Skandali i Kryeprokurorit Buzhala, anulohet menjëherë konkursi në Gjakovë, Pejë e Prizren
Është anuluar konkursi për bashkëpunëtorë në tri komuna, Gjakovë, Pejë e Prizren.
Kjo ka ardhur pak kohë pas publikimit të skandalit nga Kallxo.com, skandal ky ku shihet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, duke i dërguar pyetje një “Adeline”, por që “për fatin e tij të keq”, ia dërgoi gazetares me emrin Adelinë.
Kjo e fundit më pas e pyeti më në detaje për mesazhin e pranuar, ndërsa veç në atë rast Buzhala e kuptoi se punën e kishte 'pisk'.
Anulimi i konkursit
Njoftimin për anulim të konkursit e dha Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron opinionin publik se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe, në bazë të autorizimeve që ka, do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Po ashtu, edhe U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, njofton opinionin publik se do të anulohet në tërësi konkursi për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesionalë për prokuroritë themelore në Gjakovë, Pejë dhe Prizren duke e kthyer atë në pikën zero. Për më tepër, U.D. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit, në bazë të autorizimeve të tij, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj anëtarëve të komisionit të këtij procesi”, thuhet ndër tjerash në komunikatën respektive.
Për këtë çështje ka folur edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ka thënë se prova e sotme është e mjaftueshme për t’i filluar hetimet.
“Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve pra për procese të kurdisura.Lajmi i sotëm nga portali kallxo.com, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij.Tejkalimi i detyrave, favorizimi i kandidatëve dhe keqpërdorimi i pozitës nuk duhet të tolerohen!”, shkroi mes tjerash Haxhiu.
Djali mbron babanë
Ndërkaq, pak kohë pas rastit reagoi edhe i biri i Kryeprokurorit Buzhala, Mentori.
Ky i fundit përmes një postimi në Facebook kritikoi mediat për etiketim të gabuar të babait të tij.
“T'kish qene person qysh po pretendojn mediet tona, qe eshte person qe ndikon ne konkurse dhe favorizon persona t'caktum, une sot do t'isha i kyqun lart ne Sistemin e Drejtesise, po sa per informat, perkunder tentimeve me u kyq ne Sistem (me meritokraci) nuk kam arrit dhe prej deshprimi sot pres Vize per pune dhe studime per jashte vendit edhe pse jam me Kualifikim Superior - Jurist i Diplomuar, qe nga viti 2017, ata qe m'njohin e dijn qe eshte e vertete”, thuhej në shkrimin pa ndërhyrje të djalit të Kryeprokurorit që dyshohet të ketë keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
