Manifesta la një parking dhe një "pishinë" mes mureve të rrënuara - a do t'i mbijetojë "Tullëtorja" fillimisht dimrit? - NACIONALE

Manifesta la një parking dhe një "pishinë" mes mureve të rrënuara - a do t'i mbijetojë "Tullëtorja" fillimisht dimrit?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Fabrika e Tullave 4/10 - një ndërhyrje eksperimentale e cila prodhoi një intervenim konceptual por jo praktik. Një parking me zallë e beton, mure të prishura dhe një pishinë mes objektit që nuk mund të përdoret dimrit

Çka ka qenë? - Një hapësirë e mbushur me bërllok. Nga qyteti, ai vend dallohej për dy qyngat e mëdha që simbolizojnë Fabrikën e dikurshme të Tullave.

Çka bëri Manifesta? - Pastroi gjithë hapësirën dhe e shndërroi oborrin e saj të madh në një hapësirë të shtruar me zallë, në të cilën mbajti disa aktivitete kryesore, përfshirë hapjen dhe mbylljen e Bienales. Brenda mureve gjysmë të rrënuara të ish-Fabrikës, grupe të ndryshme punuese ndërhynë duke krijuar hapësira alternative - përfshirë edhe një pishinë brenda hapësirës - që u përdorën për punëtori dhe për aktivitete të tjera të Bienales.

Sa ka investuar? - Nuk dihet ende

Fotografitë: Visar Kadrolli/Nacionale/ Nëntor 2022

Cili është plani pas Manifestës? - Sipas Manifestës, Komuna e Prishtinës ka marrë përsipër që të vazhdojë investimin, dhe të krijojë një hapësirë të re kulturore me program të sajin. Se çka do të përfshijë ajo hapësirë dhe ai program nuk dihet. Në ndërkohë Komuna dhe Ministria e Kulturës kanë premtuar se do të bëjnë një plan 5 vjeçar për “programin e institucioneve të reja të planifikuara të zhvillohen po aty”. Një postimi 6 nëntorit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, lë të nënkuptohet se "aty ka nisur rivitalizimi i Tullëtores", por pa dhënë detaje.

Çka duhet të investohet që të arrihet plani? - Hapësira industriale e ish-Fabrikës së Tullave në formën si është lënë nga Manifesta nuk i përmbushë kushtet që të zhvillojë aktivitete të rregullta gjatë dimrit. Hapësira e ish-Fabrikës është e hapur dhe qëndrimi aty gjatë dimrit është i pamundur.

Për të arritur deri tek krijimi i një hapësire që do t’i hynte në punë komunitetit, dhe ku do të mund të mbahej një program kulturor, asnjë investim nuk planifikuar në Buxhetin 2023. Shpresa mbetet tek rishikimi i buxhetit. Pastaj dilemat se si do të menaxhohej ajo hapësirë, dhe nga kush, e vënë edhe më shumë në pikëpyetje realizimin e planit. Nuk do të ishte keq, një “Termokiss” për komunitetin e pavarur të kulturës apo një “hangar” në stilin e “Autostrada Bienale” në Prizren.

Lajme të ngjashme