Rrëfimi i Basri Ibrahimit: “Unë ma shumë muj me majtë burg se sa ju që mundeni me më dënu!” - NACIONALE

Rrëfimi i Basri Ibrahimit: “Unë ma shumë muj me majtë burg se sa ju që mundeni me më dënu!”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Basri Ibrahimi ëndërronte të bëhej futbollist. Ëndrra iu pre në gjysmë kur gjatë shërbimit ushtarak në vitet e ’80-ta u arrestua me qëllim risocializimin e tij dhe kthimin në rrugën e vëllaznim-bashkimit dhe socializmit të kohës. Basriu u dërgua në Goli Otok në vitin 1984 dhe u mbajt aty për dy vjet e gjysmë, për të vazhduar dënimin e tij në burgje të tjera të ish-Jugosllavisë. Futbollit nuk arriti t’i kthehej më, megjithatë pas daljes nga burgu, Ibrahimi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik në vitin 1994. Gjatë qëndrimit në burg, ai gjeti forcën tek solidariteti i shokëve të tij aktivistë të cilët iu gjendën në momentet më të vështira.

Unë quhem Basri Ibrahimi. Jam i lindur me 28 janar të vitit 1963 në fshatin Shupkovcë, komuna e Mitrovicës. Prej prindëve Sali dhe Alihanë Ibrahimi jam fëmiu i tetë prej 11 fëmijëve. Shkollën fillore e kom kry në fshatin e lindjes e shkollën e mesme e kom mbaru në Prishtinë. Kom vazhdu studimet juridike ne Fakultetin Juridik në kuadër të Universistetit të Prishtinës. I kam ndërprerë studimet në vitin e dytë, kam shku në shërbim ushtarak që është quajtë në atë kohë Shërbimi Ushtarak Jugosllav dhe aty jam burgosë dhe jam arrestu dhe jam dënu fillimisht me 11 vite pastaj në plotfuqishmërinë që ata e kanë vlerësu që ky burg edhe kaq burgu 11 vite do të jenë të mjaftueshme për risocializim në thojza si e kanë quajtë ata kishe unë do të kfillem dhe do të kthehem në rrugën e bashkim-vëllaznimit edhe socializmit të kohës.

Pastaj aty kam shku... pasi që jom dënu, më kanë dërgu në vuajtje të dënimit në Goli Otok nga shkurti i vitit 1984 deri në 30 dhjetor të vitit 1986, pas kësaj kohe pastaj jam transferu sipas arsyetimeve të tyre që gjoja se unë nuk jam i përshtatshëm, nuk po ri-socializohem dhe do të transferohem nëpër burgje tjera dhe fillimisht më kanë dërgu në Lepogllavë. 72 Pas nji greve që e kemi pasë na ish të burgosurit politikë në Lepogllavë, për shkak të kushteve të jetesës dhe në veçanti për shkak të mungesës së literaturës, na kanë dërgu në Gospiç ku kemi qëndru dikund rreth tre muaj përafërsisht edhe pas asaj kohe na kanë transferu prapë.

Disa i kanë kthy prapë në Lepogllavë, pjesën ma të madhe na kanë dërgu në Stara Gradishkë, prapë prej Stara Gradishkës, në shkurt të vitit 1990 më kanë transferu në Lepogllavë deri më 20 qershor të vitit 1990 kur jom liru nga burgu. Pasiqë jom liru, kom vazhdu studimet prapë dhe kam përfundu në vitin 1994 studimet në Fakultetin Juridik. Në Goli Otok kom shku në shkurt të vitit 1984.

Më kujtohet rrugëtimi... Prej burgit ushtarak na dërgun si lloj transferi në Petrinska u qujt Petrinska 12 nëse nuk e kom ngatërru. Dhe prej aty na kanë dërgu me këto kompanjollet që quhen të mbyllta dhe prej atje deri në Rijekë. Prej Zagrebit deri në Rijekë për nji ditë, aty na kanë lanë me bujtë një natë dhe prapë me ato kompanjollet na kanë dërgu deri në... ma vonë i kom mësu këto emërtime sepse fillimisht nuk i kom ditë... Deri në Rujevo, kështu është qujtë një vend bregdetar dhe prej atje pastaj me anije na kanë dërgu deri në Goli Otok.

S’kom pasë do të thotë idenë se ku po shkoj, veç ato përjetimet e para, çka po më pret, sepse ish krejtësisht diçka e pa njoftun. Natyrisht për burgjet gjithmonë flitet ashtu edhe kështu do të thotë gjithmonë ka gjithfarë fjale. Natyrisht për burgun kurrë mirë s’flitet, s’ka kush që flet për burgun mirë. Kemi pasë maltretime, natyrisht në moshë isha ende 20 vjeçar dhe natyrisht i kisha pak dilemat e mia se qysh do të gjindem. Kur kom arritë në Goli Otok, nji diçka që s’e kisha imagjinu realisht, sepse nga emërtimi Goli Otok i bijke ujëdhesë lakuriqe. Por aty ishin disa ndërtesa dhe prej aty deri në karantinë që quhet kemi shku në kambë. Natyrisht kanë dalë të burgosun që kanë punu sepse kanë qenë ato vendpunishtet që kanë ba punimet e metalit, pastaj ka qenë zdruthktaria, edhe ne kem kalu afër tyre, natyrisht kanë dalë të burgosun me na pyet, “A ka nji shqiptar?” Të burgosunit politikë shqiptarë kemi qenë shumë kompakt, dhe noshta nji prej arsyeve që ne posaçërisht në Goli Otok kem kalu relativisht, po thom relativisht mirë, ka qenë arsyeja themelore që ne kemi qenë shumë kompakt, kemi ndihmu njani-tjetrin shumë, kemi mbështetë njani-tjetrin shumë.

Unë kur kom shku aty, ka pasë dhjetra të burgosun politikë që nji farë mënyre ata kishin pasë nji përvojë edhe unë atyne u jam shumë mirënjohës. Sepse ato fillet e para si në çdo burg apo në gjithçka tjetër të ndihmojnë me i kalu shumë ma lehtë. Kur kemi shku në Goli Otok, në karantinë, kështu e kanë qujtë po realisht ajo ka qenë mbajtje nji mujore për adaptim në kushtet e burgut. Aty natyrisht kanë provu me na eduku, me na këshillu qysh duhet m’u sillë, çka duhet me ba, dhe bile një prej elementëve kryesore ka qenë që mos me u shoqëru me shqiptarë sepse ai kur të ndanë vetun ndikimin ta bon lehtë.

Aty po më thotë nji i burgosun që ishte, po më thotë, “Mos u merr me shqiptartë sepse ata janë problema ma mirë ti rri vetëm, mos u përzi sepse kalon ma lehtë, edhe mundet me t’u zvoglu burgu!” Ajo ishte nji porosi pi dikujt tjetër sepse ai si i burgosur natyrisht s’ka pasë çka me më këshillu mu. Po porosi prej tjerëve, na bonen edhe vlerësimin psikologjik, çfarë jem, tek jem e kështu me radhë. Edhe pastaj, në atë kohë sa kemi qëndru aty se aty as nuk kemi punu aty, kemi nejtë tanë kohen po thom dhe kemi qenë të izolum prej të tjerëve, edhe me këta përshtatjen me rrethanat e burgut, me na tregu se si janë do të thotë rendi shtepiak, sjellja, pasjoat që mujnë me qenë e kështu me radhë.

Në atë periudhë deri sa kemi qenë aty, natyrisht nuk ka qenë e lejume por që ju thashë për ish të burgosurit që ishin shku para nesh që edhe njëherë po përsëris që jam shumë falënderues për ta... Ata kohë pas kohe kanë ardhë deri te... se ajo ka qenë e rrethune me tela, dhe nuk është leju me dalë e me hy aty mirëpo shoktë tanë kanë ardhë kohë pas kohe, na kanë pyet për nevojat tona sepse e kanë ditë që kemi ardhë prej burgut hetues edhe mundemi me pasë mungesa qoftë nevoja higjenike, ose rroba ose diçka tjetër. Natyrisht edhe na kanë sjellë edhe ushqime, sepse vetëm ushqimi i burgut... Ata i kanë pas ka pak mundësi, jo kanë punu, jo kanë marrë pi vizitave. Pas atij qëndrimi nji-mujor, neve na kanë dërgu prapë në izolim sepse nuk na kanë leju drejtpërsëdrejti që të shkojmë në ato që i kanë qujtë pavilionet e rëndomta, po na kanë dërgu edhe nji kohë në izolim.

Njëkohësisht edhe kemi punu, paradite kem punu, pastaj pjesën tjetër kemi qenë në izolim, natyrisht për përshtatje të matutjeshme sepse ende s’ishim të gatshëm për me dalë me i gëzu qato privilegje të vogla ose qat’ status që e kanë pasë të burgosurit tjerë. Atje kom qëndru dikund deri ka maji - qershori i vitit 1984 dhe pastaj më kanë caktu me punu në zdruthëktari, natyrisht aty kishe me një farë kompensimi, po ajo ka qenë krejt banal, po thjesht detyrim për me punu. Pastaj prej dikund ka majiqershori na kanë sistemu në ato pavilionet e rregullta ku kanë qenë të burgosurit tjerë.

Çka me thanë për këtë pjesë të burgut? Kur i dëgjoj të tjerët edhe gjeneratat e tjera sa kanë vujtë, mu sinqerisht më doket që unë kom qenë në verime. Sepse ne kemi pas informatën se çka ka ndodh në Goli Otok që nga ‘48-a kur është themelu Goli Otoku, por edhe ma vonë pastaj, kur Goli Otoku është klasifiku si burg për të rritur të ri që do të thotë deri në moshën 23 vjeçare. Kur e di se çka kanë vujtë të tjertë, por edhe shqiptarë të tjerë nëpër burgjet e tjera, posaçërisht ata që kanë kalu hetimet në Kosovë, kanë qenë maltretime të tmerrshme e posaçërisht ata që kanë kalu Gospiqin e viteve ‘81 – ’82, ajo ka qenë tmerri i tmerrit, ferri në tokë... Krejt për ata po them, ne e kemi kalu relativisht lehtë. Burgu si burg është malltretim në vetvete sepse çdo njeri, vet kufizimi të bon m’u ndi i mangët. Prej Goli Otokut ke mujtë m’i pa me sy, që është qujtë Rab 1-shi, Rab 2-shi, ku kanë qenë ato ujëdhesat për verime, e ke pa vendin ku është, ku ata njerëz po kënaqen, po ti je këtu, edhe ti po e pret...Po i sheh... natyrisht, ky është maltretim në vetvete. Ballafaqimi i parë edhe jo i mirë që ka qenë kur është dashtë me kthy vizitën, mos me dalë në vizitë fare.

Atje ka pasë edhe gardianë shqiptarë, që ata kanë qenë të obligum për me nejtë në tavolinë për me dëgju çka po bahet. Ka qenë situata, nashta prej vizitave të para kur ata na kanë kërku me folë serbisht me familjartë dhe nuk kemi pranu me folë serbisht, kanë ardhë familjartë dhe jonë kthy mrapa pa u taku fare me ne. Natyrisht ne ishim aty, njeri prej mrenda e përjeton ata shumë ma ndryshe.

Aty ka qenë vllau i madhi, dhe tash ai është dashtë gjithë ato gjana ushqimore që m’i ka pru me i hudhë në bërllog që mos m’i kthy në shpi edhe mos m’i pa familja, posaçërisht nana sepse vëllau o’ mundu me qenë i kujdesshem që ato përjetimet e veta mos m’i përcellë n’ë familje, poasçërisht te prindtë e nana në veçanti. Do të thotë ajo ka qenë nashta ajo një ngjarje e veçantë që muj me e thanë për këtë, sepse dëshira e tyne ka qenë natyrisht me ba presione të ndryshme, “S’ka policë, s’ka gardianë shqiptarë, edhe ju tash detyroheni me folë serbisht,” që dikush prej gardianëve tjerë me na kuptu se çka po flasim, a mos po përcjellim naj porosi. Edhe nji situatë, neve si të burgosun politikë shqiptarë na kanë sulmu në fakt, ka qenë viti ’85 edhe ende e kom nji shejë qëtu në kokë.

Kemi qenë gjatë kohës së punës, është qujtë ajo zamra që i thojnë ose marende e kemi qujtë edhe kemi pasë ushqim të thatë për me hangër. Kur kemi shku qaty ku u thurshin ato karrikat, pleteraja i qujshin ata, kur kemi hy kanë qenë plotë të burgosun tjerë kroatë, serbë e boshnjakë edhe nja pesë-gjashtë-shtatë shqiptarë më doket kemi qenë. Vetëm njëni kur ka fillu me më sha mu personalisht, se në Goli Otok, për shkak të përgatitjes e këto në nji farë mënyre të tjerët më kanë shiqu, po e thom kushtimisht, si ni farë lideri. Në fakt nuk kom qenë lider, kom qenë krejt i barabartë me të tjerët por edhe ai më ka ngacmu mu për me na shti në fesat... edhe ka hypë mi tavolinë e më ka mshu qëtu në kry edhe pastaj ka fillu ajo rrahja masive mes të burgosnve tjerë dhe shqiptarëve.

Kjo ka qenë sigurisht e organizume prej administratës së burgut sepse ndryshe ata nuk kanë mujtë me na nda, nuk kanë mujt me dominu mbi ne, nuk ka mujtë me pasë asniherë asni bashkëpuntor. Kjo është nji prej elementeve ma të randësishme, ata të burgosun politikë që i kom taku edhe në Goli Otok, që kemi qenë krejt të ri, krejt kanë qenë 20 vjeçarë, 19-20-21 vjeçarë, asnji nuk kanë arritë me thy ose me e ba bashkëpunëtor, krejt kjo falë qatij uniteti që e kemi pasë mes shqiptarëve, të gjithë shqiptarëve, edhe ata që kanë qenë të dënum për vepra tjera i kemi majtë afër.

Po të burgosunit politikë kemi qenë ma të veçum, asniherë s’kanë mbrri ata me na da ose me na përça. Për shkak që ata s’kanë arritë asniherë me na dëmtu ose me na përça, atëherë kanë provu në formë të tillë edhe na kanë sulmu fizikisht do të thotë ata kanë qenë 50-60 të burgosun tjerë edhe kemi tejkalu. Po krahasum me ato çka kanë përjetu të tjerët, mu më doken... unë shumë herë e thom ne kemi qenë kopsht fëmijësh. Tash me ja nisë me përshkru ni konflikt të vogël që kemi pasë niher me nji gardian kur ai...

U kanë ni herë ni rast krejt i pakuptimtë pas ndërrimit të dytë të punës, u kthym në kuzhinë për me hangër darkën edhe unë po dal pi rrugës kështu, ishte kështu... për m’i marrë ushqimet, dilshe në sallë të ushqimit edhe unë u ktheva për kështu prapa, ka qenë qeshmja për ujë në fillim, dhe nji gardian po më thotë mu, “Jo! Dil kështu e dil për mbrapa!” Thashë, “Nuk dal!” “Jo, dil!” Thashë, “Nuk dal o njeri! Harroje ti këtë punë, qe qëtu po du me dalë, po du me dalë!” Ai ka qenë nji njeri dy metra, edhe m’u afru afër, thashë, “Veç afrohu,” thashë, “nuk dal! Çka është kjo punë!” Këto janë ni farë mënyre ato imtësinat që provojnë me të ngacmu e me të maltretu. Ka qenë nji rast për shembull nji ish i burgosun jo shqiptar, jo politik, por nji i burgosun tjetër e goditi nji gardian edhe ata e çun në vetmi të burgosunin tjetër shqiptar. Na meniherë reagum! Meniherë u tubum edhe fillum me reagu! Na te tanë e refuzum punën, protestum dhe natyrisht gjithëve na çun edhe nëpër vetmia, dhe ne kalum kapak nëpër vetmia, por jo për me hy ma thellë sepse ka pasë raste kur kemi pasë edhe greva, forma të ndryshme të reflektimit të pakënaqësisë ose kundështimit me situatën, me kushtet e burgut e kështu me radhë.

Gjatë qëndrimit në burg në Goli Otok, nji ditë e rëndomtë ka qenë kjo: Jemi zgju dikund prej gjumit në ora gjashtë - shtatë, diçka para shtatve, pastaj ditëve të punës na kemi punu nëpër vende të ndryshme, kemi pasë zdruthëktari, kemi pasë metal gdhendje, ka pasë ngjyrosje, sepse kemi... Janë maru disa karrika luhatëse, posaçërisht aty unë ku kom qenë... Kom qenë në pjesën që është qujtë brusione, aty e kemi limu dërrasën ose qat’ paijsen që është... do të thotë një herë ka qenë zdruthëktaria që është ba qaj’ elementi, pastaj unë ku kom punu, aty, aty janë rregullu edhe janë zbritë poshtë ku është ba ngjyrosja e tyne, mandej kanë shku në nji repart tjetër, ku ato janë thurë me konop, edhe është dalë si pajisje. Kemi punu prej orës 7:00 deri në ora 15:00, pas orës 15:00 kemi ardhë në Tel, e kemi qujtë. Edhe atje kemi hangër drekë, pastaj nga ora 20:00 kemi qenë të lirë m’u marrë me aktivitete sportive e me nejtë. Në ora 20:00 është ba numërimi dhe na kanë mbyllë mrena në pavilione, deri ka ora 21:00, deri ka ora 22:00...Pastaj në ora 22:00 janë mbyllë, e kemi pasë gjumin ose me përcjellë televizion, kështu ka qenë në Goli Otok.

Të dilleve ka qenë ditë e lirë, jemi marrë me pastrime...rrobat i kemi pastru edhe jemi marrë me aktivitete të tjera. Përafërsisht kjo ka qenë ajo dita e rëndomtë në kohën kur unë kom qenë në Goli Otok. Pas burgut... Kom dalë në qershor të vitit 1990. Ditën kur jom kthy, jom kthy me 22 qershor se prej burgut kom dalë me 21 e me 22 qershor jom kthy në shpi. Ajo ka qenë, natyrisht gëzim, po për mu personalisht po e thom shumë sinqerisht, ka qenë vetëm si nji ndërrim prej një situate në situatë tjetër sepse çka po di unë, ndoshta qëndrimi i gjatë në burg, topitja e ndjenjave... së paku mu më ka ndodhë kshtu, për të tjerët nuk e di...

Nuk e kom ndi nji far gëzimi të madh. Familjartë sigurisht që po, dhe kohë pas kohe pastaj tu u liru, tu u liru atëherë ni farë mënyre kom fillu me ndi ata sepse gjatë kohës burgut është dashtë me qenë shumë i kujdesshëm as mos me shprehë ndjenja as emocione, gjithmonë është fjala në raport me administratën e burgut, edhe pse ata që e ka thanë baca Adem po e përsëris që qasja jonë ndaj administratës së burgut ka qenë thjesht injoruese dhe thjesht për me provu me rujtë, unë për veti e kom mendu kështu, me rujtë shëndetin mental edhe fizik edhe me dalë prej aty. Sepse administrata e burgut as s’ka mujt me na ndryshu statusin, as nuk ka mujt me e realizu kërkesat të tona politike as asgjo.

Ata kanë qenë, baca Adem i qujke, “Koçarë”, do të thotë çelsaxhi, çel e mshel derën, qaq! Unë shumë herë e kom thanë, edhe gjatë gjykimit, “Mundeni me më dënu. Unë ma shumë muj me majtë burg se sa ju që mundeni me më dënu!” Edhe pse unë e kom thanë si thanje se përndryshe nuk ka qenë bash qashtu. Kemi pas edhe momentet tona të mërzisë... ose kemi mendu jetën... Unë kom qenë 20 vjeçar, 19 vjeçar kur jom burgosë dhe kom pasë dëshirë me u bo sportist, futbollist, besoj që kom qenë ni far futbollisti... dhe për menjiherë ndryshimi i krejt asaj ça ti ki mendu, për menjiherë me u thy, kjo nuk është e lehtë aq 77 ma shumë kur nuk ke qenë bash i përgatitur për këtë punë sepse neve na ka ra qishtu me sopatë, sepse që kanë vepru në ilegalitet, jonë organizu si grupe, për ata ka qenë nashta një përgatitje ma e madhe dhe ai e ka pritë një gja të tillë. Ndërsa ne atje me pas qenë në Kosovë, nashta edhe për mu kish me qenë pak ma ndryshe ose mas nja 2-3 vitesh, por në qat’ kohë për mu ka qenë premje me sopatë.

Sepse unë kom pritë me kry shërbimin ushtarak dhe me ju kthy futbollit, natyrisht studimeve, futbollit me ju kthy dhe me vazhdu jetën time dhe kjo për meniherë ndërpritet. Burgu ka qenë shkolla ma e madhe e jetës time përveç asaj që e ki ndi drejtpërdrejt një padrejtësi si shqiptar, por edhe takimi me shumë njerz të cilët kanë qenë shumë ma të ngritur politikisht se sa unë. Prej Goli me mbërri deri te baca Adem që me mësimet e tij, bashkëbisedimet me ta më kanë ba që politkisht me u përgatit shumë dhe për secilen çështje politike me pasë qëndrimet e mia.

Kur kom dalë prej burgut, emocionet e mia kanë qenë shumë ma të vogla, se familjarët mi e kanë vazhdu jetën e vet, gjithmonë me idenë dhe mendimin që unë jom në burg, por unë për veti jom mbyllë në atë guacën sepse ka qenë shumë ma e lehtë me e përballu burgun. Sikur të ju kisha lëshu emocioneve e idealeve që i kom pasë, idealeve në kuptimin e zhvillimit jetësor jo në kuptimin kombëtar, do ta kisha pasë shumë ma vështirë sepse isha rrëmby pas asaj, “S’mujta me ba këtë,” edhe kjo vujtje kish me qenë maltretim në vetvete. Kur kom shku në Goli Otok, fillimet e para me vetveten, natyrisht unë i kom thanë vetes, “Kam punu si i burgosun politik, duhesh m’u majtë si i burgosun politik dhe duhesh me ja gjetë kuptimin e jetës edhe brenda burgut”.

Edhe kjo më ka ndihmu jashtëzakonisht shumë, nuk jom marrë mo me pjesën e jashtme të jetës, jom marrë me vetveten. Në këtë mënyrë jom përgatitë për vetveten që, “Edhe këtu munesh m’i gjetë kënaqësitë e jetës, edhe këtu munesh me jetu!” Dhe e kemi gjetë, fatmirësisht e kemi gjetë, edhe muj me thanë që në pjesën absolute të kohës, me nji përjashtim të vogël, me nji kohë kur qoftë nji vizitë, qoftë nji informatë, qoftë nji diçka që të debalancon e të bjen deri te aspekti njerëzor... pjesën tjetër e kem majtë vërtet hareshëm, vërtet! Unë shumë sinqerisht e thom, kaniherë më mungojnë ato momentet kur ne kemi nejtë me shokë, kemi bisedu me shokë, kemi ba hajagare me shokë, sepse asniherë nuk muj me përjetu atë kohë, në atë sinqeritetin dhe padjallëzinë që e kemi pas mrenda.

Ne sot shoqërohemi, rrijmë njëni me tjetrin por megjithatë e mendojmë ni diçka tjetër, atje kemi qenë pastër! Krejtësisht pastër! Askush s’ka pasë asnji interes tjetër, asnji punë tjetër, por kemi bashkëbisedu njëni me tjetrin edhe kur kemi bisedu 78 për çështje politike, edhe për çështje familjare edhe për dëshirën ose çka ke dashtë, këto kanë qenë krejtësisht të sinqerta dhe po them sinqerisht më mungon nganjiherë ajo situatë.

Natyrisht që në burg s’kisha pasë qef kurrë m’u kthy, kjo nuk diskutohet, por ato momentet e kënaqësisë rrallë, rrallë i ndij, rrallë i ndij këtu. Fillet e para pas daljes prej burgut natyrisht kanë qenë pritja e shumë, shumë njerzve që kanë ardhë me vizitu, edhe mu sikurse të gjithë burgosunit politikë tjerë, ata mu nuk më kanë njoftë shumica prej tyne, po kanë pritë që me ardhë me vizitu nji të burgosun politik.

Kjo ishte knaqësi jo vetëm personale por ishte knaqësi edhe për atë ndjenjë, atë situatë, gjendje, që e kemi gjetë, që njerzit ishin çliru prej frikës dhe kishin fillu me bisedu haptaz, me u pozicionu e me u nda politikisht. E tash ardhja e nji të burgosuri politik ishte thymja e asaj frike. Ndoshta njerëzit kanë pritë ma shumë prej meje, çka me ju thanë? Realisht s’kom pasë çka me ju thanë sepse ata të gjitha i kanë ditë.

Më kujtohet nji rast, erdhën prej Mitrovicës nja gjashtë-shtatë veta, edhe po përshëndetem, po thotë, “Çka, hajt folna diçka?” Thashë, “Çka me ju thanë mer’ burra, krejt i paskët këtu, krejt! Çka kom me ju thanë, ju po i dini vet”. Njëni e morri sikur, “Mos e pyt se s’paska kurgjo prej tij”. Por ajo ishte do të thotë, “Çka me ju thanë, çka me ju shpjegu për Serbinë, për armikun?” Kur ata i kishin përjetu vitet ‘89 – ‘90, të gjitha ato ngjarjet që kanë qenë, protesta, demonstrata, vrasje e të gjitha ato.

Çka kisha me ju thanë unë diçka ma shumë, s’kisha çka me ju thanë. Edhe pastaj natyrisht unë si qëllim pas daljes prej burgut e kom pasë me i vazhdu studimet sepse kisha përfundu dy vitet të Fakultetit Juridik dhe e pata si qëllim për me i vazhdu studimet. I kom vazhdu studimet dhe i kom përfundu në vitin ‘94. Natyrisht këto periudhat, largimi prej institucioneve publike, ndërpreja, vazhdimi e kështu me radhë, por megjithatë kom arritë me e përfundu.

Kom vazhdu akitvitetin politik, fillimisht në LDK, në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive të të Drejtave të Njeriut pastaj edhe si kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, dega në Mitrovicë. Dhe prej fillimit prej ’98-ës ju kom bashkangjitë edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jo si luftëtar si njeri me pushkë por në punë të tjera deri në përfundim të luftës. Pas përfundimit të luftës kom shku në Prizren. Kom jetu në Prizren deri në janar të vitit të kalum.

Nji kohë kom qenë si nji zavendës drejtor i nji ndërmarrje hotelio - turistike publike që ka qenë do të thotë kompani shoqërore dhe atje kom punu deri në dhjetor 2006, nja dy vjet gati kom nejtë pa punë por kom mbijetu, pastaj kom ardhë në administratën pensionale në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kom ardhë në shtator të vitit 2008 deri në prill të vitit 2010 si drejtor e tash prej vitit 2010 deri tash në pozitën e kryeinspektorit. Angazhimi im në politikë nuk ka ndodhë ma aktivisht.

*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme