Gërvalla letër në KiE: Kosova do të përgatisë një draft tjetër për Asociacionin dhe do ta dërgojë në Kushtetuese
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se sot i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku zotohet sërish së Qeveria e Kosovës do ta zbatojë obligimin për Asociacionin.
Në këtë letër zotimi, ajo ka bërë me dije se Kosova do të përgatisë një draft të ri për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në statusin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se dokumenti do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Gërvalla.
Më tej, ajo është zotuar se drafti që do të hartohet nga Kosova do të ndalojë hyrjet nga jashtë.
“Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat. Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, ka shkruar ajo.
Ajo pretendon se më këtë zotim të ri Kosova ka përmbushin kushtin e ri që Franca dhe Gjermania ia kanë vendosur Kosovës për anëtarësim në KiE.
Sipas saj, tani Këshilli duhet ta kryej pjesën e punës së tij.
“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka shkruar Gërvalla.
Çka thotë letra?
Në letrën që Gërvalla ia ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, tregohet se Kosova është duke e përgatitur një draft të ri.
Aty bëhet e ditur se Kosova këtë draft do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.
“Pas letrës së zotimit të datës 23 mars 2024 të nënshkruar nga lidershipi politik i Kosovës, përkatësisht presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, po ju shkruaj për t'ju informuar për hapat konkretë që po ndërmarrim në përputhje me angazhimet tona pas votimit për anëtarësim. Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin si një nga zotimet e pas-anëtarësimit”, thuhet në letër, duke shtuar institucionet e Kosovës janë duke punuar në zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë të Brukselit.
“Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për të marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e ministres Gërvalla.
Sipas letrës, drafti do të jetë i ngjashëm me atë të propozuar nga Fondacioni Friedrich Ebert.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (në kuadër të obligimeve të parapara në nenet 7 dhe 10), të frymëzuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit 2024”, thuhet në letër.


Franca dhe Gjermania prej disa javësh i kanë kërkuar Kosovës që para mbledhjes se Komitetit të Ministrave të KiE-së, i cili do të mbahet më 16-17 maj të dërgon në Kushtetuese draftin e Asociacionit të cilin e ka pranuar me Marrëveshjen Bazike të Brukselit.
Javën e kaluar kryeministrin Albin Kurti para kabinetit qeveritar e ka pranuar se Kosova ka një kusht të ri për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Gjithashtu, ai ka bërë me dije se Kosova nuk do ta pranojë një kusht të tillë.
Për këtë arsye, në takimin që është mbajtur të martën, ambasadorët e vendeve anëtare të KiE-së nuk e kanë futur në agjendë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.