Gjermania do të blejë raketa “Tomahawk” nga ShBA-ja
Gjermania do të blejë raketa “Tomahawk” nga Shtetet e Bashkuara dhe do t’i vendosë ato në territorin e vet, tha të enjten kancelari gjerman, Friedrich Merz, veprim që paraqet ndryshim nga planet e mëparshme, kur parashikohej dislokim i municionit amerikan në shtetin evropian.
Merzi tha para deputetëve se e ka nënshkruar marrëveshjen me administratën amerikane në margjina të samitit të NATO-s në Ankara, duke shtuar se në takimet e së martës dhe të mërkurës ishin tejkaluar pritjet e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne do të mbyllim një boshllëk strategjik kritik në mbrojtjen tonë, ndërkohë njëkohësisht po punojmë për t’i zhvilluar sistemet tona evropiane dhe për t’i vendosur ato në Evropë” – tha ai.
Sipas burimeve qeveritare gjermane, Uashingtoni u zotua në një letër qëllimi të nënshkruar të martën që në gusht ta japë miratimin që Gjermania të prodhojë raketa “Tomahawk” dhe raketahedhës tokë – ajër “Typhon”.
Numri i raketave dhe raketahedhësve që Gjermania planifikon t’i blejë nuk është zbuluar, pasi një gjë e tillë cilësohet informatë e klasifikuar.
Blerja e planifikuar e raketave duket se bie në vijë me thirrjet e presidentit amerikan, Donald Trump, që aleatët evropianë të paguajnë për sigurinë e vet, për shembull duke blerë armë të prodhimit amerikan.
Gjermania e prodhon raketën e vet me drejtim, “Taurus”, por rrezja e saj e veprimit prej rreth 500 kilometrash është tri deri në pesë herë më e shkurtër se ajo e raketës “Tomahawk”./Nacionale