Restorantet | Tiffany në Prishtinë, aty ku hëngri Dua e Rugova, por ku s'ka meny - NACIONALE

Restorantet | Tiffany në Prishtinë, aty ku hëngri Dua e Rugova, por ku s'ka meny

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Ambient dinjitoz, por jo fascinues; ushqim i shijshëm, por i shtrenjtë; shërbim me rregull, zhurmë irrituese telefoni: një orë në restorantin "Tiffany" në Prishtinë.

Marrëdhënia e popullit kosovar në përgjithësi me lokalet gastronome është e ngushtë: kafenetë/restorantet mbeten prej opsioneve të vetme rekreative për bashkëbisedime.

Andaj, është më se e arsyeshme që të paktën të mundohemi t'i mbajmë përgjegjëse për shërbimin dhe çmimet ambientet gastronome që i zgjedhim për të shpenzuar në to.

Duke e pasur këtë në mendje, disa na bëjnë të ndihemi keq, disa jo të mirëseardhur, disa na japin ngrohtësi shtëpie e në disa të tjera madje nuk na lënë as të futemi. Kaq shumë për të menduar për një kafe ose një drekë, ku ju supozohet të investoni kohë e para.

Nganjëherë të jepet njëfarë ndjesie sikur ne - myshterinjtë dhe populli i rëndomtë - duhet të ndihemi të privilegjuar që po na jepet mundësia të kalojmë kohë në ndonjë iks kafene/restorant dhe jo anasjelltas.

Eksperienca në Tiffany restorant

Sot, vendosa që ta vizitoja restorantin "Tiffany", të cilin u desh ta telefonoja për të bërë një rezervim në kohë pauze, prej orës 12:00.

Para se të vazhdoj me përvojën time të parë në "Tiffany", bashkëpjesëmarrësi në drekë, që ishte vizitor i restorantit, më tregoi edhe pak histori. Më tregoi se si ky biznes, restorant, është një ndër të rrallët që është në pronësi të një gruaje, gjë jo fort e zakonshme për restorantet në Prishtinë.

Më tregoi gjithashtu se Tiffany para vitit 2000 ka qenë njëri nga vendet të cilat ka shërbyer si vendtakim edhe për shkrimtarë e sidomos për ata që kanë qenë pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, objekti i së cilës gjendet ngjitas me atë te restorantit. Tash, ai objekt është muze me emrin “Shtëpia e Pavarësisë”, pasi aty janë zhvilluar aktivitetet e para politike të Ibrahim Rugovës.

“Rugova qetu i ka pritë mysafirët e jashtit në vitet e 90-a”
- më tha bashkëpjesëmarrësi në drekë.

Ishte e pamundur të rezervoja një vend, sidomos për në orën 12:00. Më thanë: "Kemi organizim, po m'vjen keq, veç më vonë".

Disi e binda që të paktën të më bënte një vend në orën 11:00. "Në rregull",- më tha,- "por, veç 40 minuta (i ke kohë)". Nuk ishte nisja më e mirë në botë, pasi m'u kufizua që të kryeja punë brenda 40 minutave, sa më shpejt që të mund të kapërdija.

Gjithsesi, me vendndodhje prapa stadiumit “Fadil Vokrri”, restoranti “Tiffany” është një vend i njohur në Prishtinë, të cilin madje e viziton edhe Dua Lipa, kur gjen pak kohë për t’u dukur andej pari.

Me të hyrë, dy - tre kamerierë po qëndronin ulur dhe po prisnin - me shumë gjasë po e bënin atë pushimin e fundit para kohës së pauzës, që do të vinte pas një ore e kur unë nuk arrita të bëja një rezervim.

Nuk ka meny ushqimi. “Tiffany”-n po e vizitoja për herë të parë. E di: një jetë në Prishtinë dhe nuk e kam vizituar këtë restorant. Kërkoj ndjesë nga disa prej jush që mund ta lexoni e të më shikoni me paragjykim. Në fakt, njëjtë më bëri të ndihem edhe bashkëpjesëmarrësi i drekës, i cili po më pyeste: "E qysh, bre, kurrë s'je konë a? E qysh, bre?"

Pyetja për kamerierin, "a ke meny?" , nuk është se më dha ndjesi shumë të mirë, sepse “Tiffany” qenka restorant i njohur që nuk po mbajtka meny dhe pyetja ime disi krijoi njëfarë situate jo fort të këndshme, pasi unë supozohej që të dija se “Tiffany” nuk ka meny ushqimi. Sikur të ekzistonte mundësia për të shkuar drejtpërdrejt për herë të dytë ose të tretë, pa e përjetuar të parën, kjo do të më kursente nga strese të tilla.

Meqë meny nuk kishte, e kisha të paqartë se çka të porosisja. "Çka po më rekomandon?"-, e pyeta kamerierin. Ai më përmendi një tavë Elbasani, tavë me mish viçi dhe një ushqim tjetër, por eventualisht vendosa për mish viçi, ndërsa bashkëpjesëmarrësi porositi tavë Elbasani.

Si paragjellë – natyrisht, me pagesë, dhe që erdhi pasi e kërkuam në mënyrë specifike - na sollën një pjatë me ajvar, tri lloje të salcave (me një pjatë) dhe dy pitajka të vogla dhe një pjatë të vogël me dy rriska djathë. Nga 2,5 euro kushtonte secila pjatë, andaj 7,5 euro i ishim borxhlinj restorantit qysh tani. Për të pirë: një gotë verë të kuqe, derisa uji i çezmës nuk shërbehej dhe ishte me pagesë.

Gjithçka kishte më shumë kuptim, kur po i provoja pak nga pak. Shije absolutisht brilante, më e pakta që mund të them. Me përjashtim të ajvarit, që nuk më la shumë përshtypje, se është ndryshe dhe kushedi sa më fascinues sesa ajvarët e tjerë dinjitozë që i kisha provuar në të kaluarën, salcat dhe djathi ishin goxha potentë në shije. Pritja ishte minimale, gati e pavërejtur. Saktësisht 5 minuta e 8 sekonda pasi e kishim bërë porosinë, na erdhi paragjella. Diçka që po ma tërhiqte vëmendjen vazhdimisht dhe po më shpërqendronte nga bashkëbisedimi, më së shumti për shkak të lartësisë jashtëzakonisht të madhe dhe irrituese, ishte zilja e telefonit, aso 038-she e telefonit të shtëpisë. E kisha të pamundur që ta vazhdoja bisedën derisa, më në fund, dikush prej përgjegjësve të lajmërohej.

Pak momente pasi kreva punë me paragjellën, erdhi edhe pjata kryesore me mish viçi, e që, po ashtu, u shërbye në mënyrë të pavërejtur dhe pa i dhënë rast trurit që të mendonte se edhe sa minuta do të vonohej.

Shërbimi i pjatave po bëhej në nivel ekspertësh deri më tani. Sidoqoftë, shërbyesi – i njëjti që na e kishte marrë porosinë - ia uli notën e përkryer vetes, kur e lëshoi pjatën time me vrull mbi tavolinë dhe duke shikuar myshterinj të tjerë. Një ndjesi e momentit, sikur unë të isha më pak i rëndësishëm se të tjerët, më përcolli për disa momente.

Tri copa - të trasha, por të shkurtra -, tri pjesë patatesh dhe materia mbi të cilën qëndronte mishi po më bënin me sy. Nuk jam shumë i sigurt, nëse ishte ajo që prisja për 9 euro e 60 centë, sa kushtonte pjata në fjalë, e që dukej si çmim standard, pasi edhe tava e Elbasanit e kishte çmimin e njëjtë. Nëse po shpresoni ta vizitoni restorantin “Tiffany” dhe të paguani më pak për pjatë, na vjen keq, por do të zhgënjeheni. Meny nuk ka dhe ju do të detyroheni t’i porosisni rekomandimet në fjalë, për të cilat ju sigurisht se do të ndiheni në siklet që të pyesni “sa kushtojnë?” qysh në fillim.

Përsëri, shija ishte absolutisht brilante. Sinqerisht, mund të jetë gjëja më e mirë që kam ngrënë këto javët e fundit dhe, si person zyrash e pauzash, më besoni që kam ngrënë në shumë vende. Mishi kishte shije të tillë, që të bën të lëshosh ca rënkime epshi nga kënaqësia që ta jep veç ushqimi i tillë. Ndoshta edhe diçka tjetër, por jo shumë gjëra.

Një minus te sasia. Nëse jeni i dhënë pas ushqimit dhe keni apetit mbi nivelin mesatar, ju rekomandojmë që të mendoni dy herë para se ta vizitoni “Tiffany”-n në kohë pauze. Nëse sasia është në plan të dytë dhe ajo çka njëmend e vlerësoni është shija dhe nuk e keni problem që të shpenzoni 10 euro për një pjatë, “Tiffany” është vendi juaj.

Më shumë edhe për shkak se u detyrova të shkoja në orën 11:00 dhe se unë zakonisht ha prej orës 12:00, nuk po mund ta përfundoja, derisa, edhe ashtu, nuk isha shumë i uritur në atë kohë.

I kërkova të m’i mbështillnin të mbeturat dhe i kushtova vëmendje të madhe reagimit të shërbyesit, kur i kërkova diçka të tillë, nëse potencialisht do t’i shkoja nerva për një kërkesë krejt normale.

Megjithatë, reagimi qe krejtësisht profesional dhe ishte më se i vullnetshëm për ta ekzekutuar kërkesën që ia bëra. Paketim normal, në kuti alumini, por nuk përmbante as pirun e as faculetë.

Oh, edhe një gjë që kishte shije të jashtëzakonshme dhe që vinte me çmim të lirë – për vetëm dy euro gota – ishte vera e kuqe. Dehja me gjashtë euro, me verë të kuqe të mirë, është “dhuratë” në vete.

Shifra totale e faturës: 19,60 (paragjellë, mish viçi dhe një gotë verë)

Totali i faturës së bashkëpjesëmarrësit: 10,60 (tavë Elbasani, kafe amerikane)

Vlerësimi: 3.5/5 – Ushqim dhe verë absolutisht për t’i mbajtur mend. Sigurisht, do ta vizitoj përsëri dhe do ta rekomandoj te të tjerët. Telefoni i porosive mund të zhvendoset në një ambient tjetër, ku nuk i pengon klientët. Edhe paketimi i ushqimit do të ishte mirë të posedonte pirun e faculetë. Gjithashtu, e kisha ndjesinë se ushqimi, me gjithë shijen për ngritje kapelash, vinte me çmim paksa më të shtrenjtë dhe mbi vlerën që realisht e meritonte me atë sasi – adresoji/përmirësoji këto dhe keni një shërbim dhe ambient për të ngrënë me notë 5/5.

Lajme të ngjashme