Erdogani u jep udhëheqësve të NATO-s nga një revolver pas samitit
Kryeministri i Belgjikës ishte paksa i befasuar, kur u kthye në atdhe nga samiti i NATO-s që u mbajt të mërkurën në Turqi, pasi mori vesh se në valixhe kishte një pistoletë dhe municion.
Pas mbledhjes së udhëheqësve të NATO-s në Ankara, pritësi i tyre, presidenti turk, Rexhep Erdogan, i dha secilit nga një dhuratë të pazakonshme: revolver i stilit të vjetër, bashkë me plumba të vërtetë, duke treguar se dhurata nuk ishte vetëm për shfaqje, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Erdogani dëshiroi që ta dëshmonte industrinë e mbrojtjes të Turqisë, e cila është bërë mjet kyç i eksportit dhe i politikës së jashtme.
Në fotografitë që i publikoi zyra e presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda, shihet revolveri “Gumusay .357 Magnum”, pistoletë e rrallë e prodhuar nga kompania turke MKE në vitet e nëntëdhjeta.
Zëdhënësi i kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, tha se të gjithë udhëheqësve u është dhënë modeli i njëjtë i pistoletës, por me emrat e tyre të gravuar në armë.
Një burim i Qeverisë britanike tha se pistoleta që iu dhurua kryeministrit Keir Starmer erdhi me pajisje pastrimi dhe 500 plumba.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen synon që t’ia dhurojë pistoletën një muzeu ushtarak, ndërsa udhëheqësi i Greqisë planifikon që t’ia dorëzojë Muzeut të Luftës në Athinë.