Arrestohet ish-prokurori special Ali Rexha - dyshohet se kanosi prokurorin Lulzim Sulejmani
Është arrestuar ish-prokurori special Ali Rexha.
Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, e cila tha se i njëjti dyshohet për kanosje.
“Po, sot me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar, për veprën penale ‘kanosje’”, tha Ulaj.
Rexha dyshohet se ka kërcënuar prokurorin Lulzim Sulejmani.
Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate e ka dënuar kërcënimin ndaj prokurorit Sulejmani në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Këto kërcënime serioze ndaj Prokurorit Sulejmani vijnë si rrjedhojë e angazhimeve të prokurorit në kuadër të aktiviteteve të tij në proceset disiplinore, të realizuara kohë më parë, ndaj ish-pokurorit special, Ali Rexha.
Këshilli Prokurorial qëndron fuqishëm në përkrahje të prokurorit Lulzim Sulejmani dhe ofron mbështetje të plotë në punën e tij gjatë ushtrimit të funksionit si Prokuror i Shtetit”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.
