'Ma lujte' e Kidës të lë me pikëpyetje në kokë - Çka është kjo që shikova e dëgjova? - NACIONALE

'Ma lujte' e Kidës të lë me pikëpyetje në kokë - Çka është kjo që shikova e dëgjova?

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Është krejtësisht konfuze. Po qeshim? Po qajmë? Po kërcejmë? Po festojmë apo po vuajmë?

Me krejt këto pikëpyetje në kokë mbetet vdektari i rëndomtë pasi të dëgjojë e shikojë këngën me klipin e ri të Kidës.

Në fakt, është veç edhe një tjetër në miksin e njëqindenjëmijë klipeve tjera që hidhen në audiencë si në kosh plehrash, pa ndonjë filtër apo zë kritik mes krijimit dhe publikimit.

"Ti ma lujte, ma lujte, veç për inat". Përsëriteni plot herë në kokë këtë rresht, duke i dhënë më shumë hapësirë përsëritjeje fjalëve "ma lujte" dhe keni 20 sekondat e parë të këngës së re të Kidës me titullin "Ma lujte".

"Zemrën temën ty nuk ta lo, asniherë mo nuk ta dho. Tona t'zezat që mi ke bo i ke bo për inati", thotë tutje në refren ajo.

Ishte jashtëzakonisht e vështirë ta përcaktoja atë që po dëgjoja që nga fillimi. Artistja në fjalë, me gjasë, aludon në një lidhje të dështuar ku partneri i saj "ia ka luajtur", çfarëdo kuptimi që të ketë kjo, dhe e ka bërë "veç për inat". Nëse tashmë nuk ishte e qartë në vargjet e lartpërmendura.

Sidoqoftë, në bashkëveprim me pamjet në klip që nuk duket se kanë të bëjnë diçka me atë që realisht thuhet, kemi një material të cilin, pasi të përfundosh së shikuari (zgjatë dy minuta e 48 sekonda), mbetesh duke pyetur veten: "Çka shikova, e çka dëgjova?"

Thjesht duket një tjetër projekt, i cili për synim ka përmbushjen e vetive egocentrike të artistit që dëshiron të duket bukur, flutur, glamuroz dhe të shfaqet në secilën skenë të mundshme, duke sakrifikuar logjikën prapa përmbajtjes.

"Dole prej jetës tem ti dole, dole. Natën kur shkove, me lot e mi festove, a u gëzove? Ty ka me t'vra dashnia që nuk ma ktheve kurrë..." janë vargje të tjera nga teksti.

Në të lexuar, pa e dëgjuar, të jep njëfarë ndjesie sikur kemi të bëjmë me një storie të trishtë, të shkuar keq, edhe pse nuk përmendet nëse bëhet fjalë për mashtrim apo tradhti potenciale.

Megjithatë, kur dëgjoni melodinë dhe klipin, keni përshtypjen se vajza është e lumtur për ndodhitë, derisa qeshet para kamerës dhe bën mimika të sikletshme - për të cilat tashmë njihet - duke u dukur, apo munduar të duket, në mënyrën më të mirë të mundshme sa i përket estetikës (grimit, veshjes, ambientit).

Thjesht kemi diskrepancë enorme mes asaj që thuhet, melodisë dhe klipit. Asnjëra nuk duket se mishërohet me tjetrën. Ke përshtypjen se janë krijuar në ambiente të ndara, pa pasur dijeni për ekzistencën e njëra-tjetrës.

Skena më qesharake absolutisht është ajo kur zonja shfaqet në rozë, me disa drita lled në sfond, dhe bën udhëheqje nonshalante të një topi basketbolli me llojlloj xixash mbi të sepse, pse jo?

Nëse keni stomak dhe durim për më shumë siklet shtyeni videon e mëposhtme te minuta 1:26.

Epike, apo jo? Ai rrotullim topi mbi takën e djathtë, me ekipin punues që duhet të ketë pasur vështirësi ta ekzekutonte. Në xhirim tejet të ngadalësuar shfaqen pamjet, derisa rrotullohet topi - por që duket shumë e lirë (lirë, në kuptimin e të kundërt të të shtrenjtës) si skenë.

Në bazë të asaj që përshkruhet në të dhënat e videos, dikush me emrin Dina Morina thuhet të jetë përgjegjëse për klipin. Në fakt, të njëjtin emër e kam parë "directed by" edhe në disa klipe tjera, të cilat më kanë lënë goxha përshtypje pozitive - "boma ni tel" nga Dafina Zeqiri më së fundmi.

Sidoqoftë, ky klip, për që është i pakëndshëm, nuk do shumë mend.

Për më tepër, kjo skena më poshtë...

Ndoshta unë e kam ndonjë çrregullim apo ndër vite e kam zhvilluar ndonjë lloj alergjie solide kundër sikletit, por kjo skenë absolutisht më nxit të gjitha simptomat e turpit stresues të përbrendshëm që nuk është se e përjetoj shpesh.

Syzet, por të vendosura tepër larg syve, ashtu që edhe sytë janë të ekspozuara, me një shami mbi kokë dhe disa materiale të qepura me degëzime e lidhje te qafa, të japin përshtypjen sikur po sheh diçka të krijuar para 6-7 viteve dhe jo në të 2022-n.

"U bo ni kohë që as lot nuk po rrjedhin mo, edhe pse m'ke thy përmi 1000 copë. Për ty jom t'u e pi ni gotë se për je kon ma i miri", janë vargjet që recitohen tutje.

E trishtë tingëllon ta lexosh, por do të ndihesh krejtësisht ndryshe posa ta dëgjosh e shikosh. E kuptoj se nuk është se duhet të ketë sens gjithçka dhe çdo gjë, marrë parasysh evoluimin dhe atë që përfaqëson muzika e kohës moderne, por - më e pakta që mund të them - kurrë më nuk do të kthehem për ta ridëgjuar këtë këngë të Kidës.

Vlerësimi: 1.5/5 - Ndjesi konfuziteti. Përmbajtja e interpretuar në mënyrë të çuditshme, në diskrepancë totale me melodinë dhe klipin, të lë me pikëpyetjen më të madhe të ditës: Çka shikova e dëgjova?

Lajme të ngjashme