Tash që Manifesta iku, pikëpyetjet pikturojnë Prishtinën - NACIONALE

Tash që Manifesta iku, pikëpyetjet pikturojnë Prishtinën

2 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Hapësira e objekte të cilat qytetarët edhe si kuptuan se u bënë për ta, por që i shërbyen shumë mirë tre mujorit të Manifestës në Prishtinë. Por çka do t’i mbetet Prishtinës për tu përdorur dhe kujt në Prishtinë i hyjnë në punë këto intervenime? Për disa objekte as Manifesta, as Komuna e as Ministria, nuk kanë asnjë ide se çfarë do të ndodhë, bie fjala për “Tulltoren” ose “6 katet e Hotel Grandit”, kur veprat artistike dhe konceptet kuratoriale të shkruara me gjuhë të rafinuar të artit bashkëkohor do të largohen nga aty. Asnjë investim i bërë në ato gjashtë kate nuk do ta ketë më ndonjë kuptim.

Për të tjera intervenime, që kjo treshe thotë se ka plane, informatat deri tash janë përgjithësuese: tregohet plani sesi do të funksionoi, e për çfarë aktivitetesh mund të shërbej, por mungon pyetja kryesore: cilit komunitet në Prishtinë do t’i hynë në punë këto objekte?

Ky është edhe thelbi i kësaj analize të gjatë, ekzaminuese të Manifestës:

Sa kushtoi Manifesta në Prishtinë?

Organizimi dhe mbajtja ka kushtuar fiks 5 milionë e 376 mijë e 701 euro. Prej tyre, 3.1 million Manifesta thotë se i ka investuar direkt në Kosovë. Kjo shumë e bënë “Manifestën” ngjarjen më të madhe dhe më të shtrenjtë kulturore që është mbajtur në Prishtinë, por ndoshta edhe në Kosovë. Por sa saktësisht para janë harxhuar nga buxheti i shtetit, nuk dihet, por sillet rreth 3 milion euro. Fincancuesi më i madh ka qenë Qeveria e Kosovës përmes Minsitrisë së Kulturës.

Si u harxhuan paratë e Qeverisë dhe Komunës?

Çka është bërë me paratë e shtetit nga Manifesta? Ku janë shpenzuar? Çka e si është paguar? Shumë pyetje të tilla nuk kanë njëherë përgjigje të detajuara, pasi Manifesta ka caktuar muajin Mars si kohën kur ata do të barazohen me Ministrinë dhe Komunën. Deri në Mars ne duhet të shërbehmi me disa të dhëna përfundimtare që kanë dalë nga një raport i konferencës përmbyllëse të Manifestës. Por ne i kemi numrat në vija të trasha.

Sa investoi Manifesta në Kosovë?

Manifesta thotë se ka investuar direkt në Kosovë fiks 3 milion e 198 mijë euro. Më së shumti krenohet se ka investuar në edukimin e punëtorëve nga Kosova dhe angazhimin e shumë artistëve lokal në ekspozitë.

Investimi kryesor: Prodhimi artistik dhe pagesat e artistëve + marketingu

Fiks 1.7 milion euro thotë se “investoi në prodhimin artistik të sistemit kulturor kosovar e rajonal”. Me 1 milion prej tyre janë paguar 103 artistët pjesmarrës, 39% prej tyre artist lokal.

Fiks 250 mijë euro janë shpenzuar në atë që Manifesta e quan “komunikim” dhe 183 mijë euro “në operim”. Shumë pikëpyetje mbi këto shpenzime, por duhet pritur Marsi.

A kanë hair artistët lokal pas Manifestës?

është ende herët të thuhet. Ajo që dihet është se disa nga punët e artistëve vendor sikurse Petrit Halillaj në Grand, Flaka Haliti tek Pallati i Rinië, kolicat e Lulëzim Zeqirit afër dhe shtëpinë mbindërtim të Alban Mujës mbi objektin e ish-Gërmisë do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe për një kohë. Edhe për sa, nuk dihet e as nga kush varet saktësisht. Të tjerë artistë do të presin nëse plani i Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës për të “blerë disa prej punimeve artistike me autorësi të artistëve kosovarë dhe pjesëmarrës rajonalë të Manifesta 14 Prishtina”, do të funksionoj. Në buxhetin e vitit 2023 ndoshta.

Hair ndoshta, por edhe pak përqindje!!!

Manifesta i ka dhënë vetës një rol të çuditshëm në këtë shit-blerje të veprave të artit, që hedhë pikëpyetje mbi përfshirjen e Manifestës në ndonjë përqindje fitimi nga shitja e tyre. Nacionale nuk ka parë asnjë kontratë me artistët lokal dhe nuk mund të ofroj verifikim të kësaj, por supozon bazuar në praktikat e ndërmjetësuesve në shit-blerjen e veprave të artit.

“Manifesta 14 po lehtëson këta dialogë mes pjesëmarrëve (lexo: artistëve) dhe organeve të komunës dhe kombëtarë (lexo: Ministrisë)”, kështu shkruan Manifesta, teksa tregon se “kanë krijuar një strukturë ku këto punime do të ruhen, dhe do të shërbejnë si shtresa e parë e kolekesionit të së ardhmes për muzeun e paramenduar”. Veprat, Shitja, Blerja, Artistët, Galeria, lehetësuesit. Por përderisa nuk kemi fakte, vazhdojmë t’i besojmë dëshirës për “lehtësim të dialogut”.

Investimi i dytë: Paga, trajnime, shpenzime…

Mbi 200 veta i punësoi në një periudhë 100 ditore. Për këtë ka shpenzuar 850 mijë euro nën shpjegimin “ngritje të kapaciteteve për stafin në Prishtinë”.

A janë shumë pare?- Kjo ende nuk dihet. Por duhet potencuar se stafi i angazhuar me shumicë në pozitën guide dhe mikëpritësa bashkë me të tillë që kanë kryer shërbime, nëpër lokacionet e Manifestës bashkë me stafin që kanë punuar në ideimin dhe prodhimin e qindra ngjarjeve, ka qenë i kënaqshëm. Përjashto ngjarjet me masë të madhe, sikurse Nata e Hapjes së Bienales apo ngjarje të tjera, kryesisht të jetës së natës dhe klubing. Se sa kanë përfituar profesionalisht nga kjo përvojë do të shihet në punët e ardhshme që do të bëhen si vazhdimësi e Manifestës. A do të jenë stafi në të cilin është investuar ata që do të drejtojnë ose menaxhojnë e punojnë në punët e pa kryera që i ka lënë Manifesta.

Investimi i tretë: Ndërhyrjet urbane dhe intervenimi në objekte e hapësira publike

Fiks 764 mijë euro janë shpenzuar në projekte urbane si restaurimi dhe rigjallërimi i ish-bibliotekës “Hivzi Sylejmani", "Korridori i Gjelbër" dhe të paturit qasje publike në Grand Hotel Prishtina.

Ekzaminimi dhe vlerësimi i këtij intervenimi është bërë, bazuar në disa pyetje të thjeshta logjike që janë përdorur për të gjitha hapësirat ku është intervenuar, për të nxjerrë një pasqyrë sa më reale dhe të qartë për Manifestën në qytet dhe qytetin pas Manifestës.

Cila ka qenë gjendja e objekteve ose hapësirve para se të intervenohet në to? Çka ka intervenuar Manifesta në këto objekte dhe hapësira? Sa ka investuar në to? Cilat janë planet për ato objekte e hapësira dhe mbi të gjitha çka duhet të investohet që të arrihet plani?

Lajme të ngjashme