Rikthimi i Butës dhe i artit të fryrjes me Erën – goditje apo huqje? Qe çfarë ndjesish më dhanë tre minutat e këngës - NACIONALE

Rikthimi i Butës dhe i artit të fryrjes me Erën – goditje apo huqje? Qe çfarë ndjesish më dhanë tre minutat e këngës

3 javë më parë

nga Burim Pacolli

Era Istrefi dhe Buta në të njëjtën këngë është diçka që thjesht ka kuptim dhe logjikë, përveçqë edhe është pritur për një kohë të gjatë nga plot njerëz prej popullatës së rëndomtë - goditje apo huqje? Epo... më jepni pak minuta.

Vargu i parë i Butës, pasi u shndërrua në lajm nacional, nuk jep kurrfarë shenje për ndryshim të qasjes apo përmbajtjes në të cilën mund të lexosh mes rreshtave për ndonjë referencë për atë që ndodhi para pesë muajve në Ferizaj.

Jo se po prisja realisht diçka të tillë në një këngë me Erën, por meqë është njëfarë "rikthimi" i tij pas ndodhisë tragjike, vlen të përfshihet në narracion.

Era, në anën tjetër, duket se i ka lënë prapa sfidat dhe aventurat e saja ndërkombëtare, pasi u shndërrua në sensacion me "Bon Bon", për të kuptuar eventualisht se devijimi nga origjinaliteti që e kishte - i cili pikërisht ia dha famën më të madhe në karrierë, dhe filozofitë e menaxherëve e kompanive të huaja, të cilët tentuan ta shndërronin në një tjetër klishe të dukshme kudo - thjesht nuk funksionon.

Sidoqoftë, tash ajo duket goxha aktive në zbatimin e Planit B, që është rikthimi i vëmendjes nga populli shqipfolës.

Në fakt, me shumë gjasë, kurrë më nuk do ta shohim atë Erën e "Bon Bon"-it dhe "E dehun"-it dhe tash duhet të mësohemi me atë "kukullën" e glamurit nganjëherë patetik dhe me qëndrimin "dua të jem seksi e provokative". Kjo metodë kishte funksionuar për një kohë të gjatë, por populli tash, dalëngadalë, - edhe për shkak të mbistimulimit me gjëra të tilla - po kërkon diçka më shumë, përtej mbushjeve e standardeve joreale të bukurisë, që shfaqen për 2 - 3 minuta përgjatë një kënge.

Sinqerisht, kur e shoh Erën te "E dehun" dhe sharmin e saj tundues në kombinim me stilin psikodelik dhe e analizoj Erën e kohëve të fundit, më vjen ta godas murin me kokë. Pse? Sapo kisha filluar ta bindja veten se dikush njëmend është e interesuar të sjellë më shumë vizualisht sesa një trup fitnesi e ca prerje stilistike patetike sa për të zbuluar muskuj trupi. Tash duhet ta mbyll njërin sy dhe t’i ul standardet me atë mendimin: "ok, bon për Kosovë".

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, Era Istrefi është prej të vetmeve që realisht futem në YouTube për ta dëgjuar me interesimin se çka ka sjellë, kur dëgjoj se ka publikuar material të ri. Në fakt, kënga e saj, "TKRKT", mendoj fuqishëm se është një prej më të mirave që kam dëgjuar nga artistet gra të estradës në vitet e fundit.

"Po du me t'feel on my body, njoni u ngulë n'mu si n'koko, po don me investu n'mu si kripto" - absolutisht e dua. Për muaj të tërë nuk mund ta hiqja nga koka.

5AM

Respekt masiv që kësaj radhe u vendos për një instrumental të tillë - të relaksuar, e me tinguj paksa më bashkëkohorë, pasi ajo që Era e kishte publikuar së fundmi me Don Xhonin - o Zot i madh - ishte tmerr në vete.

Në fakt, gjithçka kishte më shumë kuptim, kur u futa në hapësirën kredenciale të këngës dhe pashë që "beat"-i i "5AM"-it ishte bërë nga dy producentë të huaj.

Nuk është se dua të denigroj ose të tregohem tendencioz ndaj producentëve lokalë, por thjesht një instrumental i tillë si ai i "Hala"-së janë arsyeja pse unë kam vetëm 3 – 4 këngë shqip në listën e dëgjimit me mbi 300 këngë.

"I kom dy zemra, njo t'ftohtë, njo t'nxehtë.

I kom dy ftyra, njo t'bardhë, njo t'zezë.

I kom dy shoqe, njo t'zezë, njo kinezk

Jena turnt, jena dhezë, jena turnt, jena dhezë".

Veç me këta katër rreshta, për mua, e kreu punën Era. Mendoj se nuk është as për së afërmi gjëja më e mirë që e kam dëgjuar ndonjëherë, por është më e mirë se 90 për qind e gjërave që dëgjoj nga artistet gra në Kosovë, kur flasim për muzikë zbavitëse dhe komerciale. Në fakt, të gjitha gjykimet, aludimet dhe pretendimet në këtë artikull jepen vetëm brenda kornizave të kësaj logjike.

Mënyra se si fryhet Era në këtë këngë, është pikërisht ashtu si Tayna, Melinda e të tilla, mundohen ta bëjnë, por dështojnë, më së shumti për shkak të stilit dhe finesës urbane që kërkohet për gjëra të tilla.

Kur flasim për artin e fryrjes dhe adrenalinën që ta jep, kur interpretohet e ekzekutohet si duhet, hidhini një sy vargjeve më poshtë (teksti është marrë nga një uebfaqe e rëndomtë, andaj mos më mbani përgjegjës për gabime potenciale):

im a rich shit bi**h international
mun mem pa n’Evropë me naj fashion shou
diamanta n’qafë, diamanta n'orë, diamanta n’vesh, diamanta n'dorë

une jom rich young lady, jom kejt çka nuk je ti
trend boj, nuk ndjeki, jom fly deri t’deki
privat osht jeti, imma fly jasht’ shteti, me naj ishull n’deti
qaty ku s’je ti

Kur flasim për artin e fryrjes, kjo e bën të vlejë, padyshim. Nuk është se interpretohet me eksplozivitet marramendës, sa kanë potencial këta rreshta, por pa dyshim se kjo është ajo që dua ta dëgjoj.

Ajo çka i bën edhe më mbresëlënëse për mua këto vargje, është besueshmëria. Fillim e fund, absolutisht i besoj gjithçkaje që e thotë Era, të cilën mund ta paramendoj në një ‘’fashion shou’’ në Evropë, edhe aksesorët me diamante nuk duket të jenë të pakapshme për të (gjykim subjektiv), marrë parasysh shpërthimet e saj globale me ‘’Bon bon’’ dhe një këngë për Kupën e Botës me emra si Will Smith, të cilat mjaftojnë t’i siguruar një jetesë luksoze.

Kur thotë “trend boj, nuk ndjeki”, po ashtu e kuptoj logjikën, edhe pse nuk pajtohem se mund ta bëjë më me humbjen e origjinalitetit, siç shpjegova në fillim.

Sa i përket avionit privat, i kam dyshimet e mia, edhe pse me siguri se ajo mund të ketë shijuar ndonjë udhëtim me të – nuk di, nuk është se rri me telefon në dorë dhe i pres postimet e Erës nga avioni privat në Instagram – mos më ngatërroni me gazetarë shoubizi. Sa u përket pushimeve në ndonjë ishull në det, është krejtësisht e besueshme, pasi nuk është diçka shumë e paarritshme me mundësitë e sotme pushimi në Maldive apo Bora Bora.

Hej, njëmend, duhet të themi zëshëm dhe qartë: ky trendi i lëvizjeve me duar shtrirë, derisa kamera filmon nga lart duhet të zhduket urgjentisht. Nuk arrij të kuptoj pse realisht produksionet muzikore janë kaq entuziaste për skena të tilla, por ato janë thjesht të shëmtuara dhe “cringe”.

Buta arrin t’i mbajë standardet e larta performuese me pjesën e tij, pavarësisht dy përsëritjeve dhe përmbylljes jo të fuqishme sa duhet, për t’ia ngritur notën vetes në këtë vlerësim. Jo se vlerësimi nga unë duhet të ketë qenë në mendjen e tij kur e shkroi, natyrisht.

Në fakt, reperi ferizajas është absolutisht njeriu që duhet t’i bëni një telefonatë, nëse po kërkoni ta bekoni këngën tuaj me rreshta fryrjeje. Thjesht, nuk ka të tillë që mund ta bëjnë punën më mirë se ai këtë.

Vlerësimi 3.5/5 – Performancë dinjitoze nga të dy artistët, por disi të lë njëfarë ndjesie se i mungon diçka për ta shndërruar në brilancë absolute dhe një për të cilën do të kthehesh për ta dëgjuar me entuziazëm të madh. Definitivisht, do të kthehem për ta ridëgjuar në YouTube, por nuk do ta bëj pjesë të listës së dëgjimit.

Lajme të ngjashme