Drama e kotë e Kurtit, e pranoi Borrellin dhe i pranoi targat - NACIONALE

Drama e kotë e Kurtit, e pranoi Borrellin dhe i pranoi targat

2 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

"Tym i bardhë" nga Brukseli. Marrëveshja për targa është arritur. Lajmin e madh e të shumëpritur e dha Joseph Borrelli, shef i diplomacisë së BE-së, i shumë kritikuar dy ditët e fundit nga kryeministrit Albin Kurti e eksponentë të LVV-së. Ndonëse marrëveshja e plotë nuk u bë publike, ca informacion dha z.Borrell.

Sipas cicërimes së tij në Twitter, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për një marrëveshje e cila përfshin kompromis të dy anshëm (ndonëse ai i palës kosovare më i madh). Pra e gjitha drama disa javore për targat e kritika e ashpër dy ditore ndaj Borrellit ka marrë fund. Kurti bëri një pranim të dyfishtë: e pranoi marrëveshjen dhe e pranoi Borrellin.

Detajet e pakta të marrëveshjes

Në cicërimin e tij, Borrell njoftoi se në marrëveshjen e dakorduar, Kosova është pajtuar që të mos vazhdojë tutje me riregjistrimin e veturave me targat ilegale serbe. Ky është kompromisi i Qeverisë Kurti.

Ndërsa Serbia e bëri një "lëshim" shumë më të vogël, duke dhënë premtimin se më nuk do të lëshojë targa të reja ilegale për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.

Por asgjë nuk u tha se cfarë do të ndodh me veturat aktuale që janë të regjisruara me targa ilegale. Pra nuk dihet nëse ato do të jenë të përdorshme edhe më tutje në territorin e Republikës së Kosovës dhe nëse serbët do të kenë të drejtë të udhëtojnë me to.

Nga informacionet aktuale kuptohet se targat ilegale do të shfrytëzohen. Madje pas kësaj marrëveshje, ato më nuk mund të quhen ilegale, ngase janë të lejuara të përdoren.

Po ashtu, nuk dihet se nga cila datë do të fillojë të zbatohet premtimi i Serbisë për mos lëshim të targave të reja. Nga ajo që u bë e njohur nga Borrell, nuk ka afate kohore të precizuara qartë.

Të gjitha këto detaje, duket të jenë lënë të publikohen më vonë. Madje, nënteksti i cicërimës së Borrellit është simptomatik, ngase aty flitet për diskutime të mëtutjeshme për hapat e ardhshëm.

Megjithatë, duhet theksuar se korrigjimi i kërkuar nga Kurti për Borrellin nuk ka ngjarë. Me anë të kësaj marrëveshje është korrigjuar vetë Kurti, duke dhënë dorëheqje nga faza e gjobitjes, për një premtim të Serbisë se nuk do të lëshojë targa të reja.

Sidoqoftë, pas kësaj marrëveshjeje teknike për targat, duket të jetë larguar cështja më diskutabile aktuale mes palëve.

Kujtojmë që Qeveria Kurti është kritikuar ashpër në lidhje me këmbënguljen e saj për të zbatuar planin e saj për gjobitjen e serbëve që ngasin vetura me targa ilegale. Edhe dje, por edhe sot, kryeministri Kurti ishte parë i vendosur se nuk mund të ketë lëshim nga faza e gjobitjes.

Lajme të ngjashme