Kush ka në të vërtetë faj që të rinjtë po flasin anglisht? - NACIONALE

Kush ka në të vërtetë faj që të rinjtë po flasin anglisht?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

A jemi afër një kiameti gjuhësor? Unë mendoj që po. Faji është te pesë dekada të kaluara nën opresion gjuhësor!

Shkruan: Jetlir Buja

Dy vajza u bullizuan për shkak se njëra prej tyre përgjigjej në anglisht në një pyetje të shtruar në gjuhën shqipe. Kjo e nxiti një gjah shtrigash. Fillimisht u sulmuan vajzat, e më pas kur u mor vesh që s’duhej të sulmoheshin, gjahu i shtrigave vazhdoi gjithkund tjetër. Prej mësuesve në shkollë, prindërve në shtëpi e deri te të rinjtë që po rrinin shumë në Netflix. Por, ‘elefanti në dhomë’ megjithatë s’u pa: gjuha shqipe! Nëse i madh e i vogël në Kosovë – prej kryeakademikut e deri te kryeministri – nuk dinë ta flasin e ta shkruajnë mirë gjuhën amtare, atëherë problemi s’qëndron te të gjithë por te gjuha amtare!

Të rinjtë e flasin anglishten jo për të treguar supremaci kulturore (megjithëse mund të ketë ndonjë rast) por për të zgjeruar kufijtë e të menduarit të tyre. Gjuha shqipe është mosvet e varfër, mosvet ilogjike, mosvet arbitrare, mosvet e mbyllur dhe mosvet e ngadaltë për përditësim. E ndërkohë, bota e sotme është tepër tepër e shpejtë. Zhvillimet në çdo fushë janë aq të hovshme sa imponojnë fjalë e fraza të reja (jo veç nga anglishtja) përditë. Fjalëpërfjalshëm përditë. A nuk do të duhej që shqipja t’i merrte krejt këto fjalë dhe t’i përshtaste përmes rregullave të saj? Do të duhej, por ja që nuk ndodh! Bile, përkundër që edhe ashtu dihet se pjesa më e madhe e fjalëve të shqipes nuk kanë origjinë shqipe, ekziston një tendencë e hapur ksenofobe për të përzënë çdo fjalë tjetër të re joshqipe nga fjalori.

Qëllimi thelbësor i gjuhës është funksionaliteti i saj. Njerëzit nuk kanë filluar të flasin shkaku që kanë dashur të shfaqin dallimet mes tyre – e me këtë, identitetet pjesore – por sepse kanë dashur të kryejnë punë. Qëllimi thelbësor i standardit të gjuhës shqipe që vitin e kaluar i mbushi 50 vjet ishte thjesht shprehja e identitetit kombëtar. Gjuha shqipe ishte e mbeti më shumë shqipe se sa gjuhë! E prandaj, funksionaliteti i saj ishte e mbeti dytësor.

Ne ‘veriorët’ u nënshtruam. Qe, edhe ky shkrim i jep vazhdimisht ndjesinë e tëhuajsimit autorit që flet në dialektin gegë. Por, standardi s’iu kryen punë as toskëve. Në fakt, përveç gjuhëtarëve të pasionuar pas saj s’i kryen punë askujt.

Kësisoj, në vend se gjuha t’i shërbente nevojave tona, ne po i shërbejmë rrebeve të saj. Unë nuk jam gjuhëtar (do të më vinte turp nëse do të isha në këtë rrethanë) por nevoja për një standard të ri ma merr mendja se është e qartë për secilin që është pjesë e këtij nënqielli gjuhësor.

Unë i kam 30 vjet. Nuk kam mësuar anglisht nga klasa e parë siç mësojnë fëmijët e Kosovës sot. Por, as unë shpesh nuk i shpëtoj tundimit për ta përdorur anglishten në vend të shqipes. E për shkak se më ka interesuar lidhja e gjërave të ndryshme me gjuhën, si ta zënë depresionit (sipas studimeve njerëzit më depresion zhvillojnë aftësi më të mëdha analitike, pra kanë nevojë ta zgjerojnë të menduarit) kam vërejtur tendencë që në komunikimin tim më intim, atë me veten, të mendoja në anglisht dhe jo në shqip. Brenda mendjes, besoj pajtoheni, nuk ka hile. Ka thjesht nevojë. E nevojat gjejnë rrugët më të shkurta e më të arsyeshme për t’u përmbushur.

Pra, anglishtja po bëhet gjithnjë e më shumë nevojë bazike. Jo thjesht nevojë për të lexuar filan libri a shikuar filan filmi a për të kryer filan pune, por nevojë për të kryer funksionet më elementare të komunikimit. Dikush mund të thotë se ato përmbushen edhe prej gjuhës shqipe? Mund të jenë kryer – ashtu siç mund të jenë kryer – për gjeneratat më të vjetra por jo për këto më të rejat.

Nëse vazhdon neglizhimi i këtij problemi madhor, atëherë e ardhmja e gjuhës shqipe thjesht... s’do të ekzistojë pas pak dekadash! Të paktën jo në Kosovë. Ose, do të ekzistojë thjesht mes fanatikësh të saj. Por, për shkak të nevojave bazike e jobazike, gjuha amtare thjesht do të braktiset në qoshet e mendjeve tona si një relikt i çmuar i një të kaluare të pakuptueshme.

Shenjat s’i keni veç te fjalët në anglisht të vajzës së bullizuar apo të rinjve tjerë në Kosovë por edhe brenda mendjeve tuaja që po ‘punojnë’ pa e ditur ju kundër saj.

Lajme të ngjashme