Nuk ia vlejti pritja disavjeçare - albumi i Llunit mediokër dhe me pak vlera ridëgjimi - NACIONALE

Nuk ia vlejti pritja disavjeçare - albumi i Llunit mediokër dhe me pak vlera ridëgjimi

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Tre vite pritje. Nuk jam shumë i sigurt nëse kjo ishte metodë, nëse është pretenduar të jetë e tillë, e mençur nga Lluni për të krijuar entuziazëm rreth albumit të tij.

Natyrisht, pas tërë kësaj pritjeje, asnjëherë nuk do t’i përmbushte pritshmëritë. Sidoqoftë, “Frescobars” është këtu, dhe më poshtë kam folur gjërë e gjatë duke reflektuar mbi secilën këngë të albumit, nga 14 sa i ka në total.

1. "Omerta" Chapter 1

Me gjasë, kënga ma e mirë në album. Zbërthimi i stories edhe loja e fjalëve, tjetër nivel. Plus, gërshetimi i rimave shqip me anglisht është i bërë në formë jashtëzakonisht të sofistikuar dhe nuk del për asnjë moment jashtë konceptit dhe tematikës së këngës.

Për më tepër, gjithçka tingëllon qartë dhe pastër derisa elaborohet narracioni ku Lluni dëgjohet në telefon duke biseduar me njërin prej bashkëpunëtorëve të tij, të cilit i delegon detyra pasi merr përditësime nga zhvillimet në rrugë.

Mëkati i vetëm është që reptura zgjatë vetëm 30 sekonda.

2. Lluni Bregu Drill Chapter 2

Hmm... nuk jam shumë i sigurt për këtë. Përveç vargjeve "ça bone shoqi, I got 2 B'z (kam dy xhointë) si Poqi (e ka fjalën për rok ikonën, BB Poqi). Puff, puff, pass si Elita (Elita 5), vin 30 me ni emoji", asnjëherë nuk arrij të lidhem realisht me atë çka flet Lluni.

Nuk e di, ndoshta jam vetëm unë, por ‘fllowi’ është totalisht jashtë elementit dhe, në miks me llafet e përsëritura në mënyra të ndryshme që i thotë, mezi prisja të përfundonte realisht. Nuk kruhem fare me këtë, fatkeqësisht. Kur flasim për vlera ridëgjimi, duhet thënë se "Bregu Drill Chapter 2" nuk do ta dëgjoj asnjëherë më - të paktën jo me vetdëshirë.

3. PRC State of Mind

Një gjë për të cilën meriton respekt Lluni është se është i qartë dhe i sigurt në atë që do. E njeh audiencën e tij, në kontrast me dhjetëra homologë, dhe i ka qëndruar besnik asaj që ka përfaqësuar që nga dita e parë. Për ju që mund të keni pikëpyetje, kështu krijohet fan bazë besnike. Sidoqoftë, "PRC State of Mind" nuk më la me shumë ndjesi pozitive.

E kuptoj inspirimin dhe përshëndetjen që i bëhet hip-hopit të shkollës së vjetër dhe këngës legjendare të Nas, "N.Y State of Mind", por kjo nuk është ajo, plako. Në momentin që përdoret një titull si "PRC State of Mind" e ke të pamundur të mos bësh krahasime e ndërlidhje me kryevepra si ajo e Nas, prandaj këtu mendoj se qëndron pika e dobët e kësaj kënge. Në krahasim me atë që thotë Nas, ky i Llunit duket version i lirë, pavarësisht disa momenteve e rimave të mirë shkruara.

4. Mario & Luigi ft Mc Kresha

Këtu për mrekulli nënvizohet ajo çka unë gjithmonë e kam në mendje kur dëgjoj Llunin. 'Delivery' i tij thjesht nuk funksionon. Lojërat e fjalëve të mençura shpesh mbeten nën hijen e performancës vokale të plogësht, në kontrast me mentorin e tij.

Mc Kresha, në anën tjetër, plot sharm e fllow, e ka luksin t'ia hedh paq edhe kur nuk thotë shumë, por kjo nuk vlen për këtë vers specifik. Kresha absolutisht e vret pjesën e tij, për Llunin nuk jam shumë i sigurt - pasiguritë kryesore i kam te "delivery" - zëri i tij në pothuajse të gjitha këngët tingëllon i sforcuar dhe i detyruar. Momenti kur dëgjohet, absolutisht nuk të jep ndonjëfarë ndjesie prezenceje nënvizuese.

5. Top 3

E njëjta storie. Sinqerisht, po mundohem. Për nënën time, po. Po bëj përpjekje maksimale të mos tingëlloj si ai që urren gjithçka dhe çdo gjë, sidomos për artistët e rinj për të cilët mundohem të kem njëfarë konsiderate të veçantë. Megjithatë, e kam të pamundur të gjej ndonjë ndjesi përbrenda, pavarësisht sa thellë gërmoj, mbi të cilën mund të ndërtoj për të krijuar bindje ndryshe.

Metaforat impresive aty-këtu, gjithmonë vijnë në miksin e njëfarë narracioni ku thuhen një mori rimash të cilat shumë lehtë kanë mundur të mos thuhen fare, pasi nuk është se kanë ndonjë impakt. Gjithmonë Lluni më është dukur si një reper i cili shumë lehtë mund të mos i thotë njëmijë gjëra që i thotë. Do Zoti, të jem i qartë për ju që e lexoni.

Është krejtësisht e panevojshme dhe e palogjikshme rima, të paktën për mua - nuk dyshoj që disa mund t'i impresionojë - "si me kon t'u mjellë flokë, i kom ra n'fije". Ajo çka realisht më impresionoi ishte "Jom për këtë sport top tier, dopt, ti je kot, nuk je GOAT veç e ke dh*e".

6. Silencio ft Lyrical Son

Këtu fillova, pas ca kohe duke qëndruar statik, të lëvizja kokën pak. Biti tundues, përcillet me një paaftësi, mungesë vullneti, apo përtacëri - e vështirë ta përcaktoj - nga Lluni për të ndërruar ‘fllowin’. Bëhet e mërzitshme kur pothuajse secilën këngë e përfundon ashtu siç e fillon, me të njëjtin ritëm.

Versi i dytë për duartrokitje në krahasim me të parin.

Oh, edhe diçka, vargjet "My G, ngo knena, thirrëm Eminem për Machine Gun Kella", derisa i referohet beefit mes Em dhe MGK, nuk përcjell mesazhin e pretenduar tek unë. Jam ndër ata që janë për të rinjtë, prandaj edhe "Rap Devil" - nga këndvështrimi personal - mendoj se ka qenë më me impakt se "Killshot". Jam për të rinjtë dhe gjak të freskët. Realisht, kurrë nuk e kemi dëgjuar ndonjë diss më të mirë drejtuar Eminemit. E "Killshot", nuk është asgjë më shumë as më pak nga ajo që kemi dëgjuar në të kaluarën nga i njëjti.

7. Narcos Albania ft Ledri Vula

Sa më pak të flas tutje për këtë këngë këtu, aq më mirë. Për t'i kuptuar ndjesitë e qarta rreth Narcos, klikoni në artikullin më poshtë.

8. M.O.B

Para se të vazhdoj tutje, duhet ta them paraprakisht, pasi gjasat janë të mëdha të më dalë nga mendja në vazhdim. Kushdo që është marrë me paraqitjen grafike të teksteve nëpër këngët e albumit, duhet të bëjë punë më të mirë definitivisht. Teksti në plot raste kisha ndjesinë se po ecte më shpejt se që duhej.

Thjesht nuk mund ta kaloj pa e përmendur sa keq tingëllon pjesa e refrenit. Do të isha goxha më i lumtur po të mos e dëgjoja fare. Sidoqoftë, pjesa tutje "ua dada deng, ua dada deng", e balancon paksa të keqen me të mirën.

Versi i dytë është absolutisht brilant. Loja e fjalëve dhe referencat janë gojëhapëse. Është njëmend impresive për një artist në të 20-at të ketë njohuri të tilla rreth kulturës së hip-hopit dhe jo vetëm.

I fiksuar me pjesën "Besom, nuk kom mërzi, killin time sikur me dalë n'penzi... picture me an O.G si Pimp C, yo b**ch para Bill Klintonit giving me Lewinski".

Një nga ato vargjet të cilat të zhgënjen me veten dhe të bën të ndihesh injorant për mungesën e aftësive për të krijuar diçka të tillë.

9. Bugatti Drip

Definitivsht, një për të cilën do të kthehem prapë. Oh, ngritje kapelash për producentin, J Classic. Të shoh, njeri, të shoh pastër dhe qartë. Një prej atyre instrumentaleve që ke përshtypjen se do ta djegësh çkado që thua mbi të.

Mirëpo, jo se Lluni ia lë keq këtu, dorën në zemër. Lumi B veç me dy-tre rreshtat e fundit e shpaguan veten.

"Deri dje n'Opel, sot jom n'BMW t're. Plaki ma ka ble, masnej ia kom ble, t're. Started from perdhese, yeah", por e thënë me një "delivery" brilant.

10. Mula ft Blleki

Jo keq. As për t'i shkulur flokët nga ngazëllimi jo. Në fakt, vështirë të artikuloj me fjalë ndonjë mendim të veçantë rreth asaj çka dëgjova. Një gjë është e sigurt, nuk do të futem në YouTube për ta kërkuar e dëgjuar për qejf.

11. 1 Allti Krisi ft Shuki

Shuki bën atë që di të bëjë më së miri këtu - një monolog të ngjeshur prezantues për "të çmendurin e ri në qytet", siç e quan ai Llunin.

Reperi qartazi këtu i jep një përshëndetje njërit prej vokalistëve të rep grupit ikonik, Bone Thugz-N-Harmony, Bizzy Bone. Lluni duket në fakt një artist që shumicën, për të mos thënë krejt, inspirimin e gjen tek ikonat e shkollës së vjetër dhe Bizzy Bone, me shumë gjasë, ka qenë në mendjen e tij përgjatë 2 minutave e 38 sekondave të kësaj këngeje.

12. Project Steps

Rrëqethja e parë pas 11 këngëve. Absolutisht monumentale. Definitivisht do të kthehem për ta ridëgjuar. Në reflektim mbi jetën e tij, Lluni qetë dhe qartë, na jep një prej atyre që do të mbahet mend. Një prej atyre që nëse dikush u kërkon ta njoftoni me ndonjë këngë të Llunit, duhet të jetë me këtë. Një prej atyre që shërben si dokument se krejt zhurma rreth tij nuk është pa ndonjë arsye.

Plot gjëra nga ato çka thuhen mund të shërbejnë për statusa në formë thëniesh, apo edhe bion e profileve të atyre që ndihen "Thug Life".

13. Chapter 3

Përveç që nuk jam fans, nuk kuptoj fare nga këto vazhdimet nga "Chapter 1" te 3 të Llunit në këtë album. I dëgjova me vëmendje disa herë, ftova edhe të tjerë mendimin e të cilëve e vlerësoj të bënin njëjtë. Ndoshta po më kalonte mbi kokë diçka. Sidoqoftë, nuk duket se kemi të bëjmë me lidhje ngjarjesh nga ajo që thuhet në "Chapter 1" me të tjerat. Por, hej, ndoshta unë dhe të mitë jemi shumë të cekët për ta kuptuar, kush e di. Ndoshta, gjithçka është plan e një ideologjie gjeniale të Llunit, të cilin vdektarët e cekët si unë nuk arrijnë ta kuptojnë.

Fillimisht, tek "Chapter 2" mendova se kemi të bëjmë, në bazë të asaj që shihet në klip, me varrosjen e personit të cilin Lluni "jep urdhër" të vritet te "Chapter 1". Mirëpo, përveç vizuales, asgjë tjetër nuk ndërlidhet. Te treshi po ashtu bëhet edhe më konfuze.

14. Outro ft Lyrical Son

Nëse e ka pasur për qëllim të nënvizojë e t'i bëjë të tjerët të kuptojnë për aftësitë e tij për të lidhur rima e fjalë, definitivisht me këtë duhet ta mbyllë. E kemi të qartë, notë maksimale për lojë fjalësh. Çka tjetër? Lyrical Son në telefon i lë një mesazh duke i kërkuar gjëra më komerciale. Nuk jam shumë i sigurt nëse Lluni duhet të jetë më komercial, por nganjëherë definitivisht duhet ta marrë më shtruar.

Vlerësimi: 2.5/5. Loja impresive e fjalëve në pothuajse secilën këngë mbeti nën hijën e vlerave të ulëta të ridëgjimit.

Lajme të ngjashme