Flirtim politik? Rama shpërndan shtatë fotografi me pushtetin, veç një të turbullt me Abdixhikun
Përparim Rama është kryetar i Komunës së Prishtinës nën logon e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Rama nuk është pjesë e LDK-së. Përmes fjalëve të Ramës, ai është veç partner i ngushtë i LDK-së. Por kaq i “ngushtë” nuk u tregua me fotografitë e shpërndara dje nga ndeja e lamtumirëse të ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.
Rama, sikurse shumë politikanë e fytyra të tjera publike, ishte prezent në ndejën lamtumirëse të Abbottit. Nga aty, ai shpërndau 16 fotografi dhe disa fjali, ku foli për shënjtërinë e miqësisë mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
“Festuam mbrëmë një rrugëtim të mrekullueshëm të miqësisë dhe diplomacisë në pritjen lamtumirëse të Ambasadorit Nicholas Abbott 🇬🇧🇽🇰
Falënderimet tona të përzemërta për forcimin e lidhjeve që kapërcejnë kufijtë dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona 🤝
Miqësia e Kosovës me Britaninë e Madhe është e shenjtë.
Prishtina do të ju mirëpresë gjithmonë!” – shkroi Rama, transmeton Nacionale.
Por ajo që bie në sy është përzgjedhja e fotografive. Nga 16 fotografitë e publikuara nga ana e Ramës, shtatë janë me pushtetin. Rama ka shpërnarë tri fotografi, ku shihet me Albin Kurtin, tri me Vjosa Osmanin e zotëriun e parë dhe një me Ejup Bajqinovcin, ministër i Mbrojtjës.
Në me fotografitë me Kurtin e Osmanin, Rama shihet i buzëqeshur e në humor të mirë.

Për më shumë, Rama zgjodhi të shpërndajë vetëm një fotografi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Për dallim nga shtatë fotografitë me pushtetitn, fotografia e përzgjedhur është e turbullt. Pra e vetmja fotografi e Ramës me Abdixhikun është e turbullt, që lë ndjesinë se është bërë shkel e shko.

Në dy fotografi të tjera, paraqitet një tjetër zyrtar i LDK-së, Anton Quni.
Ka pasur vazhdimisht spekulimi për një afrim politik ndërmjet Ramës dhe pushtetit, më saktë Lëvizjen Vetëvendosje. Madje, një vit më parë, duke u bazuar nga burime brenda LDK-së, Nacionale shkroi se “kryetar i partisë Lumir Abdixhiku “kishte humbur kontrollin” mbi Ramën. Një kontroll që përfshin llogaridhënien e zakontë të një anëtari të partisë më kryetarin e tij”.
Ndërsa muaj më parë, gjatë një interviste në Kanal 10, Rama tregoi se nuk është anëtar i LDK-së, por vetëm një “partner i ngushtë”.
“Unë e shohë mundësinë perfekte për bashkimin e të gjitha forcave që e ndihmojnë zhvillimin e kryeqytetit, kam garuar me Lidhje Demokratike të Kosovës dhe normal që jam partner i ngushtë i LDK-së por nuk jam anëtar i kësaj partie.Jam marrë vesh me Lumir Abixhikun që ai të merret me partinë ndërsa Rama të merret me kryeqytetin’’, ka thënë Rama.
Sjellim ndër mend që ditë më parë u raportua për një ndihmesë të VV-së ndaj Ramës në lidhje me shkëmbimin e tokave për dy ish-klientët e Ramës.