Hyseni: Abdixhiku të mendojë para se të bëjë fizkultura, në LDK ka hyrë një virus i ri
Skënder Hyseni, politikan e anëtar i LDK-së, ka folur gjerë e gjatë për aktualitetin në intervistën dhënë gazetarit Muhamet Koci të Nacionales. Por ajo që ra në sy ishin kritikat e shumta që i ka për LDK-në e Abdixhikut.
Ai paralajmëroi se LDK-ja po rrëshqet drejt komunizmit teksa tha se Lumir Abdixhiku, kryetar i tanishëm i LDK-së, duhet të mendojë para se të diferencojë.
“Pas demonstratave të vitit ‘81, komitetet partiake të Lidhjes së Komunistëve të ish-Jugosllavisë e të Kosovës bënin grupe për diferencimin e njerëzve, që nuk pajtoheshin me ta. Ato diferencime përfundonin me burg për këta të diferencuarit dhe të distancuarit. Prandaj ky Abdixhiku, para se të bënte fizkultura të tilla, duhet të mendojë shumëfish”- ka thënë Hyseni, duke shtuar se LDK-ja, pa e dëgjuar intervistën e tij, është rreshtuar krah Kurtit e Osmanit.
Ai madje tha se në LDK ka hyrë një virus i ri.
“Unë vërtet nuk e kuptoj çfarë do ta ketë shtyrë LDK-në, nuk i është referuar askush LDK-së. Madje unë çdo herë e bëj të qartë se flas në emrin tim personal. LDK-ja nuk ka distancuar asnjëherë askënd. Nuk ka diferencuar asnjëherë. Prej Vjosa Osmanit deri te Lumir Abdixhiku, madje edhe kanë votuar kundër vendimeve të LDK-së, por edhe atëherë, nuk i ka distancuar askush. Është një virus si duket i ri që është futur në LDK me ata që pretendojnë që ne duhet të turpërohemi nga e kaluara e LDK-së”- ka thënë ai.

