Rrëfimi i Pajazit Jasharit: “A përmbyset a fillon nji rrugë e re nuk e di...” - NACIONALE

Rrëfimi i Pajazit Jasharit: “A përmbyset a fillon nji rrugë e re nuk e di...”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pajazit Jashari u pa sy më sy me vdekjen, kur pa e zotëruar notin dhe me përgatitje të dobët fizike, vendosi të ikë nga ishulli i Goli Otokut. Në fjalët e tij, ai nuk kishte për qëllim të ikte nga burgu për të shpëtuar vetveten, por për t’iu bashkuar rezistencës kombëtare në Kosovë. E gjithë koha në burg për Pajazitin ishte kohë nga e cila ishte i vendosur të përfitonte sa më shumë për t’u vetëdijësuar dhe artikuluar më shumë për çështjen kombëtare, prandaj ai u përqendrua shumë në lexime dhe për të, burgu ishte akademi. Angazhimi i tij politik u sfidua skajshmërisht disa herë. Jo një herë e kishte konsideruar vetëvrasjen për shkak të frikës se nuk do t’iu bënte ballë torturave të cilat për qëllim kishin zbulimin e emrave të pjesëtarëve të tjerë të lëvizjes. Pajazit Jashari nuk mund ta imagjinonte se ndonjëherë do të jetonte i lirë, por ishte i bindur që rezistencën do ta vazhdonte pa marrë parasysh çmimin që do të paguante.

Unë jom i lindun në Malësinë e Llapit. Në moshën pesë vjeçare sigurisht i detyruem nga kushtet ekonomike baba është punësu si polic. Kur është punësu si polic ne jemi dalë në Rahovec, në atë kohë unë i kom pasë pesë vjet.

Kemi fillu shkollimin atje, kemi kalu shumë mirë po megjithatë si djalë i policit në atë kohë njeri është përceptu si njeri i pushtetit edhe e kom vërejtë çdoherë që nxanësat ose ma kanë pasë frikën se, “Është biri i policit...” Me kallxu të drejtën, nuk jom nie shumë rehat pse kam qenë djali i policit, se vetë tjerët të bojshin mos me u ni rehat tu të marrë pak me lajka e qështu, ka qenë nji pengesë për mu pse baba ka punu si polic.

Bile ndër tjera nihere më pat’ thanë, “Biro, kur te kryjsh shkollën, fillo pastaj për polic!” Edhe unë pa dashje e bana nji llapsuz shumë të madh, i thashë, “Ma përpara bahna qen se polic!” Se isha i irritum prej fëmijërisë, e më shpëtoi ajo... E kujtoj kur i kom pasë 13-14 vjet nji rrugë me babën diçka edhe ai jo me naj far qëllimi që ka dashtë mu me më orientu politikisht ose diçka, e rroku bisedën për Republikën e Kosovës se qysh ka mujtë, qysh kanë kërku... u ba njifarë debati mes komunistave diçka e ndër tjera hapet biseda edhe për Adem Demaçin edhe po tregon, “Adem Demaçi...” Për herë të parë e niva emrin Adem Demaçi... Thashë “Kush është ky babë?” Tha, “Ai është në burg, kështu, kështu, kështu...”

Prej atyhit domethanë e di që fillon diçka, përmbyset te unë shumëçka, a përmbyset a fillon nji rrugë e re a nuk e di po filloi diçka me ndërru. 32 Si të ri as që e kemi ditë na çka e qysh është të veprumit politikisht, ideal e kishim Shqipërinë, Enver Hoxhën dhe çka ishte mundësia si fëmijë me shkru kangë të Enver Hoxhës e me i ngjitë nëpër mure të shkollës. Mirëpo kadal-dale edhe faktikisht në atë kohë filloi me lëvizë rinia shqiptare. Filloi gjithkun sikur të shpërndahet nji aromë lulesh që i përfshinë krejt, filloi edhe te na me u ndje kjo përnihere te rinia.

Unë kam mendu që jom vetëm me nji kushëri që shtypshim diçka me nji makinë të shkrimit e shprëndajshim... nji-dy, nji-dy edhe filloi u njoftumë me shokë edhe u bomë nji grup ilegal a s’e kishim idenë qysh organizohet grupi, krejt u mbledhëm nja 30 vetë majtëm mbledhje e themeluem grupin ilegal “Shaban Shala”. Pastaj morëm këshilla se qysh veprohet me ilegale e me këto, qashtu erdhëm deri... I kemi ba disa aktivitete e ish puna kur shpërthyen demonstratat në Prishtinë, u rrahën studentat, nuk e dijshim a do t’ia dalim me e ba demonstratën po së paku thamë, “Ta bajmë në shenjë solidariteti me studentat, me vëllezërit tanë që janë maltretu, janë rrehë e janë përgjakë në Prishtinë, hajde të bojkotojmi mësimin.”

Vendosëm grupi, murëm e shpërndamë afishet, thirrjet për grevë e me e bojkotu mësimin. Policia natyrisht... unë dola, u ekspozova shumë se shpërndarja e trakteve sipas planit na dështoi, kështu që dola edhe ja u jepsha secilit nxanës traktet në dorë edhe tu ju thanë, “Dilni!” Atë natë, baba hala ishte polic, nga Rahoveci ishim shprëngulë ma, tash po flas për kohën në Podujevë se në Rahovec na ra me nejtë dikun pesë vjet.

Edhe po vjen nji UDB-ash, i thotë babës, “Djalin duhet me ta marrë në burg”. “OK!” Vjen baba, “Çka ke ba?” Thashë “S’kom ba kurgjo!” Nana ka qenë e informune çdohere për veprimtarinë, na ka përkrahë edhe na ka mbrojtë edhe ka fshehë material. Edhe diçka! Nji herë më pat’ thanë, “Djali jem, je shumë i ri ti me hi në këto punë! Mundesh me na koritë, kur të shkojsh në burg me i kallxu shoktë...” Ditën kur erdhën ata, “Veshu biro trashë”, tha, “edhe maje në mend mos na korit me i tregu shoktë!” Thashë, “Hiç mos ki gajle nanë!” Shkova... si fëmijë kisha lexu literaturën e Sterjo Spasses për qëndrimet e qysh bahen ato... I inspirum pak edhe prej veprave me thanë të drejtën ai [hetuesi] erdh, unë s’po i çohna në kamë hiç! “Nuk po çohesh n’kambë a?” Më kapi edhe më torturun tanë natën për me i tregu shoktë...

Tre vetë na burgosën, praktikisht mu, Fehmi Berishën edhe Gjyle Krasniqin – vajzën e tezes. Gjylën e lëshojnë me idenë që me i pengu demonstratat se ka qenë aktiviste, ka qenë ma e dallume... Shkon, i njofton shoktë edhe shpërthejnë demonstratat.

Aty une kam qenë në burg, më kanë rrehë, më kanë torturu tanë natën 33 atë natë... Në mëngjes kur shpërthyen demonstratat po më vjen nji za, “Trepça! Trepça! Trepça! Trepça!” Isha në burg aty edhe me të thanë të drejtën koxha shumë u indinjova, u ndjeva shumë keq, thashë, “Trepça! Trepça! Derisa studentat vriten e bajnë demonstrata, këtu ndeshje futbolli”.

Zani herë vjen herë largohet, herë vjen herë largohet se ka qenë shkolla afër ku lujshin edhe basket po papritmas nji za krejt afër po e ndi te dritaret aty edhe çohna une në grila aty kur i shoh demonstratat... Ai ka qenë gëzimi ma i madh në jetë, a din m’u dokke... Dojsha m’i hangër hekrat veç me dalë, me u bashkangjitë me shokë. Kur janë kry demonstratat, më liruen qat’ natë, atëhere i kisha 16 vjet, kur isha në paraburgim në burgun e Podujevës.

Po flasim për demonstratat e vitit 1981 kur shpërthyen në Podujevë domethanë me 1 prill zgjasin... Dy ditë kom nejtë edhe më lëshun. Prej atyhit kem fillu me u sofistiku edhe ma shumë. Veç fillum me kuptu diçka rreth organizimeve. Jemi organizu prapë në ‘82-shin, kemi pasë për qëllim me e shënu nji vjetorin e demonstratave, me e shpërthye. U shpërnda njifarë lajmi diçka që, “Kush del në demonstratë, vritet!” Me thanë të drejtën unë me shokun tim e kemi pasë parasysh që kem me u vra, u përgatitëm me armë që nëse kërset me u hakmarrë... Kur dulëm, qyteti ish gjithkah i bllokum me autoblinda e policë. Ishte shumë vështirë me hi në qytet mirëpo ia dolëm me hi në mënyrë të dhunshme. Shpërthyen demonstratat, nuk ia dulëm me kanë shumë masovike...

Isha në ilegalitet, u burgosa pastaj u nxana prapë, kësaj here i majta dy vjet. Aty pata rastin me takue shumë shokë ma të pjekun që ishin në burg ma herët. I kom pasë 16-17 vjet kur rashë në burg, edhe torturat kanë qenë të pandërpreme. Këtu torturat kryesisht i kanë ba shqiptartë, ka qenë nji UDB-ash serb i cili është ekzekutu nga UÇK-ja, ai nji shuplakë ma ka dhanë, a ky shqiptari...Ky m’i ka prish veshtë, kam pasë gjakderdhje për vesh. Erdh nji moment i caktum kur fillova me dyshu në vete, “A do të mundem me ju ba ballë torturave apo jo?”

Atëherë vendosa me ba vetëvrasje, thashë vetëmeveti, “Si të shkoj në zyre [të hetuesisë] menjiherë me ba vetëvrasje për mos me i qitë shoktë”. Në momente të fundit i thom vetit, “Po kur du vetëvrasjen e boj, ma mirë po ju qëndroj torturave deri kur nuk muna, kur nuk muna ma, e boj vetëvrasjen!” Pata fat i kom përballu torturat edhe grupi ilegal mbet komplet i paprekun, shkova dy vjet, si i mitur nuk më takojke me i majtë dy vjet nëpër burgje hetuese, në fakt këta më majtën edhe pse në Lipjan ishte burgu për të mitun, këta thanë, “Jo ky është i papërmirësushëm! Ky duhet me e majtë burgun”. 34 Burgun e kom majtë në Prishtinë; në Gjilan; në Prizren; në Mitrovicë. M’i kanë ndrru shpesh burgjet se s’ju kemi shku bash për shtati atyne.

Dy vjet edhe dola! Prapë më murën në Gjilan... Para se me u kry brugu thanë, “Çka ke me ba në të ardhmen?” Thashë, “Kom me e vazhdu të njëjtën gja”. Qashtu ndodhi! Dola, e vazhdum aktivitetin, u organizum nëpër grupe... Tash ishim ma të sofistikum, bonëm grupe nëpër të gjitha komunat. Kemi shpërnda trakte nëpër njerëz për informimin për situatën, kem shkru parulla të ndryshme, diçka do armë për vetëmbrojtje i kemi sigurue, kemi siguru për shembull fotokopjues, në atë kohë fotokopjuesi ka qenë si me e pasë nji bombë atomike sot... Burgu për mu ka qenë shkollë, ka qenë Akademi! Ka qenë thjesht me u rekrutu edhe ma mirë, ja kom pa hajrin, i falënderona atij burgu se më ka shërbye shumë. Edhe i jemi rrekë prapë veprimtarisë...

Na kanë burgosë, kemi qenë me nji bazë ilegale ku e kem pasë fotokopjuesin, plani jem ish...Njerëzit u dënojshin për nji “Zëri i Kosovës,” për nji libër ose nji diçka që ju gjinke e unë ju thashë shokëve, “P’e fotokopjojmë ‘Zërin e Kosovës’ 300-400 kopje edhe po ja u shpërndajmë studentave”... Që edhe kur t’i gjen UDB-a, me e ditë që po praktikohet që literatura edhe pa dashje po të lihet ty në shpi që ti me mujtë me pasë nji mbështetje, me thanë, “Ma ka lanë në oborr dikush!” Atë natë na rrethuen atje në Arbëri. Diku nja shtatë orë kemi rezistue.

Ma prunën babën tu mendu si me babën tem do të munden me na kapë edhe pse e pata paralajmëru familjen, “Ruju se gaboni kush kur të vjen policia me ardhë nëse më rrethojnë dikun, se ju vras edhe juve se ideali, shoktë janë ma të mëdhaja!” E kishin pru babën edhe po dojnë me u rrasë me babën aty në bazë te na, e kom kapë me revole e kom thye xhamën, thashë, “Çka të kom thanë babë?” Kur e panë ata si s’është ajo punë u tërhiqën po edhe ne s’kishim çka me ba, filluem me këndue.. këndo, këndo, këndo... E thirrsha nji polic, “Po dorëzohem, po dorëzohem!” E kisha nji bombë, aty kom dashtë edhe me ba vetëvrasje se kom dashtë me e ndërpre këtë procesin që me ma lanë fajin mu edhe mos me u zbulu grupi... “OK! Hajde po dalim me grushta lart...” Jemi dalë me grushta lart, e kom kapë bombën me veti, shoktë kanë qenë ma mrapa thashë, “Kur të vijnë policia e aktivizoj me gjithë ta bombën”.

Ka dalë ai polici me automat, e ka mushë... Në fakt aty ish legjitime edhe vrasja nëse mujshin ata me më vra, isha me bombë në dorë, s’ke çka bon... E ka mushë automatikun më ka dalë përballë... Në momentin e fundit, domethanë çështje sekondi është kanë, “Ma, se e ka babën këtu!” Falë qatij sekondi sot jom gjallë! Kur e pa ashtu, tha, “Gjuje bombën!” Edhe e kom gjujtë bombën... 35 Pastaj torturat të pandërpreme, mirëpo prej meje s’kanë mujtë as nji, “Ouuu” as “Iuuu” me ni! Edhe emrin me ma vetë, s’ja u kom tregu emrin.

Në pamundësi me nxjerrë naj fjalë, ata m’i kanë ndërru UDBashët, kanë ardhë disa tjerë. Këta pastaj nuk kanë përdor dhunë edhe qashtu grupi ilegal i Podujevës met i paprekun. Neve na majtën në burgje hetuese... Erdhën me automatika na ngarkuen nëpër autobusë si kope edhe na shpërndanë nja 800 kilometra larg ose edhe 1000 me Kroacinë. Na çunë në Zagreb, në burg hetues e prej Zagrebit na shpërndanë pastaj në Lepogllavë, Gospiq, Gradishkë e Goli Otok.

Ne e patëm fatin, fatin në thojëza kuptohet... Fat! Po çfarë fati, e patëm fatkeqësinë edhe na çunë në Goli Otok. Para Goli Otokut kemi qenë nëpër burgje këtu edhe prej Prishtinës më çuen në Prizeren. Atje i rrehshin njerëzit lidhje-palidhje, pa kurgjo hiç. Erdhën me automatika na rrethuen edhe na futën në autobus për Serbi e drejt në Kroaci. E banë atë shprëndarjen, na çunë në Goli Otok, prej këtij grupi isha vetë i pesti, që shkumë në Goli Otok me nji furgon... Aty marramendje nëpër kthesa, nji shok gati vdiq prej vjelljeve.

Shkumë në Goli Otok, na futën në karantinë... Policë, gardienë ka dy metra! Secili ma i madh se tjetri! Nuk shkoi gatë, erdh deri te konflikti aty, më rrehën goxha mirë... Se e sulmuen nji shok, deshtën me i ra e unë dola i theva dyert e koridorit aty edhe e mora atë shokun e tërhoqa mbrapa. Erdhën nji autobus policë, pastaj fillun torturat...

Më majshin në izolim. Kom qenë vetë në dhomë po e mira ka qenë që librat s’i kom pasë të ndalume, ata mendojshin që kjo ëshë keq po për mu praktikisht ajo ka qenë kënaqësia ma e madhe. Prej mëngjesit sa herë ka ardhë gardieni deri ma ka fikë dritën mu më ka gjetë tuj lexu edhe për shkak të koncentrimit nuk kam mujtë asnjiherë m’u shtri në shtrat po jom ulë, e kom marrë batanijen e kom sillë e kom ba si fustan a qysh me thanë, e kom lidhë me rryp edhe ulën, çdoherë më ka gjetë ulën.

Katër-pesë muj veç isha vetëm kur erdh nji gardien më thotë, “Jashari...” edhe pak si me keqardhje, njeriu është njeri sado që të jetë edhe polic edhe serb nuk ka rëndësi njerëzit janë njerëz, unë nuk kam najfarë urrejtje për njerëz... Edhe ai që ishte në pozicion të gardienit, me njifarë keqardhje, thashë, “Sigurisht! Është njeri edhe po i dhimbem!” Ai po thotë, “A e ke monotoni me qenë vet në dhomë?” Edhe unë në moment i thashë, “Shumë mirë!” Po më përgjigjet... se e hangra provokimin se m’u dok mirësjelle e tinaj, kur e pashë, ma ktheu menjiherë e tha, “Jo, jo,” tha, “nuk mundet dhoma me kanë vetëm me ty!” Se e panë që diçka nuk... Kur e pashë që po dojnë me 36 ma pru dikon...

Se bishin kriminela që kanë vra gruen, e kanë vra fëmijnë e kanë vra tjetrin e tjetrin.. Ka qenë diçka shumë e vështirë se unë ma shumë kisha nevojë me lexu. Unë i kam dhanë detyrë vetit që kur të dal prej burgut duhet me qenë i përgatitun për me vazhdu prapë rrugën. Nuk kam mendu, “Po e maj burgun e qaq!” Kom lexu vazhdimisht thjesht me e përgatitë vetën edhe ma shumë për të ardhmen se as që e kom mendu vetën që unë do të jetoj ma si njeri civil e i lirë. Ju thashë, “Edhe ma mirë nëse ma bini dikon në dhomë,” thashë, “se kom me kon me folë!” Ja ktheva përnihere... Pas dhetë muj dite diku nja tetë muj më doket, vjen televizioni i Beogradit me marrë intervistë me të burgosurit politikë.

Ka qenë Fadil Vata i ndjeri, ka qenë nji aktivist, nji djalë i mrekullueshëm, ai ka qenë në dalje të burgut, unë kom qenë në hyrje të burgut. Edhe tash i lidhë televizori edhe gazetat, mediat thojnë, “Ja të rinjtë shqiptarë, njëri posa ka hy në burg edhe tjetri po del nga burgu dhe ja qëndrimet e tyne”. Fadil Vata domethanë është tuj dalë prej burgut edhe i mbanë qëndrimet e njëjta gjithmonë, ka qenë i pathyeshëm ai djalë! M’u dha nji rast pavarësisht çmimit se çka do ta pësoj unë mas intervistës, e shfrytëzova rastin me i përcjellë mesazhet te populli im.

Qëndrimet e mia i kam mbrojtë, “A pendohesh?” “S’pendohna! Përkundrazi unë këtu jom duke u shkolluar, ky vend është rekrutim, do ta vazhdoj të njëjtën gja!” Se tha ndër të tjera, “Kur e kryen burgun, ti çka do të bëjsh?” Edhe mu m’u lidh, thashë, “Deri atëherë unë besoj që Kosova ka me qenë e lirë! Përndryshe,” thashë, “do ta vazhdoj veprimtarinë e njëjtë!” E dhashë intervistën, pastaj Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Zoran Sokoloviqi në mbledhje federative e ka përmendë këtë problem, “Qysh është e mundun me ju mundësue nji të riu shqiptar me ju dërgu porosi popullit të vet?”

Mas dhetë muj ditësh e ma tepër mu ma çelën derën me shkue, i thojshin zhica atje ku kanë qenë të burgosunit tjerë, ku kanë punue e janë kanë pak ma të lirë sigurisht, se mas orarit të punës ke qenë në oborr e me tjerë. Më çunë atje, por në izolim unë isha me nji të burgosun politik kroat, i cili ishte i dënum 14 vjet për terrorizëm.

Ne patëm fillue prej izolimit me e ba planin me ikë, që ish edhe ma vështirë me ikë prej izolimit... Po na qitën anej edhe mundësia ishte ma e madhe, pak ma komode edhe filluem menjiherë planin e ikjes. Kur bisedojshim, “Dathi këpuctë” thojke, ”Pajazit nuk e din ti munem me i pasë mikrofonat! Dathi këpucat kur bisedojmë për planin!” Edhe në të vërtetë i dathshim këpucat kur folshim rreth ikjes.

Fillum rreth organizimit aty, ka qenë e rrethume nëpër okolla me dreq e bir... E kanë qenë t’njoftum edhe shokët aty për ikjen time. 37 Qëllimi im i ikjes, kanë qenë edhe ata dëshmitarë, nuk ka qenë unë me shpëtu nga burgu, unë e kam rreziku jetën me ju bashkangjitë grupit prapë, me ardhë në Llap me vazhdu veprimtarinë.

Domethanë krejt ajo mu më çojke peshë me ikë prej burgut me ardhë me ju bashkangjitë veprimtarisë por jo për me ikë. E kisha nji bindje të madhe, not nuk kom ditë, nji not sharlatan, nji kurgjo hiç... Shoktë më mësojshin, thojshin, “Maj këmbët përpjetë, maj teposhtë!” 100 metra s’kom mujtë në gjendje normale me notu. Ky kroati ushtrojke tanë kohën, me vrap e me këto... Thojke, “Pajazit, çka po bon?” Unë cigare edhe kafe... Kroati më thojke, “Ti po bon vetëvrasje!” I thojsha, “Unë kom me e hangër detin!” Kam qenë shumë i bindum që une kom me ‘hangër detin pavarësisht që s’kom ditë not, pavarësisht që s’kom pasë kondicion, kom pasë bindje të fortë, se e kom ditë për çka p’e boj!

Sa herë ne kemi ecë nëpër Goli Otok... Kjo le të jetë si porosi për të gjithë të rinjtë se çka don me thanë me besu në vetëvete, të gjitha i bën njeriu kur beson, jo kur dëshiron, dëshirat janë gja tjetër, po kur beson fort! Çdoherë kur kom kalu unë aty e kom pa... ka qenë deti edhe mali po unë asnjëhere veten nuk e kom pa tuj notu në deti po e kom pa në male. Çdoherë kom besu...

Të gjithë më kanë thanë, “Ti po bon vetëvrasje, vetëvrasje! Kjo është vetëvrasje!” I kemi hi planit, i kemi pre grilat, nji shok na i bike sharrat....Nji minutë! Kaq kishe kohë me pre, hypsha në grila, ai ma bojke me dorë kur vijshin të burgosunit prej kuzhinës...

Shkojshim në drekë edhe u tërhiqshim prej rendit, “Nuk po dojmë me hangër!” Ata që nuk hajshin ishin të lirë e ne sa herë shkojshim atje, “Nuk po dojmë me hangër!” Edhe drejt u ngjitshim te objekti, i ka pasë nja 50 metra, une drejt te sharra edhe ky kroati në dritare, sa nji minutë, sa menjiherë sepse nuk ishim veç na që s’dojshim me hangër, aty ishin me qindra të burgosun, tash e pajshe kur vike dikush, ai bojke me dorë që u krye, hypsha në kat të dytë... me sharrë.

Zgjati goxha shumë po, kur mrrim gati thuajse kah fundi i grilës ku prenim ne, është kanë nji dhomë e romëve në qoshe e ata në qat’ kohë ishin në repart të punës, ndërkohë që na prejshim në dhomën tonë që i bike mrapa objektit... Për çudi, të njëjtën gja ish kanë tu e ba nji kriminel kroat, i prejke grilat me ikë, na në këtë dritare, ai në tjetrën. E vëren nji shok atë tuj pre edhe vjen mu më thotë, “Bojk, është edhe nji kroat tuj i pre grilat!” Thashë, “Çka?!” Thotë, “Edhe nji kroat është tuj i pre grilat me ikë...” Kur shkoj une në dhomë edhe e gjej ku i ka pre ai, atij nuk i kish metë edhe nji milimetër, krejt pak, edhe dy herë me i ra e u prejke grila, a na nuk kishim mrri as në gjysë të 38 grilës...

Po i thom këtij kroatit, “Na duhet me ikë,” thashë, “qështu është puna”. Tha, “Po ikim nëpër vend të tij”. Thashë, “Jo, jo, po e marrim ata, jo në përgjegësi tonë, po po e marrim.” Thotë [kroati, i burgosuri tjetër], “Unë jom vetë i dheti qi kom me ikë”. Thashë, “Ti munesh me kanë edhe vetë i 100-ti,” thashë, “po ti ki me ikë bashkë me neve se na në filan ditën kem me ikë”. Qat’ natë qi dojmë me ikë, nji gardien shqiptar... edhe gardientë shqiptarë atje tanë kohën kanë qenë shumë të keqtrajtum, nuk janë kqyrë si gardienë po taman si shqiptarë. Edhe unë po i thom këtij, thashë, “Jo, në këtë natë nuk munëm me ikë!”

Tha, “Pse?” Thashë, “Se është shqiptari në ndërrim, në roje”. Ai, “A je i çmendun ti, çka ki?” Edhe e kemi shty nji natë mrapa, kur e kemi shty nji natë... Ditën tjetër u dashke me hi në objekt edhe kah u kthejshim në objekt ka qenë aty edhe televizori, u mushke plot [salla].

Derisa u ba numërimi, hinën krejt të burgosunit. Tash dhoma [prej së cilës kishim me ikë] nuk ish e jona, ish dhomë e romëve... Qysh me hi tash, pa u diktu ish e pamundun! E marr unë këtë kroatin, këtë kriminelin ia ngjes krahin edhe po flas me ta. Nuk dijshe çfarë loje me lujtë, as me e kërcënue, as shoqni...

U munjosha diqysh me ba njifarë të përzime krejt ka pak që mos me u diktue ka po hijmë në dhomë. Pres nja dhetë minuta kur vjen ai kroati thotë, “Çka po bon?” Thashë, “Po ikim!” Thotë, “Zoti të vraftë! Po krejt korridori na panë” Thashë, “Nuk e kanë vëmendjen aty po le atë punë!”. Besojshim... Ku e di tjetri që ti je tuj ikë a? Ai të ka pa tuj hi në dhomë edhe ka vazhdu diçka tjetër, nuk është kanë tuj të përcjellë. Veç e kom kapë grilën se u krye ma ajo edhe e kom dredhë se këta dy u tutshin me ikë, e kur u dredhu grila, ma plani dështoi, “O ik! O le!” S’kish ma shancë të dytë.

Jom hypë edhe jemi ngjitë mbi kulmin e ndërtesës edhe po lëshohemi për rrufepritës, me ra poshtë... Përmes qasaj na zbritëm poshtë. Unë ka zbres poshtë po e zgjati kokën, tash na bike me ra përballë ndërtesës. Në ballë të ndërtesës ishin dritaret e ngushta të korridorit, nër dritare gjashtë veta bisedonin mes vete, tre të mbështetun edhe tre që bishin ballë për ballë me neve.

Aty ke goxha siklet po unë nuk po ju tregoj atyne hiç që i kemi njerztë përballë, që mos me i kapë panika, se ata qaq u humbën nuk i pajshin përballë... Kemi ikë... Unë gjatë ditës e fsheha nji thikë t’madhe në kinema. Kinemaja ka qenë mbrapa objektit, kinemaja e vjetër po ka qenë edhe kamera [projektori] qi e lëshojke, po kamera ka qenë...

M’u ngjitë me shkallë të hekurit deri te kamera... Gjatë ditës, s’e kisha mendu une terrin hiç, jom hi komod aty edhe jom ngjitë nalt ku është kanë kamera i kom futë... I kom pasë nji palë brekushe të gjata të sportit, nji thikë të madhe edhe i kisha atletet, i shtina 39 në kamerë. Po tash na kur dulem ish terr...

Njeri në aso momente i mendon tradhtitë, i mendon të gjitha. Kisha frikë edhe ky po më tradhton! Ky po më thotë, “Çka po pret?” Kisha frikë që po më nxehet trupi prej automatit. Edhe më erdh goxha vështirë me i thanë, “Eja edhe ti!” Kur e kom çelë kapakin e kamerës, puna e parë ka qenë e kom kapë thikën edhe aty ma nuk kom dashtë me ni, e kom ditë që kudo që të kërset automati e mrri me thikë se ish thika goxha e fortë e madhe. I murrëm teshat, ecëm nja nji gjysëm ore, kanë qenë do bunkera aty, i kalum, u lëshum në deti.

Rrypin ku e kisha thikën e ngjita në brez, kur u lëshova në ujë, barku iku edhe më ra thika... Fillum notin, unë jam kanë notues i dobtë, ata dy më patën thanë, “Ti le që po bën vetëvrasje po edhe neve po na merr në qafë!” Ju thashë, “Jo mu mos më pritni, takohemi atje përtej. Atje u dokshin dritat. Ata fillun notin, unë notin mas tyne. Pata ngërçe s’di sa here, po e pata marrë nji këshillë nga vëllau që, “Nëse ke ngërç në deti, kurrë nuk duhet panikë! Edhe gishtin e madh duhet me e lëvizë, nëse këmba e djathtë ka ngërç, gishtin e madh pa panikë e lëvizë edhe lëshohet!”

Çdo herë e përcjellsha bjeshkën, të dy anët i kisha bjeshka, Goli Otokun në njonën anë edhe bjeshkën knej. E vetmja mundësi që me mujtë me ditë ku je përafërsisht ish në bazë të konturave. Kur ish Goli Otoku shumë i qartë edhe knej ishte mjegull e s’ja shihshe as konturat bjeshkës, e dishe që s’je afër. Kur vishe kah mesi, e dishe që po shkojnë dyjat tuj u turbullue edhe kur filloi mali i Velebit me m’u vizatu mirë, e dita që shkumë...

Ka qenë rreth gjashtë kilometra not, plus ti nuk munesh me notu drejt se është aty kanali i rrymimeve, Kanali i Velebitit... Ditën kur kemi ikë kom pasë me shku në punë edhe e mar unë letrën prej mjekut kinse jom i smutë e nuk muna me shku në punë. Tash, nji djalë aty, s’ka qenë i burgosun politik po kështu edhe po i thom, “Në punë s’muna me ardhë se jom smutë sot, po kur të vish, bijmi do fiqa”.

S’isha në rend të fiqave, po e kisha që mos me ditë ai. Tash kur vjen ky djali i bjen fiqat edhe fillon me më lypë mu nëpër repart aty, “Ku Pajaziti, ku Pajaziti?” Ata shoktë që e kanë ditë, tuj i thanë, “Le more se qaty!” Ai prej atyhit shkon te gardientë edhe thotë, “Ku e keni çue Pajazitin, në izolim prapë, a?” Ata i thojnë, “Ec more hiçmu qafe se qaty është se nuk e kemi çue në izolim” Ai ngulë kambë, “E keni çu në izolim!” Këta e dhezin dritën për me ba numërimin edhe alarmohet grupi. Çfarë koinçidence, ai për fiq, tu dashtë me më ba mu mirë, me m’i pru fiqat edhe me më mbrojtë tash që ka menu që më kanë çu në izolim.

Alarmohet burgu...kur e bajnë numërimin, ju dalin tre vetë mangi edhe lëshohen... E kanë pasë barkën kështu taman me thika, ajo të ka copëtue... 40 Unë mrrina gati... I kom pasë edhe 100 metra deri te bregu edhe e kthej kokën edhe nji herë me e pa Goli Otokun, në atë moment e shoh nji dritë, e shoh reflektorin e policisë edhe aty thashë, “Aaa kjo është drita e fundit e jetës sime që po e shoh!”

Edhe kam fillu me u tutë edhe me u dridhë. I kom thanë vetit, “Ti e ke ditë që me vdekë është kjo punë!” E kom qetësu vetën në atë moment, trak kom nejtë në shpinë e vdekjen e pritsha... Hini motorskafi i tyne 50 metra larg meje edhe bregun e kontrollojke, une kokën e futa në ujë edhe veç rrisha, pritsha.

Ato trokëllimet e motorit i kam përjetu tamam si trokëllima të vdekjes, “Po vi, po vi me të marrë! Po vi me të marrë!” Qashtu m’u dokke kjo. E rujta qetësinë tuj e pritë vdekjen edhe... Nuk ka vdekje të randë dikush që thotë varësisht prej njeriut qysh është përgatitë ama vdekja nuk është edhe kumeditë sa tragjike qysh e marrin njerëzit.

Unë kam qenë qaq i përgatitun me më ardhë me më therrë me thika kadal-dale, krejt me më mytë pesë pare s’i kisha dhanë. Kur përgatitet njeri për diçka, nuk ka dhimbje as fizike e as shpirtnore, as për jetën. Rrugëtimin që e kom ba çdohere i kom thanë motrës sime... Se motra ime lujke në teatër edhe e ka pasë rolin e motrës së Ganimete Tërbeshit edhe i gjuhet në trup thotë. “Abedin he vëlla të paskan prishur thikat e katilit!” Mu më thojke motra, “Qysh me realizu rolin mirë?” I thojsha, “Veç paramendoje që unë jom Abedini kur të dalësh aty!”

Kah kalojsha aty çdoherë thojsha vetëmeveti, “Jo motër, s’ki me m’i lagë faqet me lotë! Lotët e tu s’kanë me i prekë faqet!” Ika atje, dola, i morra këpucat, ato na u kishin përzi me të kroatit, ma të vogla, m’u copëtuen kamtë në gjak se e thepisun bjeshka... I mathi ato edhe drejt bjeshkës, dojsha me përcjellë rrugën me ardhë kah Mali i Zi në kamë! Me nji fjalë mu më ka ra me udhëtu 21 orë, me not edhe këtu tu ecë pa nalë kurrë! Gjashtë thonj të kambëve më kanë ra mu e për nji javë ditë u kalbën... Tre të (këmbës) majtës, tre të djathtës.

S’jom nalë asnjiherë, kom thanë, “Edhe këtë bjeshkë, edhe këtë bjeshkë, edhe këtë bjeshkë, edhe këtë bjeshkë!” Deri sa më kanë shterru fuqitë tana. Kur më kanë shterru fuqitë... Nji herë aq më murr etja e nuk kishe çka me pi ose me hangër besoni kom fillu me e mar dushkun e ahut kom dëgju që hahet... Ai në këtë kohë nuk hahet po dikun kur fillon me gjelbërue, “Mule se kanë hangër të parët tonë dushk kur i ka rrokë kriza!”

Edhe ujë me pi, kur ka ra për shembull shi kom qitë dishka qështu me mledhë dy-tri pika me pi prej lisit... Kom pasë rast nji here i untë po shkoj p’e shoh nji arrë edhe u gëzova goxha shumë kur e pashë arrën, shkoj te muri edhe zgjati dorën me mledhë arra për me hangër, filloi qeni me lehë, m’u ngri 41 dora edhe e lashë arrën, vazhdova prapë me ecë, thashë, “Mos të boj zhurëm!” Ka pasë raste kur nëpër shkëmbinj ke pasë naj puçillë kështu diçka të vockël për me pi ujë edhe m’u lidhke kanga, “Kem pi ujë në gjurmë të kalit,” kur e ndëgjojsha, sinqerisht m’u ka dokë, “Si në gjurmë të kalit me pi ujë?” Kanga m’u ka dokë pak si romantizëm i teprum... e une e përjetova atë moment me pi ujë në gjurmë të kalit e të dreqit e të birit e ku mujsha me mledhë nji pikë ujë.

Kur filluen me m’u shterrue krejt fuqitë, thashë, “Mos po alivanosna në mal edhe ma nuk muj me ecë edhe mes!” Domethanë i bjen mas 21 ore jom nalë te nji shpi e kom pa nji plakë edhe nji plak kroatë. Aty kam qenë totalisht i përgjakun se ka pasë rast që është dashtë me kalue nëpërmes gjembave e krejt trupin e kom pasë të përgjakun... prej gjembave i grrithun, krejt në gjak! Edhe po zbres aty, po m’thotë ajo, “Çka ki djalo?” Thashë, “Po jemi alpinista qështu edhe patëm nji rast me ujqër e u shprëndamë e jom rrëzue...” Qështu po i rrej ata.. Thashë, “Po a kini ujë?” Ata ujë të bunarit... E nxjerrë kofën, pi ujë aty mirë, kështu njifarë mrekullie...

Po lakmova edhe me hangër, po iu thom, “A mos keni edhe diçka me hangër?” Thanë, “Po!” I kishin pasë do makarona të zimë... Kjo është nji odiseadë tepër e madhe... Kom vazhdue, kom marrë auto-stop kur jom lodhë... Po më thotë nji shofer, “Çka ki kështu?” Krejt i përgjakun, veç në brekë, veç ecsha... Më çoi në Zarë te nji shqiptar. Ai shqiptari i Tetovës, “Çka ki?” I thashë, “Probleme kam ba, qështu më ka ndodh në plazhë!” Tha, “A je ardhë me punu a me ba probleme?” Tha, “Nuk kom ku me të shti!” Ishin bashkallak, në të vërtetë s’kishin ku me më shti. Jom shku në oborr të kishës, në vorre edhe ja kom futë gjumë në bari.

Në mëngjes po shoh lëvizje të dyshimta pak aty edhe po i thom këtij djalit, i thashë, “Shiko ti vllaçko une nuk jom ai njeri që rrehem, e ke nji rast shumë të mirë me fitue diçka se unë kom ikë prej burgut,” thashë, “Edhe mundesh edhe me më lajmëru ndaq!” I rashë pak në sedër... Tha, “Jo more çfarë të lajmërumi vëlla!” Edhe i ka nxjerrë nji milionë... Në atë kohë kanë qenë goxha pare nji milion dinarë...M’i ka dhanë edhe më ka thanë, “Zoti të ndihmoftë, ik prej këtuhit!” Jam kthy prej atjehit, kom marr nji auto-stop nji kamionetë, jemi nalë me pi kafe dikun, e lujsha rolin e civilit se ma dha ai edhe nji bluzë, tash isha pak ma njeri...

Ka vijmë prej Zare tash apet u dashke m’u kthy te vendi i ngjarjes, tuj mendu që unë i kom ikë vendit të ngjarjes, mu më bike apet me kalu nëpër qat’ krahinën prej ku kisha ikë, pa e ditë hiç, pa e njoftë gjeografinë... Edhe hina me atë shoferin, po pijmë diçka, kur dalim po e shoh po ia merr regjistrimin polici edhe ky po e përshendetë, “Bok!” Ai s’ia ktheu përshëndetjen hiç edhe p’e shan ky tha, “Nanën 42 kështu-kshtu ja bafsha, nuk më përshendeti!” Unë e dita çka po bahet meniherë, mizën mas veshit... Ai ja mur tabelën, tash po na vjen makina qajo 101-shi na vijke mbrapa edhe nuk u shkoçke hiç, nuk tejkalojke. Ai ish Karllovci...

Mesa e di kazerma Karllovc u thirrke qyteti, e para se me hi në qytet na ka tejkalu neve edhe u dalë anej. Ky e nuhati diçka që nuk është në rregull po unë natyrisht veç e pritsha me na tejkalu ky e m’i thanë, “Nale!” Edhe me ja futë ku e pajsha vendin ma të përshtatshëm me ikë. Kur e nali ai vetë tha, “Unë deri qitu”. Thashë, “OK!” Edhe i kom hi nji misri edhe në misër sa kom mujtë me vrapu e jom ngjitë malit, nëpër mal... Aty e di që m’u kanë lëshue nëpër mal policia... Kom marrë e kom thy nji degë lajthie të madhe edhe ka kom ikë e tërhiqsha zvarrë për m’i hupë gjurmët edhe erën, degën e lajthisë me dushk...

Edhe deri sa më nxuni terri malit tuj ikë. Kur më nxan terri sikur me kanë kazerma e ushtrisë qitu edhe une në mal atje... Më nxani terri e ja futa gjumë. Mendja ime që jam i rrethumë, “Çohna në mëngjes, tash këta po më presin me më vra edhe i çoj durtë edhe them, ‘Po dorëzohna!’” Iksha... Ja nisa për mbrapa me ikë për mos me më ra plumbat shpinës po me më ra në gjoks, se plumbi i shpinës domethanë je kanë tuj ikë a din, a në gjoks s’je kanë tuj ikë edhe ata e llogaritsha edhe nëse më vrasin, me më ra plumat në gjoks. I tejkalova hypa atje në auto stop, kur hypi, nji kroat më kish ndjekë mu në atë intervistën në televizion edhe nja-dy edhe ma bojke, “A e ke pa nji të ri shqiptar çka ka ba? Çfarë interviste...

Ja u ka ba kështu, kështu...shumë e fortë!” Unë, “O burrë po nuk më intereson politika mu!” Ai, “Po jo jo veç po të tregoj,” thojke, “që nji shqiptar...” E tanë kohën më kqyrke mu. Kur shkojmë na po hijmë nëpër atë pjesën edhe rruga e bllokume prej policisë që e kishin blloku në tana antë... Ndalet aty edhe po thotë, “Policia!” Mu tash m’u mbush mendja që ky është UDB-ash edhe ky po lunë me mu! S’na nalën policia për fat hiç edhe vazhdumë, thashë, “Garant ky po më çon në ’Zagreb se ky UDB-ash, veç kur të ma shtin alltin!” Kur më pruni në Zagreb po më thotë, “Djalosh ku po don me të çue? Thashë, “More ti qëtu lëshom se mirë jam!” Tri herë më tha, “Kallxom ku po don me të çu?” Domethanë ai u vërtetu definitivisht që e ka ditë që unë jam ai.

Dola prej atyhit, shkova me nji banesë edhe aty apet ndodhi njifarë rrethimi! Në banesë te Faton Zeqiri na rrethojnë policia, hijnë aty, po ia dulëm edhe prej atyhit me ikë, i hypëm kerrit natën shkum në kufi edhe ai po më thotë, “Thuj që je i Shqipnisë se nuk të kthejnë...” Thashë, “Unë me thanë i Shqipnisë s’e kom njet kurrë, as s’e kom njet për atë punë...” “Kanë me të kthy!” Thashë, “Le të më kthejnë! 43 Edhe aty ishte nji fitore se e theva mitin e tyne, për zotin nuk çojke peshë fortë se unë ja u theva nji mit atyne, ish fitore për neve si shqiptarë, si të burgosur politikë...

Unë qashtu e trajtoj... Dulëm aty, ata italiantë, une veç, “I Kosovës,” thojsha, “jom. Shqipnisë hiç Shqipnisë, i Kosovës!” Më kthyen në kufi... erdha në burg prapë, i majta edhe nja 30 ditë grevë urie... Më kthyen italiantë, ata tash fillunë me më hapë hetime, “Hajde tash me na folë për grupin e Llapit”. Qato që s’ja u kisha pranu ktyne UDB-ashave në Prishtinë, tash fillun mu në Rijekë më lypshin llogari, “Hajde folna për grupin e Llapit kush u mbetë, përveç kësaj edhe nji grup brenda burgut që të ka ndihmu ty...”

Dojshin tash edhe shqiptartë brenda burgut me i ba grup që m’kanë ndihmu mu, me i dënu plus për Llap. Une pritojsha me i hi torturave edhe njiherë edhe e neglizhova pak punën... Taman m’i dhanë nantë ditë unë veç fillova grevën e urisë menjiherë, e nxana pretekst për m’u kthy n’Kosovë, s’ish qëllimi aty hiç se e disha që është gja që s’bahet po tash me iu thanë me m’i ndërpre hetimet kallxojke që diçka ki aty edhe e qita kusht për m’u kthy në Kosovë... 29-30 ditë kom ba grevë urie, kërkesa ime ka qenë m’u kthy në Kosovë, a qëllimi ish me ju ikë hetimeve! Tanaj prej atyhit më çunë në Gradishkë edhe aty pata fatin ma të madh, e takova Adem Demaçin, më ra aty me nejtë nja nji vit të burgut.

U organizue vrasja e Adem Demaçit edhe e të burgosunve tjerë politikë aty. Ishin kanë të përgatitun ata me thika, me sëpata e me krejt... Tash mu më dulë njani prej tyne njifarë psikopati përballë as s’ishe që e sulmon as që ikë... Edhe thashë, “Ky nesër duhet m’u likuidue!” Se e murren vesh që po organizojnë ata të parin Adem Demaçin me mytë e rend... Na i murrëm do preventiva, Fehmi Lladrovci u caktu për me e mbrojtë Adem Demaçin.

Edhe kur u ardhë kjo puna e kisha nji të burgosun politik, më duket i Vushtrrisë, i kish majtë nja tetë vjet burg, njeri familjar me fëmijë, e kish edhe nji vjet me majtë, normal ish burg politik, për demonstrata... Po i thom, “Baci Hilmi, largohu ti prej kësaj pune se edhe nji vjet e ki me shku në shpi, shko te fëmija...” Unë i kisha 11 vjet, nuk ish problem për mu me mytë ata... Thotë, “Jo! Kurrqysh! Veç une, veç une!” Ka qenë i ndjeri Afrim Shala aty e kanë qenë do shokë tjerë, po e shohim hesapin që ish puna shumë keq edhe më shohin që u ula aty edhe më thojnë, “Pajazit duhet me hi në dhomë”.

Se në ora tetë u mshelke dhoma, thashë, “Jo për zoten,” thashë, “kurrë!” E kisha marrë nji shufër të hekurit se s’kisha kurgja me veti... e kisha Aleksandër Moisiun tuj e lexu për teatër, e pata atë ditë atë libër... 44 Thotë, “Jo po!” Unë, “Jo, jo!” Thotë, “OK! Po rrina edhe na me ty!” Edhe i kom thanë vetit, “Po me ndodhë me ma mytë nji shok për kapriçe t’mijat, për këto farë hesapesh, qysh kam me u ndi une?” Edhe ju kom thanë, “OK, po vij në dhomë”. Të nesërmen vendosa për me mytë atë, qat’ kriminelin, ai Hilmi Muzaqi anej edhe e sulmojmë atë, e rrehim.

Na çojnë në qeli atje edhe thanë, “Keni dashtë me mytë!” Thashë, “Na kem pasë preventivë...se është organizu kjo vrasja...” UDB-ashi që ish prezent aty tha, “Është e vërtetë që ka qenë e organizume se janë dalë me thika, me sëpata... Mirëpo nuk e kemi organizu ne po e kanë organizu vet kriminelët”. “Po pse e organizun kriminelët, pse u dashtë m’u mytë Adem Demaçi i pari?” Tani mu kurrë s’më ka shku mendja... në fakt ishin kanë minatortë po s’e kom lidhë, më ka ikë... Kur janë kanë minatortë në zgafellë është mendu me mytë Adem Demaçin, me i vra të burgosunit politikë edhe këtu me dalë prej kontrollit gjithçka edhe me na hi këta spastrim. Shpëtum, mu ma rrasën nja nji muj ditë çeli...

Tmerri i tmerreve ka qenë Gradishka! Dikush thotë Goli Otoku... Jo! Jo! Ma tmerr se Gradishka ku ka nejtë Adem Demaçi 15 vjet në nji dhomë... Aty ka qenë tmerr, aty ka qenë ferr... Aty ka mujtë veç Adem Demaçi me përballu e me rujtë shëndetin. Është e vërtetë që burgu mbi pesë vjet nuk të len pa pasoja po është edhe nji e vërtetë shumë e madhe se ti çka e konsideron, a e konsideron burg a akademi? E na burgun e kemi konsideru akademi, jo burg.

Une kur i kom ba tri vjet - katër vjet burg jam ndalë në korridor i kom thanë vetes... E kom pasë detyrë i kom thanë vetit, mision, “Pajazit a ke mrri diçka me lexu? Me mësu diçka? Po shpejtë shkun katër vjet!” Kur jemi ardhë në Kosovë kemi fillu në vitet e ’90-ta... Është interesant, nji pjese të të burgosunve politikë na thojke Tuxhmani me ba kërkesë me na lëshu me kusht.

Me kusht i bjen me nji fjalë me pranue që unë kom gabue, nuk e përsëris ma veprën, pra është nji farë pendese... Na nuk ja pranum atë kusht atijna edhe gjashtë muj ditë na u shty burgu, që rrezikonim me na kthy në Serbi se na pritshim tash, na e kishum shancen me ba kërkesë e me dalë ose ishte tjetri rrezik që ty të pritke me të marrë Serbia, me thanë, “Ami mu knej!” Po na rrezikum! Kur erdhën familja, thanë, “Më doket po lun puna qështu!” Thashë, “Mund ndodhë që na çojnë në Serbi se s’jemi tuj e ba kërkesën me na lëshu me kusht...” Shumë e mundshme u kanë, veç pritshim me na çu në Serbi, se atje dojshin me hjekë prej republikës së vet, se s’dojke me majtë të burgosun politikë..

Po mirë u ba, nuk na çunë në Serbi. Mas gjashtë mujve 45 po vjen drejtori i burgut edhe po na mbledhë ne të burgosunit politikë aty edhe kroatë e krejt, tha, “Ju po shkoni në shpi!” Edhe po e kqyrim normal, “Ju po shkoni në shpi!” Kujtojke që s’pe nijmë, kur ka bërtitë, “Zoti ju vraftë! Po çfarë njerëzish jeni ju? Po a jeni tuj e ditë që po shkoni në shpi?” Po shkoj në shpi... Une e disha që prapë kam m’u kthy në burg për mu krejt njëjtë ish ajo punë, po edhe tjertë shokë aty, “Punë e madhe!”

*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme