Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu është kthyer sërish opozitës, pasi në zgjedhjet e kaluara dështoi të bënte kompromis për çështjen e Presidentit.
Kurti, tashmë si fitues i zgjedhjeve, i takon e drejta për formimin e Qeverisë, ndërsa ka ftuar në takim liderët e ish-opozitës parlamentare, pasi për të zgjedhur Presidentin i duhen së paku 80 vota.
Kurti, me 53 mandate të fituara dhe së bashku me partitë jo-serbe, mund ta krijojë i vetëm Qeverinë, mirëpo kur bëhet fjalë për Presidentin, i duhet një partner nga partitë ish-opozitare.
Kurti i ka ftuar në takim të enjten, ditën kur ka filluar numërimi së prapthi për krijimin e institucioneve, pasi, siç thotë Kushtetuta, Kuvendi duhet të formohet më së largu 30 ditë nga shpallja zyrtare e zgjedhjeve.
Bedri Hamza i PDK-së, tha se është i gatshëm për takim me Kurtin në orën 09:00, por jo në ndërtesën e Qeverisë. Takimi, sipas tij, duhet të ndodhë në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Edhe lideri i LDK-së ka konfirmuar takimin me Kurtin sot në orën 18:00.
Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, tha se LDK-ja mbetet e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja.
"Sot kam pasur një letër, ftesë për takim me Kurtin, në formatin një plus një... dhe do t'i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Le të jetë takimi i parë", deklaroi ai.
Ndërsa Aleanca e Gjinit nuk ka pranuar të takohet me Kurtin.
Gjini ka publikuar përgjigjen e tij për Kurtin, duke shkruar se Aleanca i ka gjashtë kushtet e saj të 26 qershorit, dhe se rrjedhimisht nuk e sheh të nevojshme takimin.
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik,” tha ai.
Por ende nuk dihet se çfarë "oferte" do t'u bëjë Kurti Hamzës dhe Lumirit për t'i bindur që të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e Presidentit.
Të mërkurën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69 për qind të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 për qind të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 për qind të votave.
Duhet theksuar se afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nisur zyrtarisht më 9 korrik 2026, një ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Nenit 66 të Kushtetutës dhe interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda këtyre afateve.