Huqja kardinale e Gërvallës: Opozita pretendon se kryediplomatja e dërgoi letrën në adresë të gabuar
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla sot ia ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos. Letra ku Kosova zotohet për hartimin e një draftit të ri të Asociacionit po konsiderohet si skandaloze.
Kjo për faktin se përmban gabime në përmbajtje dhe në formë.
Përveç që është gabuar emri i ministrisë dhe shtetit, aty pretendohet se është gabuar edhe adresa ku është drejtuar letra.
Partitë opozitare kanë deklaruar se shefja e diplomacisë ka drejtuar letrën të personi i gabuar.
Sipas deputetëve që kanë qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që kanë marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Gërvalla ka gabua rëndë.
Ata kanë bërë me dije se Asambleja Parlamentare e ka kryer punën e saj me Kosovën dhe kjo letër gabimisht është adresuar të presidenti i këtij institucioni.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka vlerësuar se letra e kryediplomates është propagandë.
Në profilin e saj në “Facebook”, Musliu-Shoshi, ajo ka shkruar se Asamble Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka dhënë qëndrimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Albin e Donikë, propagandën e mashtrimin ruane për konsum të brendshëm NUK iu ecë me shtetet e KiE—së! E para, dhe më e rëndësishmja adresimi i letrës është GABIM, sepse APKiE e ka dhënë qendrimin! E dyta, të anëtarësohesh në një organizatë duhet të tregosh seriozitet si shtet dhe JO shtet me surpriza pasi përçon pamaturi dhe kjo demton përceptimin që Kosova me vështirësi e ka ndërtuar, atë të shtetit serioz. Prandaj këto lëvizje e qëndrime të çoroditura janë shembuj jo ndihmës për një imazh të shtetit serioz. Maturia dhe pjekuria është një kriter i rendësishëm i konsolidimit të shtetit”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kosova ka aleatë besnik.
“E treta, mos merni hapa që t’i thuhet KiE-së se ne u treguam të gatshëm dhe përsëri ju nuk morët vendim???? Aleatët tanë janë basnik ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj, për të tjera diskutohet më vonë”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Edhe shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi, ka vlerësuar se Gërvalla e ka gabua adresën.
“Letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjësor dhe procedural. Kjo letër dërgohet pasi Kosova ka mbetur jashtë diskutimit të Komitetit të Ministrave. Problemi i dytë është që kjo letër i drejtohet personit të gabuar. Asambleja Parlamentare e ka kry punën e vet, nuk ke pse t’i thuash atij për Asociacionin. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare do të ishte ‘pse ma ke dërgu një letër mu’, kur kjo është jashtë fushës së Asamblesë Parlamentare”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, ky veprim është politikisht dhe teknikisht i gabuar.
“Raporti i Asamblesë Parlamentare nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit. Pastaj problemi i tretë është deklarimi se do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të muajit. Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, ka thënë Gashi.
Gabimet tjera
Ky nuk është gabim i vetëm në letrën Gërvalla-Schwarz. Aty ekziston edhe një gabim elementar në gjuhën angleze në emrin e ministrisë që Gërvalla-Schwarz e drejton.
Në krye të letrës, nën stemën e Republikës së Kosovës, në vend se të shkruhet “Ministry of Foreign Affairs and Diaspora”, është shkruar “Ministry of Foreing Affairs and Diaspora”. Pra, gabimi është te mbiemri “Foreign” (I jashtëm/e jashtme).
Në të njëjtën letër, emri i Kosovës ishte i shkruar në dy forma në gjuhën angleze – Kosovo dhe Kosova.
Në krye të letrës, nën stemën e Kosovës, në gjuhën angleze shkruhet “Republic of Kosovo”, ndërsa më poshtë në letër, kryediplomatja kosovare Kosovës në gjuhën angleze i referohet si “Kosova”, edhe pse komuniteti ndërkombëtar i referohet vazhdimisht si “Kosovo”, term tashmë i ngulitur në gjuhën angleze për vendin tonë.
Ndoshta Qeveria e Kosovës dhe, në këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të duhej të vendosnin nëse emri “Kosova” të përdoret në shkresat në gjuhën angleze edhe në krye të dokumenteve, nën stemë, e jo të dallojë në dy forma.