“Unaza e kryeqytetit”, Rama kërkon mbështetjen e Qeverisë: Shpresoj e lutëm për bashkëpunim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë për ndërtimin e unazës së kryeqytetit.
Ai ka thënë se ky projekt do të kushton mbi 350 milionë euro, të cilat nuk mund t`i sigurojë vetëm Prishtinë.
“Ne projektin tashmë e kemi të gatshëm, kërkojmë nga ministri i Financave që të jetë bashkëpunues dhe ta shoh të leverdishme sepse është mese e nevojshme që Kryeqyteti ta ketë ‘unazën’. Tashmë Prishtina ka me qenë nikoqire e ‘Lojërave Olimpike Mesdhetare’ dhe na nevojitet një infrastrukturë të denjë dhe ndërtimi i këtyre rrugëve janë më së të nevojshme. Mirëpo në projekte madhore siç është kjo ku shuma e tejkalon 350 milionë euro, pra vetëm 206 milionë euro është vetëm ndërtimi i pjesës së unazës që tashmë mungon, ndërsa mbi 157 milionë euro janë shpronësimet dhe atëherë se këtu duhet të jetë një bashkëpunim mes nivelit lokal dhe atij qendror”, ka thënë Rama për EO.
Ai ka bërë me dije se për këtë projekt madhor Qeveria duhet të jetë bashkëpunuese me kryeqytetin.
“Unë gjithmonë e shty për bashkëpunim, shpresoj e lutëm për bashkëpunim. Në diskutimet tona të shumta me ministrin (Hekuran Murati) e potencoj nevojën që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë, po ashtu edhe me kryeministrin e potencoj nevojën që të kemi një bashkëpunim në këtë aspekt sepse Kryeqyteti është për të gjithë, i të gjithëve dhe këtu nuk ka ndarje politike e as nacionale. Po ashtu kur ta ke parasysh që taksapaguesit më të mëdhenj në buxhetin e Kosovës janë pikërisht bizneset e Prishtinës, pra duhet edhe Kryeqyteti ta ketë një mundësi që e meriton”, është shprehur Rama.