Grenelli e tepron në Beograd - del kundër njohjes dhe kërkon largimin e trupave të KFOR-it
Ish-përfaqësuesi i ish-presidentit Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka ardhur me një tjetër deklaratë të çuditshme.
Madje, me plot gojë mund të thuhet se edhe e ka tepruar. Kjo pasi, në një bashkëbisedim me studentë, siç preferoi ta etiketojë ai, tha se KFOR-i duhet të largohet nga Kosova.
Jo vetëm kaq, ai mendon se termi njohje duhet të hiqet nga dialogu.
Grenell gjithashtu apostrofoi edhe fajtorët, që sipas tij po ndikojnë në mosarritje të marrëveshjes.
I pari, gjithnjë sipas tij, është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa i dyti, Bashkimi Evropian.
BE-ja është fajtore pasi është duke e zhagitur këtë çështje, ndërsa Grenell vazhdoi me kritika për Angela Merkel, administratën Biden, por edhe ndaj sektorit të OJQ-ve.
Siç shkruan Danas, Richard nuk mendon se procesi i Brukselit që flet për njohjen dhe mosnjohjen e Kosovës nuk e zgjidh problemin.
Kujtojmë faktin se ish-emisari i Trump ka qenë goxha kritik ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurtit.
Madje, raportet e tyre kishin shkuar deri në atë masë, sa militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, e patën bullizuar atë përmes rrjeteve sociale, për faktin se është homoseksual.
Grenell, shpeshherë ishte akuzuar se punon për Serbinë dhe lobon për ta, por që këto zëra i ka mohuar vazhdimisht vetë ai.

