Restorantet | "Te Fahriu" - aty ku kamerierët të pyesin se "a je lodhë", të "lajnë" me pasul dhe çajin e sjellin në tavolinë me trosha - NACIONALE

Restorantet | "Te Fahriu" - aty ku kamerierët të pyesin se "a je lodhë", të "lajnë" me pasul dhe çajin e sjellin në tavolinë me trosha

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Me shpejtësi supersonike u soll pasuli, pas porosisë. E pamundur që ta përfundosh pjatën dhe çajin u desh ta pinim në tavolinën me plot trosha - një orë pauze "Te Fahriu" (te ish "Te Nazi", por që "te Nazi" mbetej si pjesë e reklamës në hyrje).

Këtu në Nacionale jemi të gjithë për diversitet, modesti e mishërim me popull andaj - si përfaqësues të klasës punëtore - vizita e sotme te gjelltore/qebatore "Te Fahriu", ishte goxha e arsyeshme dhe e logjikshme.

Me të hyrë në restorantin modest, me pllaka të bardha, ndriçim spitali e karrige me tavolina druri dhe një televizor në ballë të ambientit, ku dëgjoheshin këngë zbavitëse shqip nga më të llojllojshmet, u desh të prisnim saktësisht 3 minuta e 4 sekonda para se të vinte kamerieri.

Fjala e tij përzgjedhëse për përshëndetjen e parë, "a je lodhë?", në vend të "mirëdita" apo "përshëndetje", fliste zëshëm dhe qartë për llojin e audiencës që restoranti në fjalë e tërheq.

Është pikëtakim për ngirje i klasës punëtore, ku përfshihen përfaqësuesit e sektorit privat e publik. Ata që merren me punë të rënda e të lehta fizike e herë-herë jo edhe aq fizike, si këso të llojit tim. Natyrisht, jo se në restorantin "Tiffany", ku isha para ca ditëve, nuk kishte përfaqësues të klasës punëtore, por këtu i kishim ata që e zgjedhnin ngirjen modeste, me gjellë tradicionale e me çmim të arsyeshëm.

Në menynë e gjatë, dyfletëshe, por e përdorur vetëm një copëz e materialit të shkrimit në të dyja anët, kishte gjellë me bollëk. Në fakt, e vështirë që të mendoni një gjellë që nuk ishte në menynë e "Fahriut" - prej pasulit me mish e pa mish deri te paça.

Natyrisht, pasuli me mish kishte plotësisht kuptim që të porositej dhe ashtu veprova. Saktësisht 35 sekonda prita derisa erdhi një pjatë buzë derdhjes nga stërmbushja, e përcjellë me një pjatë tjetër me sallatë (lakër të bardhë e të kuqe, një copë domateje dhe një copë trangulli) dhe dy gota ujë çezmeje, nga një për secilin, pasi ishim dy persona (pa pagesë e pa i porositur paraprakisht).

Plot 18 copa (nga 9 për secilin) bukë gjysmë të ndjenjur, këso të marketit, por të prerë në rriska, u sollën për dy persona, sasi që ishte përtej asaj që mund të kapërdihej në një vakt nga dikush si unë. Deri tash, 3,5 eurot, sa kushtonte pjata e pasulit me mish (pjata me pasul pa mish kushtonte 2 euro), përfshirë sallatën që vinte në pjatë ndaras, po e mbiarsyetonin veten.

Pasuli erdhi në gjendje të vakët. Nuk është se do të ankohesha po të ishte edhe pakëz më i nxehtë, por hej... po paguaja 3,5 euro për pjatë të stërmbushur, sallatë, 18 copa bukë dhe ujë pa pagesë. Më e mira që mund të bëja, ishte ta mbyllja e të haja derisa të mos ndihesha mirë dhe e kam përshtypjen se prapë do të tepronte në pjatë.

Absolutisht për trofe zemërgjerësia e kuzhinierit, e pronarit dhe e krejt zinxhirit vendimmarrës "Te Fahriu", në menynë e së cilës po ashtu ishte përfshirë emri "Nazi".

Personalisht kam ngrënë pasul më të mirë, por ishte larg të qenit për ankesë edhe ky i "Fahriut".

Me të përfunduar, porosita një çaj kamomili. Pjatat gjysmë të përfunduara u larguan, por tavolina e mbipopulluar nga troshat mbeti ashtu dhe unë tash po pija çaj mbi një territor të mbeturash ushqimi, siç e shihni në fotografinë më poshtë.

Totali i faturës, 4 euro, erdhi me një urim tejet njerëzor të kamerierit: “t’paq bo mirë!”. E unë nuk po mund të besoja se çaji i kamomilit, në një filxhan të madhësisë dinjitoze, po kushtonte vetëm 50 centë. Me veten, derisa po largohesha, po mendoja: “e mbinatyrshmja do të më dënojë, nëse them diçka keq për "Fahriun”.

Vlerësimi: 2.5/5 – Pjata të stërmbushura dhe ushqim me bollëk. Absolutisht e arsyeton çmimin, nëse jeni për ngirje potente dhe marramendëse. Sidoqoftë, nuk ishte për mua dhe nuk do të kthehem për ta vizituar përsëri. Si përfaqësues i atyre që ngopet menjëherë, nëse ia stërngarkoni pjatën, dhe në kombinim me tavolinën e populluar me trosha teksa pija çaj, do të shikoj opsione të tjera. N mënyrë të fuqishme i inkurajoj të tjerët që ta vizitojnë, kur kanë buxhet minimal për të shpenzuar, megjithatë.

KORRIGJIM: Ky shkrim fillimisht i referohej restorantit në fjalë si "Te Nazi", por më pas i është ndryshuar emri, pas thirrjeve të restorantit që tregonte se emri ishte ndërruar me "Te Fahriu".

Lajme të ngjashme