Jehona Lushaku: Po fillojmë mësimin tërëditor, reforma arsimore është e mundur - NACIONALE

Jehona Lushaku: Po fillojmë mësimin tërëditor, reforma arsimore është e mundur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komuna e Prishtinës ka filluar një reformë thelbësore në sektorin e arsimit, duke implementuar mësimin tërëditor në kryeqytet.

Fillimisht kjo reformë përfshin nxënësit e klasave 1 deri në 5 në gjithsej pesë shkolla të Prishtinës.

Reforma drejtohet nga Jehona Lushaku, Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, e cila theksoi potencialin transformues të këtij modeli.

Lushaku tha se fillimi i mësimit tërëditor në Prishtinë, tregon se reforma arsimore është e mundur.

“Ky është vetëm fillimi, dhe besoj se ky model i mësimit tërëditor do të mund të shtrihet në të gjithë Kosovën, duke rritur cilësinë e arsimit në vendin tonë dhe duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur për të gjithë fëmijët tanë”, tha ajo për Nacionale.

Sipas saj, kjo reformë synon të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe të ofrojë një mjedis më të strukturuar dhe mbështetës për nxënësit.

“Mësimi tërëditor ofron një mundësi unike për nxënësit që të përfitojnë nga një ditë e plotë mësimore, e mbushur me aktivitete edukative dhe krijuese. Kjo reformë synon jo vetëm të përmirësojë rezultatet akademike, por edhe të rrisë mirëqenien e përgjithshme të fëmijëve tanë”, tha Lushaku.

Lushaku ka treguar se janë bërë përgatitje të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë shtimin e anekseve të reja, rinovimin e sistemeve të ventilimit dhe ndriçimit, si dhe digjitalizimin e klasave me tabela digjitale moderne.

Po ashtu, Lushaku ka bërë të ditur se Kuzhina Qendrore e Prishtinës ka zgjeruar kapacitetet e saj për të siguruar ushqim cilësor për nxënësit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky model do të përfshij sigurimin e shujtave të përgatitura me nutricistë për secilën ditë, renovimin e modernizimin e hapësirave, me laboratorë, tabela digjitale, në vend të dërrasave me shkumës, e me klasë të standardeve më të larta evropiane etj.

Ndërsa vlerësoi lart modelin e mësimit gjithëditor, Abdixhiku kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovë ndaj arsimit. Ai akuzoi Ministrisë së Arsimit për mungesë efikasiteti në sigurimin e teksteve shkollore.

"Krahasojeni këtë punë, për vetëm 6 muaj kohë, me dështimet spektakulare në nivel qendror, ku popullizmi me gjithë atë buxhet e mundësi shtetare, ofron radhë të gjata pritjeje, maltretime e përfundimisht vonesa në sigurimin e librave - PA ASNJË NEVOJË", tha ai.

Lajme të ngjashme