16 shtator: Gjykata e Hagës e shtyn sërish aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së - NACIONALE

16 shtator: Gjykata e Hagës e shtyn sërish aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë kanë vendosur edhe një herë të shtyjnë shpalljen e aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, katër ish-figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimisht, vendimi pritej të jepej në muajin maj, më pas u zhvendos për korrik, ndërsa tani është caktuar për datën 16 shtator 2026, në orën 10:00.

“Trupi Gjykues shpjegoi se koha e nevojshme për kuvendimet ishte zgjatur në përputhje me Rregulloren, për shkak të vëllimit të madh të provave të marra dhe kompleksitetit të procesit gjyqësor, dhe se kjo zgjatje përligjej nga nevoja për të bërë një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të dokumentacionit të çështjes”, thuhet në njoftim.

Kjo shtyrje e fundit e zgjat edhe më tej një proces që tashmë ka kaluar disa afate të paralajmëruara.

Ish-krerët e UÇK-së u transferuan në paraburgim në Hagë në fillim të nëntorit 2020. Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave përfundoi në dhjetor 2025. Deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt 2026.

Gjatë këtij procesi kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, shumica e të cilëve janë thirrur nga Prokuroria. Përveç tyre, kanë marrë pjesë edhe dëshmitarë nga mbrojtja dhe përfaqësues të viktimave. Në këtë rast janë përfshirë gjithashtu 156 viktima.

Aktakuza, e dorëzuar në shkurt 2023, përfshin një sërë akuzash për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas Prokurorisë, këto krime dyshohet se janë kryer gjatë periudhës 1998–1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit i kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet dhe janë deklaruar të pafajshëm që në paraqitjet e tyre të para në gjykatë në vitin 2020.

Në përfundim të gjykimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë për të gjitha akuzat dhe të dënohen secili me nga 45 vjet burgim.

Dhomat e Specializuara janë krijuar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës, me qëllim trajtimin e krimeve të pretenduara gjatë dhe pas luftës. Edhe pse janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, ato funksionojnë në Hagë dhe drejtohen nga staf ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme