Kompromisin e kërkuat, Albin Kurti jua dha - NACIONALE

Kompromisin e kërkuat, Albin Kurti jua dha

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Albin Kurti është stabilokrat. Madje një stabilokrat i menaxhueshëm. Duke i pasur parasysh rrethanat aktuale, ai i ka të gjitha predispozitat për të mbijetuar gjatë në pushtet: i pranueshëm jashtë, i plotëfuqishëm brenda; në linjë me ndërkombëtarët, i pasfiduar nga opozita. Mbi të gjitha: njeri i marrëveshjeve.

Nga një pamje kozmike, dakordimi i arritur dje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është sinjali i radhës se Kurti është maturuar. Ai është riprodhim i pafundësishëm i një modeli politikanësh që synojnë marrëveshje me Serbinë, duke e siguruar vazhdimësinë e paqes në rajon, të vetmen gjë të shenjtë për ndërkombëtarët. Pra ai nuk është ndonjë prototip, që i ndryshon rrënjësisht rregullat e lojës, por një version i ri i një modeli të vjetër, që e ka potencialin për të qenë më i mirë se të tjerët.

Tipari më dallues i stabilokracisë gjysmautoritare, siç shkruan Florian Bieber-i, është vullneti për t’i shkaktuar dhe menaxhuar krizën e jostabilitetin kundrejt fqinjve e tjetrit të brendshëm. Hiçe pjesën e gjysmautokracisë (pasi që Kurti s’është autokrat), a nuk qe Kurti një kryeministër që e shkaktoi krizën, në krye të herës, për ta menaxhuar më vonë? Natyrisht, për një arsye të drejtë, por e cila “drejtësi” s’është që vlen shumë në kancelaritë e qendrave vendimmarrëse, sepse ato i japin përparësi “stabilitetit” të menaxhueshëm para “të drejtës” që e shkakton trazira. “Një ditë më shumë paqe, është një ditë më pak luftë” – është mantra me të cilën bashkësia ndërkombëtare operon e në të cilën banojnë edhe stabilokratët lokalë. Marrëveshja e kompromisit është kryefjala.

Dhe mirë se vjen, z. Kurti, në universin e stabilokracisë! Shefi i Qeverisë së Kosovës është njeriu që tash “vrapon ngadalë” pas marrëveshjes gjersa në mendje e ka luftën e ardhshme potenciale. Edhe diskursi i Kurtit tani është i mbizotëruar nga terma të njohur të stabilokracisë, të tilla si “paqja është në rrezik, duhet stabilitet rajonal, duhet shmangur lufta” e të ngjashme. Nuk ka asgjë të keqe moralisht. Duhet vetëm të ritheksohet se Kurti i opozitës nuk ekziston më. “Ai ka vdekur” – do të thoshte Niçeja.

Duke qenë pjesë e një bote me rregulla të vendosura në mungesë të tij, Kurti e ka thellësisht të kufizuar fushën e lojës. Megjithatë, kjo nuk e shfajëson nga gabimet në dialog. Politika realiste nënkupton trysni, presion e madje edhe kërcënime. Diplomacia e ka në qendër kompromisin. Në këtë kontekst, Kurti si kryeministër përballet me politikën realiste diplomatike, pra me presion për kompromis.

Një e tillë u arrit dje në Bruksel. Natyrisht, të gjithë që e kanë zgjedhur Kosovën për atdhe, s’duhet t’u gëzohen marrëveshjeve të këqija. Sepse personalja e Kurtit aktualisht është ndërkombëtare. Në këtë kontekst, dështimi i Kurtit i faturohet Kosovës. Dhe marrëveshja e mbrëmshme ishte gjysmë e keqe. Nga një deklaratë e Joseph Borrellit, shef i diplomacisë së BE-së, u kuptua se palët janë dakorduar për një marrëveshje kompromisi. Kosova nuk do ta zbatojë planin për gjoba, gjersa targat ilegale serbe do të vazhdojnë të përdoren, ndonëse Serbia më nuk do të lëshojë targa të reja. Por një pyetje thelbësore s’ka ende përgjigje: çfarë do të ndodhë me targat aktuale, kur ato skadojnë? A nënkupton moslëshimi i targave edhe mosregjistrim të targave ilegale? Pra a do të lejohen vazhdimi i regjistrimit të targave aktuale edhe pas skadimit?

Dhe po, të gjithë ata që kërkuan kompromise, le ta gëzojnë kompromisin e parë. Ata, përfshirë opozitën ish-nënshkruese të marrëveshjeve, nuk kanë asnjë kredit moral për ta kritikuar Kurtin për kompromise. Ata mund ta kritikojnë Kurtin pse e vonoi kompromisin, por jo pse e bëri kompromisin. Kritikën e pse-së së dytë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që e kanë përkrahur Kurtin gjatë rrugëtimit të tij para se të bëhej stabilokrat.

Lajme të ngjashme