Pse tallet Përparim Rama me qytetarët? Qe dy arsye - NACIONALE

Pse tallet Përparim Rama me qytetarët? Qe dy arsye

3 javë më parë

nga Mirlind Behluli

Përparim Rama është individ interesant në politikën kosovare. Në këtë tekst, termi interesant nuk përmban asnjë ngarkesë gjuhësore, është i zbrazur nga kuptimet arbitrare dhe secili mund ta lexojë si të dojë. Rama është i vetmuar, politikisht pa ndonjë shënues konkret – LDK-ja është disi e distancuar nga ai – dhe pa ide për ta reformuar Prishtinën. Rama është veç nominalisht i LDK-së, por zor se ka marrëdhënie zyrtare që meriton vëmendje të theksuar.

Që nga dalja e parë në publik, Rama ka arritur të krijojë një tip karakteri, që ngjall herë pas here debat. Me "stil" më ndryshe, me përgjigje “funny” e me idefuturistike” për të ardhmen e Prishtinës, Rama arriti ta mposhtte Arben Vitinë, kandidat i VV-së, i cili dukej i lodhur në ide dhe energji karshi një burri të panjohur e pa përvojë politike. Ndoshta posaçërisht për këto dy arsye – i panjohur dhe pa përvojë politike – Rama arriti të shpallej fitues i zgjedhjeve lokale të nëntorit të vitit 2021. Natyrisht, ai u ndihmua nga partitë opozitare, posaçërisht nga PDK-ja e AAK-ja, dhe i fitoi votat e qytetarëve të acaruar me kandidaturën e Vitisë, të cilin e ndëshkuan në balotazh.

Në fakt, Rama u votua edhe pse ishte nga diaspora, pasi kredencialet e tij u “pompuan” mediatikisht. U proklamua se shpëtimi i Prishtinës vjen nga një arkitekt nga Londra, me shumë borxhe financiare, por me suksese të mëdha. Si shoqëri e mësuar me “shpëtimtarë të jashtëm”, kosovarët edhe kësaj radhe zgjodhën që t’i besonin një Mesiahu të papërlyer, i cili krejt çfarë kërkon është mundësia për t’i çrrënjosur pabarazitë e keqqeverisjen. E kur mundësia iu dha, doli se shpëtimtari arkitekt është një politikan që nuk e shpëton dot qytetarin e Prishtinës nga kolonat e gjata, nga vërshimi i qenve endacakë e bërlloku që kundërmon.

Megjithatë, Rama është i pranishëm në media, duke deklaruar shumë gjëra, disa prej të cilave meritojnë të quhen tallje me qytetarët. Në dy ditët e fundit, Rama i ka pushtuar mediat dhe rrjetet sociale, por jo për punë të lëvdueshme si kryetar. Por pse po tallet kryetari i Prishtinës me qytetarët e Kosovës?

Mendoj se ekzistojnë dy arsye, aspak përjashtuese ndaj njëra-tjetres, pse Rama po tallet me qytetarët. E para lidhet me mungesën e rezultateve të prekshme gjatë qeverisjes së tij, me përjashtim të nismës së Jehona Lushakut me mësimin tërëditor në disa shkolla publike. Në mungesë të projekteve “transformuese”, Rama ka zgjedhur që ta transformojë debatin publik për Komunën e Prishtinës. Duke folur për Zotin, duke ofruar zgjidhje “kreative” për kalimin e kohës në kolona, Rama i është përveshur punës për ta fokusuar debatin nga mospërmbushja e premtimeve, te deklaratat e çuditshme të tij.

Është një përpjekje prej “spin-doctor”-i dhe e menduar mirë si strategji për ta neutralizuar kërkesën për llogaridhënie e përgjegjësi. Përderisa të gjithë ne merremi me deklaratat e Ramës, është e natyrshme që të harrojmë një fakt të thjeshtë. Nga 206 premtime elekotrale, kryetari i Prishtinës ka realizuar veç 43 premtime, kur i kanë mbetur më pak se 12 muaj mandat. Deri më tani, Rama ka arritur që me sukses ta kanalizojë debatin mbi veten, e jo mbi punën e tij.

Arsyeja e dytë lidhet me mundësinë që Rama të mos kandidohet nga ana e LDK-së për zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të mbahen në shtator të vitit 2025. Në disa raste është raportuar për një “ftohje” mes Ramës dhe LDK-së, që duket se është acaruar zyrtarisht deri në “prerje marrëdhëniesh” me Lumir Abdixhikun. Me shumë gjasë, Rama është i braktisur edhe nga LDK-ja, edhe nga të gjitha partitë e tjera. Logjika prapa kësaj është, po ashtu, e thjeshtë. Nëse nuk do të garoj më në zgjedhjet e ardhshme, atëherë pse të kursehem nga deklarata që mund të më penalizojnë në zgjedhje? Kur s’ke çfarë të humbësh, ose hesht, duke e pranuar humbjen në mënyrë përulëse, ose çoroditesh fare, duke mos e kursyer gjuhën, e cila, meqenëse është “prej tuli”, ofron thellësi shprehëse gati të pakufishme.

Rama erdhi nga anonimati për t’u zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës, ndërsa rrezikon që të përfundojë sërish në hapësirën e gjerë të anonimatit të ish-kryetarëve të kryeqytetit. Tash, shpëtimtari arkitekt zor se do të hartojë ndonjë projekt “arkitektonisht” funksional për shpëtimin e karrierës së tij politike. Pa LDK-në dhe pa suksese të mëdha në qeverisje, Rama mund ta vazhdojë talljen edhe për një vit me qytetarët e Prishtinës. Pas zgjedhjeve, Rama mund të punojë si arkitekt, guru apo analist. Sidoqoftë, është absolutisht e parëndësishme për publikun e ardhmja personale e Ramës. Qytetarët e kryeqytetit duhet ta pyesin veten se pse janë të mallkuar që të zgjedhin për kryetar të Prishtinës njerëz që flasin shumë e punojnë pak.

Lajme të ngjashme