijetesë me majtë familjen se e kisha gruen... Kur rashë në burg e lashë Ilirin 7-të muajsh, pastaj më lindën fëmija tjerë, edhe njëkohësisht mirreshim me aktivitet.
Në vitin 1975 u ba një burgosje e madhe, u burgos Adem Demaçi me plot tjerë. Ne deri atëhere e çojshim njifarë aktiviteti ma tepër në mënyrë të pa organizume por aktiviteti vazhdojke. Në vitin 1976 morëm vendim me riorganizu organizatën, por tash për me i hupë gjurmët, ja ndryshum emrin e qujtëm “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare”. Në ‘76-tën kemi vepru në të njëjtën mënyrë që kemi veprue në organizatën me Adem Demaçin, tani me Metush Krasniqin, por me një kujdes të jashtëzakonshëm, me bindje të thellë që me vdekjen e Titos ka me vdekë Jugosllavia...
M’u pregaditë për momentin e duhun dhe gjithmonë e kem ditë shumë mirë çashtjen, e kemi edhe në program e statut, “Me u pregaditë për momentin e duhun. Kosova nuk çlirohet pa luftë!”
Luftën e kem parapa edhe bash ashtu qysh e kemi parapa doli, “Me vdekjen e Titos ka me vdekë edhe Jugosllavia, edhe kanë m’u ngritë... Pushka jonë nuk ka me qenë e para, lufta jonë çlirimtare, por do të presim tjerët me bindjen e thellë se kroatët kanë me fillu të parët...” Edhe ashtu doli! Kështu që çlirimin e Kosovës gjithmonë e kemi parapa me luftë dhe jemi pregaditë.
Në vitin 1979 u banë do zbulime të organizatës, disa aktivistë na u burgosën, Hysen Gërvalla u burgos, ishte vëllau i Jusufit. Aty e rrezikum burgosjen edhe une e Jusuf Gërvalla, kur u rrezikum ne dytë edhe në marrëveshje me Metush Krasniqin, i cili ishte kryetari i organizatës, u murr vendimi që Jusufi me kalu në Gjermani nëse mundet, pasi atje kishte vëllaun Bardhosh Gërvallën i cili e kishte formue degën e Lëvizjes në Shtutgart. Une mundësisht me kalu në Shqipni.
Shokët tanë këtu në rrezik për burgosje, Jusuf Gërvallën e nisën me rreziqe shumë të mëdhaja, e çun deri në kufi të Austrisë, atje dolën shokët e murrën. Kurse unë me ndihmën e shokëve, më 23 dhjetor të vitit 1979, më murrën nga Podujeva ku isha me nji vend më çun në Gjakovë. Në Gjakovë ishim me nji shok, ai tha, “Kufiri është i bllokum, ka rrezik, munden me na nxanë në kufi!” Kurse ai miqtë i kish të Krudës, të Malit të Zi. Shkum në Krudë me kerr, e kalum kufinin... Dola më 23 dhjetor të vitit 1979.
Gjatë krejt asaj rruge, gjithmonë revolen e kam pasë me veti, me të vetmen arsye.. me të vetmin qëllim se nuk kisha qysh me ra në burg, se e disha që ishte një kohë që njerztë edhe i torturojshin edhe i mytshin ma vonë, por mbi të gjitha ishte rrezik se po i zbulon shokët. E vetmja rrugëdalje ishte që nëse e shoh që po bi në dorë të tyne, në ymyt me vra veten edhe do ta kisha shumë ma lehtë se me ra në dorë të tyne... Dashti Zoti më ndihmoi, me ndihmën e shokëve edhe atje e kishim degën... Bile ata nëpër libra s’i kanë përmend kurrë, po aktivistët e degës në Mal të Zi ende jonë gjallë... Kalum në Shqipëri, pra me 23 dhjetor të vitit 1979, aty kam qëndru 2 muaj ditë..
Në vitin 1979 kalova në Shqipni, aty qëndrova... Aty është nji histori në veti, dashti Zoti se na kërkum me formu degën atje, një gja e tillë nuk na u lejue, po me ndihmën e disa shokëve të cilëve u jam shumë mirënjohës, më ndihmun ma rregullun pasaportën me një emër tjetër, Kamer Hyseni, edhe me anijen “Skënderbeu” ma mundësun me dalë në Turqi ku kam jetu afër pesë vjet... Pasi kom shku në Turqi, atje kom gjetë aktivistë të lëvizjeve edhe kështu e themelum degën e lëvizjes dhe e quajtëm “Komiteti Hasan Prishtina”. Tash sa kemi jetu në Turqi, ne vazhdimisht kemi veprue si degë e lëvizjes së Metush Krasniqit nga Kosova, pra, unë u vendosa në Turqi, Jusuf Gërvalla ishte në Gjermani edhe bashkëpunonim mes veti... Jusufi organizonte atje une këndej, organizonte protesta, demonstrata thjesht në favor të Kosovës.
Më 17 janar të vitit 1981 [1982] u vra Jusuf Gërvalla, na i vranë shokët, po erdhën me më vra edhe mu...
Kishte qenë një UDB-ash i njoftun për vrasje të shqiptarëve në Shkup, ai i organizon tre vetë, tre shqiptarë, tre agjenta të vet me ardhë në Turqi edhe me më vra. Ata kërkojnë një lidhje për me më gjetë mue në Stamboll, unë isha në Adapazar... E gjojnë një polic të ri shqiptar, i cili kishte qenë nga Kumanova, edhe i thonë, “Jena të interesum qishtu me na pru Sabri Novosellën deri te kufini i Greqisë!” Thotë, “Për këtë punë,” thotë, “e ki një shpërblim të mirë, fillimisht t’i jepim 6000 dollarë, kur na e dorëzon Sabrin t’i jepim 100 mijë dollarë edhe ti e kryn punën tane”. Po ky kish qenë djalë shumë i mirë, ju thotë, “Mirë s’ka problem e rregulloj këtë punë!” Po çka ka ba ky? Ata i thojnë, “Paj është një kriminel që ka thy banka, ka vjedhë e tash p’e kërkon policia jugosllave...” Ky ju thotë, “Po nëse ka vjedhë e i ka ba këto ata duhet me kërku Interpoli”. Këta i thojnë, “Çka po ta nin? Ti paret i merr, neve na e bjen edhe u kry puna!” Thotë, “U kry puna! Unë e kryj këtë punë!”
Ata e kishin pasë adresën time atje... Si jom pasë shku në Turqi, menjiherë e pata çelë dyqanin, këpucë kom shitë... Edhe qiky Demiri vjen një mbramje në ora 12 e gjysë t’natës me do shokë të tjerë ma gjojnë shpinë. Tha, “Kështu, kështu, kështu,” tha, “jom ardhë,” tha...
Porsa e nisi, tha, “Po të kërkon ushtria jugosllave,” tha, “e dita që je njeri i mirë!” Pa më njoftë mu kurrë. Tha, “U tuta që...” Thashë, “Pse nuk i ke paraqitë në polici?” Tha, “Nuk e paraqitëm se nuk e ditëm ti a je këtu i rregullum me letra a jo e nëse je ilegal të del problem”. Unë iu kallxova se e kisha marrë lejeqëndrimin, tani ata menjiherë e njoftun policinë e i burgosën dhe Gjykata e Stambollit i dënoi me nga katër vite e gjashtë muaj burg. Kështu që Shukri Demiri më pshtoi prej vrasjes, kurse Jusuf Gërvallën e vranë... Unë pshtova edhe qëndrova afër pesë vjet në Turqi, u morrëm me aktivitete të organizatës kryesisht, shpërndamë materiale...
Atëhere në vitin 1984, u pa e arsyeshme... Se shokët në Gjermani, dega që vepronte në Evropë, e ndiente mungesën e Jusufit shumë dhe kërkuen që une me kalu në Evropë. U rregullua pasaporta atje, unë vet kalova në Evropë, kurse gruja me fëmijë u kthyen në Kosovë, mos m’i lanë fëmijët rrugëve...
Aty porsa jom dalë në Zvicër, se dy muaj kam qëndru mas dy muajve atëhere kalova në Gjermani, me ndihmën e shokëve gjithmonë se tetë kufij i kom kalu në këmbë, ilegalisht... Atëhere mirreshim me aktivitet dhe prej atyhit e pashë të arsyeshme me u vendosë në Stokholm, në Suedi. Porsa jom shku në Suedi i kam marrë letrat, mas pesë muajve menihere e kam çelë dyqanin, për me sigurue mbijetesën, me sigurue jetën, mos me kanë i varur nga askush, edhe jemi marrë me aktivitet të vazhdueshëm me protesta, demonstrata...
Dikur minatorët kur hinën, u mbyllën në zgafellat... Ata u mbyllën atje, unë u organizova, 75 vetë kemi qenë në grevë urie dhetë ditë!
Deri sa kanë dalë nga zgafella, na s’jena dalë, jemi solidarizu me ta! Kështu aktivitetet nuk i kemi ndalë kurrë deri erdh puna e luftës.
Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.


