Gjendet e vdekur në Ukrainë gruaja e dyshuar për sulmin me bombë në Monako
Gruaja e dyshuar për kryerjen e një sulmi me bombë në Monako, ku mbetën të lënduar një multimilioner i sanksionuar ukrainas dhe familjarët e tij, është gjetur e vdekur, njoftoi shërbimi ukrainas i sigurisë, SBU.
Një operacion ndërkombëtar ishte nisur për Anastasiia Berezovska-s, ukrainasja për të cilën zyrtarët besonin se kishte ikur nga shteti i pasur pasi e kishte vendosur bombën në hyrjen e një blloku banesor më 29 qershor, raporton televizioni BBC.
Trupi i 39-vjeçares u gjet i varrosur në një pyll në rajonin e Kievit me plagë nga arma e zjarrit në kokë, sipas SBU-së dhe kryeprokurorit të shtetit.
Dy persona, përfshirë një oficer të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, janë ndaluar nën dyshimin për vrasje.
Berezovska arriti në Ukrainë dy ditë pas sulmit, më 1 korrik, tha SBU-ja në një deklaratë, duke i cituar burimet brenda organeve të rendit.
Dy të dyshuar u takuan me gruan në një veturë në një autostradë në rajonin e Kievit dy ditë më pas, i tha BBC-së zyra e kryeprokurorit.
“Viktima udhëtoi për një largësi të caktuar me ta dhe pas kësaj, u vra” – thuhet në njoftim.
SBU-ja tha se ajo kishte komunikuar me familjen e saj dhe me dy burrat pas hyrjes në Ukrainë – një ish-oficer i sundimit të ligjit dhe një oficer aktual në drejtorinë kryesore të inteligjencës në Ministrinë e Mbrojtjes.
Dy burrat u hetuan si bashkëpunëtorë të mundshëm në sulmin në Monako, duk u mbështetur në të dhënat se ato në mënyrë të përsëritur kishin transferuar fonde në “llogaritë bankare dhe kripto” të Berezovska-s.
Oficeri i inteligjencës më pas rrëfeu për vrasjen e gruas dhe tha se e kishte bërë këtë me “një të dyshuar tjetër”, tha agjencia./Nacionale