2046: Mbyllet ambasada amerikane, trupat serbe në kufi - çka po ndodh me Kosovën? - NACIONALE

2046: Mbyllet ambasada amerikane, trupat serbe në kufi - çka po ndodh me Kosovën?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

* Shkrimi është një distopi, një realitet imagjinativ i autorit. Pra nuk është ngjarje aktuale dhe e vërtetë.

Kalendari e shënon 6 qershorin e vitit 2046. Në një pasdarke të zakontë të së hënës, ambasadori amerikan rrufeshëm hyn në zyrën e kryeministrit të Kosovës. Ndonëse e kishte paralajmëruar ardhjen e tij, kryeministri e priti si mos më keq, me fytyrë të ngrysur e disi indiferent. Megjithatë, kjo pritje e ftohtë akull nuk e pengoi ambasadorin që të transmetonte një mesazh të rëndësishëm, gati fatal për Kosovën.

Me një zë të vendosur, ambasadori qetas deklaroi para kryeministrit një fjali meritore për një vend në histori.

“Shkëlqesia e juaj, jam këtu për ta kumtuar lajmin e mbylljes së Ambasadës së ShBA-së në Kosovë. Krahas kësaj, të gjitha trupat amerikane brenda 48 orëve do ta lëshojnë territorin e Kosovës. Me ketë rast, Qeveria amerikane i shkëput të gjitha marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë komunikimin politik, ushtarak e ekonomik, me Qeverinë e Kosovës. Mirëmbetshi” – ishin fjalët tronditëse të ambasadorit J., që do të ishte edhe i fundit ambasador amerikan në Kosovë, 50 vite pasi ShBA-ja e hapi zyrën e saj të parë në Kosovë më 6 qershor 1996.

Kryeministri, që dukej se ishte përgjumur, nuk është se reagoi veçanërisht ndryshe nga momenti i hyrjes së ambasadorit në zyrën e tij. Sërish fytyrëngrysur, ai mbeti përsëri indiferent. Dukej se ishte mbyllur në botën tij, brenda pushtetit autoritar, ku askush nuk guxonte t’ia thoshte të vërtetën. Kryeministri kosovar, nacionalist i verbër me prirje anti-amerikane, i tha vetëm një fjali ambasadorit, që më shumë ngjante në një uratë cinike.

“Rrugë të mbarë! Dera është andej” – ishte fjalia që do ta lakmonte edhe Fidel Kastroja i vdekur, të cilin kryeministri e admironte.

Lajmi për mbylljen e ambasadës amerikane në Kosovë u dha gjerësisht në mediet opozitare, të cilat mund t’i numëroje me gishtat e një dore. Radiotelevioni shtetëror e kumtoi lajmin shkurtimisht në minutat e fundit të emisionit qendror të mbrëmjes, thuajse ishte një lajm i rëndomtë. Asgjë e veçantë nuk ngjau atë mbrëmje dhe as në dy ditët pasuese. Kryeministri nuk foli për këtë temë, qytetarët mbetën në amulli, ndërsa amerikanët po i paketonin “valixhet” dhe “armatimin”, që ishte simbol i Pax Americana-s, rend amerikan që për dekada e kishte mbrojtur Kosovën, shtet të cilin e kishte krijuar vetë ShBA-ja.

Sidoqoftë, gjithçka u kristalizua në minutat e para pas 48-orëshit amerikan. Gjersa nga Vermica dhe Hani i Elezit, dy pika kufitare të Kosovës me dy vende të NATO-s, po iknin ushtarët e fundit amerikanë, nga Merdarja e Dheu i Bardhë mund të shiheshin forcat ushtarake serbe teksa po grumbulloheshin në kufi. Ishte dita e shumëpritur për serbët, programet e të cilëve ishin rishkruar kohëve të fundit, e që e përfshinin spastrimin e ri etnik mbi shqiptarët e mbetur jetimë si pasojë e mungesës së sigurisë amerikane. Por në sy ra edhe një gjë tjetër. Kosovarët, elita e të cilëve zhurmshëm i propagandonin sovranitetin vestfalian e qëndresën e vetëmjaftueshme, tashmë po i ndiqnin me shpejtësi trupat e fundit amerikane. Ishte një reminishencë, një rikthim i të kaluarës, por me një dallim thelbësor: tashmë s’ishte Amerika mbi kokat e tyre për t’i shpëtuar nga Serbia. Por pse ngjau kjo?

Sigurisht, ka shumë mendime e arsye. Por dy-tri gjëra janë kryeshpjegimet. E para, Qeveria e Kosovës, pas shumë vitesh propagandimi të një nacionalizmi ksenofob e anti-amerikan, ishte mbushur me njerëz që besonin në autarkinë e vendit. Pra njerëz që e shihnin ShBA-në si imperialiste, si një fuqi që po e sundonte e poshtëronte Kosovën. Ndjenja anti-amerikane, që ishte brumosur nga një majtizëm internacionalist e një enverizëm i ringjallur, ishte kryefajtorja për këtë “prerje marrëdhëniesh” mes Kosovës e ShBA-së.

Por, sigurisht, rol të rëndësishëm - dikush do të thoshte se ishte arsyeja kardinale - luajti edhe arroganca fëmijërore e kryeministrit 33-vjeçar. I lindur pas luftës, K-ja nuk ndiente asgjë për konfliktin e viteve 1998-99, i kujtohej si nëpër mjegull nga ndonjë video në “Youtube”, por asgjë më shumë. Natyrisht, historitë për marrëdhënien speciale mes Amerikës e Kosovës dhe shpëtimin e kësaj të fundit nga ShBA-ja i dukeshin rrëfime të hiperbolizuara e madje mite.

Arroganca e K-së, i cili njihej si Z. Kurri (Never) në korin diplomatik në Prishtinë, disa herë ishte përmendur publikisht nga ambasadori J, i cili tashmë po qëndronte në Vjenë, në pritje të aeroplanit për të ikur në Uashington. Ndonëse elita politike dhe një pjesë e intelektualëve ishin anti-amerikanë, populli (krenar e fuqiplotë, siç e quanin njerëzit e afërt të pushtetit) kishte mbetur në esencë falënderues ndaj ShBA-së. Përkundër narrativës ideologjike anti-amerikane, populli, duke ikur së bashku me ushtarët amerikanë, po shpallte dy të vërteta botërisht. E para: nuk jemi anti-amerikanë, andaj po vijmë bashkë me ju; e dyta ishte shpallja e një mosbesimi ndaj Qeverisë së Kurr-it.

Lexues të dashur, mos u frikësoni. Ky shkrim është pjellë tërësisht e imagjinatës së autorit, ndonëse autori nuk mund të garantojë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen. Amerika është këtu ende, ushtarët amerikanë janë të pranishëm në kampin “Bondsteel”. Megjithatë, marrëdhënia miqësore Kosovë - ShBA tashmë është kthyer në aleancë. Nënteksti është i qartë: Kosova e ShBA-ja nuk janë më miq si dikur, por vetëm aleatë që i lidhin interesat aktuale gjeopolitike.

Por një pyetje duhet shtruar: çfarë do të ndodhë me Kosovën, kur interesi amerikan me atë kosovar nuk lidhen më? A do të ketë vullnet durimtar Amerika për të qëndruar në Kosovë, përderisa kërkesat e saj vazhdimisht refuzohen? Kur do të kujtojnë kosovarët që ekzistenca e tyre varet nga Amerika dhe, duke qenë kështu, kërkesat e saj janë pothuajse urdhra? Sigurisht, nacionalistët e sovranistët e sotëm do të më akuzojnë për servilizëm, mungesë të nervit kombëtar e një zell të çuditshëm për t’u shndërruar në skllav. Kushdo që mendon se Kosova është e vetëmjaftueshme, duhet të na tregojë se çfarë ndodh me vendin tonë, nëse një ditë ShBA-ja largohet nga Kosova? Patrioti më i madh kosovar është ai që e di fuqinë e vendi të vet, e mirëmban dhe e zgjeron marrëdhënien me ShBA-në, duke e mbajtur ShBA-në brenda e, rrjedhimisht, Serbinë jashtë.

Lajme të ngjashme