Skandali me pyetjet e testit nga kryeprokurori i Gjakovës, reagon Kryeprokurori i Shtetit - NACIONALE

Skandali me pyetjet e testit nga kryeprokurori i Gjakovës, reagon Kryeprokurori i Shtetit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka dërguar disa pyetje në adresë të gazetares së Kallxo.com, ku thotë “Këto janë pyetjet për testin me shkrim”. Gjithashtu, i njëjti i thotë Adelinës ta shfrytëzojë kohën deri në ora 13.

Buzhala më pas është kontaktuar nga gazetarja e mediumit, ama pastaj e ka vërejtur se pyetjet i ka dërguar gabimisht.

Kallxo.com ka mësuar se pyetjet kanë qenë për testin me shkrim i cili ka pasur të mbahet sot brenda objektit të ish-Rilindjes për bashkëpunëtorë profesionalë.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është dicka…”, dëgjohet të thotë kryeprokurori.

Buzhala refuzoi të përgjigjet në pyetjet e gazetares dhe në fund tha se s’po dëgjohet mirë, pastaj lidhja është shkëputur.

Gjatë bisedës, kryeprokurori dëgjohet teksa thotë “kuku q...n....”.

Në njërën nga sekondat e bisedës, dëgjohet prokurori deri sa shprehet “kuku. Q….n…. dhe mbyll telefonin”.

Gazeta Nacionale ka tentuar ta kontaktojë kryeprokurorin për të marrë një përgjigje, por i njëjti s’është përgjigjur.

Gjithashtu Gazeta Nacionale ka raportuar për dyshime për dallavere në konkurs për bashkëpunëtorë profesionalë.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se pas raportimit në media ka arsye të mjaftueshme për të nisur hetimet ndaj kryeprokurorit dhe supsendimin e tij.

"... që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij" - shkruan ministrja Haxhiu.

Përditësim

Për këtë çështje ka folur edhe Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës, duke thënë se të gjitha veprimet e nevojshme do të ndërmerren për dyshimet për keqpërdorimet e mundshme nga ana e gjyqtarit Buzhala.

"Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton opinionin publik se Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi", thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.

Lajme të ngjashme