Tre vjet më parë, Buta “ia parashikoi” të ardhmen Feros me saktësi gati të frikshme - NACIONALE

Tre vjet më parë, Buta “ia parashikoi” të ardhmen Feros me saktësi gati të frikshme

3 javë më parë

nga Burim Pacolli

Absolutisht “freestyle”-i më i mirë i pështyrë në "Gjoni Black" dhe padyshim njëri prej më të mirëve që kam dëgjuar ndonjëherë shqip. Aq flakë, sa i parashikohet e ardhmja e trishtë me saktësi gati të frikshme dikujt që po e shijonte kulmin e karrierës atë kohë.

Në fakt, shumë do të argumentonin për Don Xhonin - i cili pati shpërthim të paparë ndonjëherë në tokën kosovare, pasi kreu punë në këtë emision - dhe Mc Kreshën, që po ashtu rrëshqiti me lehtësi dhe natyralitet karakterizues për të nëpër “beat” me atë skemën rimuese e numëruese nga shtata e teposhtë, se mund të kenë qenë me ndikim më të plotë me versionet e tyre të repturave në "Gjoni Black", por për këtë të Butës, ke një ndjesi se disi nënvlerësohet, kur flitet për reperët që performuan më së miri në këtë platformë.

Pavarësisht se një karrierë filloi (në formën e Don Xhonit) me “freestyle” në këtë emision dhe plot të tjerë (ndoshta jo edhe aq shumë) shkëlqyen, ajo që e bëri Buta është përtej thjesht një repture të mirë, pasi e nxori nga vetja Hudinin e përbrendshëm, duke u munduar t'i parashikonte të ardhmen, me saktësi gati të frikshme, meqë ra fjala, Feros, i cili po i futej nën lëkurë pothuajse çdo reperi të mundshëm atëbotë.

Më 23 qershor 2019, Buta kërceu në mikrofonin e "Gjoni Black"-ut për t'u dhënë përgjigje provokimeve të shpeshta të homologut të tij nga Gjilani.

Shtyni videon e mëposhtme te minuta 21:20.

Me një nisje të fuqishme, ku nënvizon se kryekëput i referohet Feros, me vargjet “mos m’fol për droga, kom shitë kokë (kokainë) para shkolle, çfarë gangsteri ti, ke punu në ëmbëltore”, gjuhë të cilën Gazeta Nacionale e dënon fuqishëm dhe bën thirrje të zëshme kundër madhërimit të aktiviteteve kriminale, Buta aludon në pretendimet e vazhdueshme të komunitetit të hip-hopit se Feroja kishte punuar në fakt në një ëmbëltore, me vendndodhje në magjistralen Prishtinë - Gjilan kohë më parë.

Jo se ka diçka gabim ose se ngërthen në vete ndonjë element turpi të punosh në ëmbëltore, në krahasim të kundërt me atë që mburret Buta si shitës i “kokës para shkolle”, por në botën e hip-hopit, profesionet e tilla trajtohen e shikohen me denigrim dhe madje e dëmtojnë kredibilitetin e artistit.

Tutje, Buta shprehet: “E menaxheri ty t’i merr 70%, ma mirë ktheja b**t edhe leje ty le t’q*n”- qartazi duke iu referuar kohës së Feros në “On Records”, kompani nga e cila janë larguar ndër vite top artistë si Kida, Mozziku, Getinjoja, Rina dhe vet Feroja, në mesin e plot spekulimeve se shumica e të ardhurave financiare që ata i kanë siguruar, kanë shkuar për kompaninë dhe menaxhmentin.

Parashikimi i së ardhmes

Pjesa që mbahet më së shumti në mend pa dyshim që mbetet kjo që e thotë Buta në vazhdim:

“T’kallxoj ça ka me t’ndodhë, t’ardhmen ta parashikoj,

shpejt ki me metë pa lekë, unë kët’ sen ta garantoj”.

Kohëve të fundit, Feron e shohim si fashonist, duke reklamuar produkte të kompanisë “Fashionnova”, por më e rëndësishmja: nuk rresht së futuri drejtpërdrejt në “TikTok”.

Aty, ai përfshihet në debate e biseda me emra famëkëqij si Rasim Avdyli e Vali Corleone, të cilët njihen si prej përfituesve më të mëdhenj financiarë nga “TikTok”-u në Kosovë aktualisht, epitet që u vjen me çmimin e lartë të humbjes së dinjitetit publik.

Për më tepër, për ta nënvizuar teorinë e Butës se Feroja do të mbetej “pa lekë” së shpejti, një artist me emrin Medi Iseni së fundmi ka bërë akuza të rënda në drejtim të Feros, kur ka thënë se i kishte blerë edhe rroba gjilanasit, pasi “nuk ka pasë pare me i ble” dhe se e ka përdorur veturën e tij për të dalë në takim me persona të caktuar.

@ff.ninja_._10 #viral #viralvideo #medi #fyp #fypシ ♬ Autor - MOSSI

Në mesin e njohësve dhe përcjellësve të hip-hopit, ekziston një ndjesi e përgjithshme se Feroja mund të ketë mbetur trokë ose buzë trokës sa u përket financave. Njëmend, për artistët e hip-hopit, të cilët përgjithësisht dhe historikisht bazë të krijimtarisë e kanë pasur fryrjen për gjëra materiale: “kur metë pa pare, shumë e keqe o fama”.

Tutje, Buta, në “freestyle”-in e para tre vjetëve, thotë:

“Femna ko me t’lonë edhe e gjen tjetërkon, garant për najnjo që menon që e ki shok ti”.

Këtu mund t’ia ketë huqur artisti ferizajas, derisa aludon në të dashurën e Feros, Arbenitën, me të cilën ai ka edhe fëmijë.

Megjithatë, nëse ky artikull do të shkruhej në shtator të vitit të kaluar, do të kishte edhe më shumë kuptim, pasi atë kohë raportohej se dyshja ishte ndarë, siç kishte ndodhur edhe plot herë më parë.

“Ti n’rreth ki veç gjarpna, po menon që jon jarana, menon që kcejnë për ty, po ata s’ti ka bo nana”- thotë tutje Buta.

Krejt karriera e Feros ka qenë e përcjellë me plot marrëdhënie të cilat ndërkohë ai i ka humbur ose nga të cilat është ndarë keq për lloj-lloj arsye. Dy menaxherë, njëri nga kompania “On Records” dhe tjetri një biznesmen nga Gjermania, ndërkohë e kanë distancuar veten nga ai. Në fakt, në dy incidentet më të mbajtura mend ku është përfshirë Feroja - rrahje tek “Albi Mall”-i dhe rasti kur sulmoi në Gjilan disa persona në Golf 6, artisti është krejtësisht i vetëm duke u përballur me situatat dhe jo me grup njerëzish, siç ndodh zakonisht me reperë.

Në fakt, kur Buta thotë “menon që kcejnë për ty, po ata s’ti ka bo nana”, me apo pa vetëdije, “parashikoi” një incident tragjik të së ardhmes, me protagonist vëllanë e tij. Në një varg incidentesh paraprake, ku përfshihej djegia e veturës së Butës, vëllai i tij, “Rifa”, akuzohet se e ka privuar nga jeta të ndjerin Gazmend Hyseni, të njohur si “Strella”. Andaj ai, vite më parë, parashikoi se njerëzit me të cilët sillet rrotull Feroja, nuk janë realisht shokët e tij që do t’ia zgjidhnin problemet në rrugë, siç mund ta ketë bërë në rrethana tragjike vetë vëllai që “ia ka bërë nana”.

Tutje, ai shton “ma shumë se gojës tone, kurrkujt s’ki me ia pa sherrin, që dhjetë vjet n’llogore, me sy t’mi e kom pa ferrin”.

Feroja njëmend ka qenë një artist jashtëzakonisht vokal, pa marrë parasysh se a është bërë fjalë për muzikë apo për paraqitjet dhe shfrenimet e tij nëpër rrjete sociale. Ai ka nxitur probleme me shumë njerëz e kjo – po ashtu potencialisht – ka mundur të jetë njëra prej arsyeve të rënies drastike të tij në vjetët e fundit.

Pavarësisht nga gjykimi subjektiv, i bazuar në plot argumente, si përcjellës i kulturës së hip-hopit, ky “Freestyle” i Butës është për t’u mbajtur mend dhe që mund t’ua ngrejë tensionin e gjakut fansave të hip-hopit të mirëfilltë, derisa interpretohet mbi “beat”-in legjendar të “Big Pun”-it, “Beware”.

Lajme të ngjashme