Kosova jashtë agjendës për anëtarësim në KiE, kryediplomati shqiptar i kërkon Kosovës t’i kryejë obligimet - NACIONALE

Kosova jashtë agjendës për anëtarësim në KiE, kryediplomati shqiptar i kërkon Kosovës t’i kryejë obligimet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe zyrtarisht Kosova nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.

Ai i ka bërë thirrje Kosovës që t’i përmbushë sa më shpejt obligimet që i ka marrë përsipër.

“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike”, shkroi Hasani.

“Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, theksoi kryediplomati shqiptar.

Sipas tij, përmbushja e kushteve nga Kosova, mund të bëjë që të mbahet një mbledhje tjetër e Komitetit në të ardhmen e afërt.

“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur ç’ka i kemi borxh popullit të Kosovës”, ka shkruar Hasani.

Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka vlerësuar se Franca mendon se çështja e Kosovës në këtë fazë shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës.

Para fillimit të Ministerialit të Komitetit të Ministrave, ai ka thënë se çështja e anëtarësimin të Kosovës në këtë organizatë duhet të shqyrtohet më vonë.

“Kjo çështje duhet të shqyrtohet më vonë, kur (Kosova, v.j.) të kalojë rrugën që ne besojmë se kërkohet për ta kaluar atë”, ka thënë ai.

Ministri francez ka thënë shteti i tij do ta mbështes rrugëtimin e Kosovës.

“Megjithatë, Franca mendon se në këtë drejtim, Kosova ende duhet të kalojë një rrugë të caktuar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, ka thënë Barrot, raporton RTKlive.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës sot mban takimin vjetor, por çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk do të jetë në agjendë.

Kjo për faktin se Franca, Gjermani dhe Italia i kanë kërkuar Kosovës që para këtij takimi ta dërgon në Kushtetuese draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kushti kryesor për Kosovën ishte dërgimi i draftit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Pavarësisht një letre dje nga ministrja Donika Gërvalla ku theksohej zotimi për ta dërguar Asociacionin në Gjykatë deri në fund të majit, ajo nuk i bindi shtetet evropiane për ta future Kosovën në rendin e ditës.

Lajme të ngjashme