Afrimi i VV-së e PDK-së: A kanë lukth Albini e Memli që ta gëlltitin të kaluarën?
Java e mesit të majit, e karakterizuar nga shiu e vranësirat, do të mbahet në mend për dy ngjarje “historike”. E para ngjarje ndërlidhet me politikën e jashtme. Më saktësisht, me dështimin epokal të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Qeveria e Kosovës, përmes ministres Donika Gërvalla, dërgoi një letër në adresë të Këshillit të Evropës, në një përpjekje të fundit për t’u anëtarësuar në këtë institucion të rëndësishëm pan-evropian.
Përmes një letre të shkurtër, me disa gabime, kryeministri Albin Kurti, përmes Gërvallës, i mëshoi vijë të kuqe vijës së tij më të kuqe politike. Në këtë letër, Gërvalla, që në këtë rast po vepronte si goja bedele e Kurtit, u zotua se do të dërgonte një draft të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese - kusht i patejkalueshëm, sipas ndërkombëtarëve.
Rezultati? Dështim. Përkundër përpjekjes sfilitëse për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare, Qeveria Kurti dështoi që t’i fitonte zemrat dhe mendjet e ndërkombëtarëve për t’u anëtarësuar në KiE. Tashmë jo vetëm dera, por edhe dritaret e anëtarësimit në KiE janë të mbyllura për Kosovën. Së paku për një të ardhme të parashikuar.
Megjithatë, kjo letër na e vërteton edhe një herë mosbesimin e ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë Kurti. Për ndërkombëtarët, nuk mjafton zotimi i Qeverisë Kurti, por nevojiten hapa konkretë e të prekshëm. Mësimi themelor nga krejt kjo ndërmarrje është se mes Qeverisë Kurti dhe ndërkombëtarëve nuk ka më “bona fide” (mirëbesim).
Ndërsa ngjarja e dytë epokale bie në domenin e politikës së brendshme. Më konkretisht, ngjarja e dytë që e shënoi këtë javë ishte përafrimi i Lëvizjes Vetëvendosje me PDK-në, dikur armike të përbetuara. Është një ngjarje Historike, me H të madhe. Në një restorant, disi luksoz, në Prishtinë, pak pa rënë terri, u mblodhën udhëheqësit e VV-së dhe të PDK-së. Ishte takim i gjatë, ku kishte buzëqeshje e, me shumë gjasë, edhe dakordim për zgjedhje të reja e koalicion pas-zgjedhor (ndonëse të dyja të pathëna publikisht).
VV-ja dhe PDK-ja kanë ekzistuar si anti-pode të njëra-tjetrës. VV-ja synonte të mos ishte asgjë që PDK-ja ishte. Në botëkuptimin e VV-së, PDK-ja e trupëzuar në figurën e Hashim Thaçit e kishte tradhtuar idealin e UÇK-së e të dëshmorëve, duke hequr dorë nga bashkimi kombëtar. Mbi të gjitha, sipas VV-së, PDK-ja ishte parti e krimit të organizuar. “Shko, Hashim” – ishte klithja e Kurtit, që më shumë dukej si një dëshirë e kumtuar publikisht për dënimin e munguar të Thaçit për krime lufte.
Në anën tjetër, PDK-ja asnjëherë nuk e ka fshehur neverinë ndaj VV-së. Për PDK-në, VV-ja ishte parti terroriste, që kishte sulmuar me mjet shpërthyes e gaz lotsjellës Kuvendin e Kosovës. Dy orët që i kaluan me njëri-tjetrin Albin Kurti e Memli Krasniqi janë çastet kur e gjithë historia politike e 15 viteve të fundit e VV-së dhe PDK-së u kthye përmbys. Me një darkë, e kaluara armiqësore u hodh në koshin e plehrave të historisë.
Lukthi është organ tretës. Në aspektin fiziologjik, tretja nënkupton proces pothuajse të vazhdueshëm të përtypjes së diçkaje. Megjithatë, në këtë rast, bëhet fjalë për tretjen e fjalëve të thëna më parë. Pikërisht tretja e fjalëve do të jetë puna e radhës e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e PDK-së, që tash çuditërisht janë afruar si kurrë më parë.
Në thelb, gëlltitja e fjalëve është punë e mërzitshme, posaçërisht për politikanët që kanë një kompas moral e bindje të vërteta politike. Nuk di nëse Kurti e Krasniqi kanë problem me lukthin moral. Megjithatë, muajt në vijim do të jenë të rëndësishëm për të parë se sa tretëse të mira politikisht janë VV-ja e PDK-ja. Ndoshta është koha që të shtrojmë një pyetje themelore: a ekziston politika ndër shqiptarë?