Përmbahuni: Klipi i Dardanit do t'iu bëjë t'i ripërjetoni traumat e vitit 1999
Për ata që kanë qenë në moshë për të kuptuar në vitin 1999, pamjet mund të rikthejnë emocione të trishta e të vështira për t'u ripërjetuar.
Reperi kosvaro-gjerman, Dardan publikoi këngën "Laufen" (vrapo) ditën e Pavarësisë së Kosovës, derisa zhvillon një narrative të dhimbshme por mishëruese të një familje të ndarë, eventualisht që përfundon me tragjedi, gjatë luftës në Kosovë.
Gjithçka fillon me një baba që bartë mbi supe, i rraskapitur, të bijën, teksa një grumbull njerëzish detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre si pasojë e djegieve masive dhe pasojave shkatërrimtare nga të bëmat kriminale të okupatorit serb.
Burrë e grua shfaqen të shqetësuar, derisa nuk arrijnë të gjejnë të bijën, të përhumbur në miksin e katrahurës, panikut e agonisë.
Në mënyrë brilante zhvillohet ngjarja, derisa sqarohet qartazi përgjatë klipit gati pesë minutësh secila skenë e pamje, që ndërlidhet me një paraprake. Gruaja, e shkatërruar nga humbja e vajzës, këshillon burrin të kërkojë në anën tjetër, ndërsa në sfond fillon performanca vokale e Dardanit, i cili shprehet në gjuhën gjermane kryesisht, por me ndërhyrje në shqip në disa momente.
"Jetoj në mërgim. Zemra më qan për vendin tim.
"Edhe pse unë jam mërgimtar, për vendlindjen e babit, malli më ka marrë," thotë ai.
Saktësisht 44 sekonda pasi fillon kënga, vajza e humbur dhe të cilën prindërit e kërkojnë në ankth, gjendet pikërisht nga këngëtari në një qoshe të ngushtë, e frikësuar dhe - normalisht - e shqetësuar për fatin e saj.
Dardani merr vajzën dhe të dy vazhdojnë marshin me grumbullin e njerëzve, ndërkohë prindërit e ndarë në rrugë të ndryshme janë ende në kërkim të të bijës.
"Po fluturon", thotë në gjuhën gjermane Dardani.
"Shumë lart, një dritë ngjitet. Shoh një pëllumb të bardhë, duhet të vrapoj, duhet të ikë."
Krejt kjo ndodh derisa vizualisht shfaqen pamje absolutisht zemërthyese që të japin ndjesinë se janë xhiruar pikërisht në vitin 1999. Burra e gra, të rinj e të moshuar, nuk ndalojnë vajin derisa largohen në pellgun e tymit dhe rrënojave të shtëpive në sfond.
"Do të shohim njëri-tjetrin më vonë, të premtoj," thotë tutje Dardan.
"Edhe pse nuk mund të jem i sigurt."
Është jashtëzakonisht mishëruese vizualisht e vokalisht, ndërsa unë personalisht - edhe pse si 4-vjeçar atë botë - kujtoj ndarjen me një pjesë të familjes gjatë kohës së luftës (pak nga mbamendja, e më shumë nga rrëfimet e familjarëve më vonë).
Derisa Dardani thotë "Nëse është hera e fundit, vazhdoj të lutem e të lutem..." babai sheh këngëtarin me të bijën dhe menjëherë vrapon, i shliruar nga një barrë tejet e rëndë për ta bartur mbi supe.
Pasi falënderon reperin që e mbajti të sigurt të bijën përgjatë rrugëtimit, ai bashkohet me të dhe vazhdon tutje, ndërsa nëna - ende në kërkim në një drejtim tjetër - shfaqet në gjendje agonike, e shpërqëndruar duke shikuar në të katër anët se mos po i shfaqet e bija. Tentoni të mbani frymën shumë prej jush që keni përjetuar luftën, e ndërkohë këto pamje mund t'iu rikthejnë trauma të rënda, por është e rëndësishme të mos harrojmë.
"Të lutem vajza ime mos qaj, thjesht qëndro dhe do të arrijmë," thotë tutje Dardan.
"Një ditë do ta kuptosh, ndoshta pas disa viteve.
"Kështu që të lutem vazhdo të ecësh, derisa të mbaj nën krahë," thotë tutje Dardan, ndërsa 'beat-i' fillimisht nuk merr shumë vëmendje me daulle e piano, para se sfondi të pushtohet nga tinguj të papritshëm.
Është për ngritje kapelash puna e çdokujt në këtë projekt, përfshirë producentin, të cilit i jam falënderues që nuk shkoi për elemente klishe të tingujve vajtues, por narracioni zhvillohet me tinguj më dramatik dhe më shlirues pasi njerëzit gjejnë sado pak paqe dhe kohë për pushim në një mal.
Nga skenat tensionuese me tym, të shtëna, e shtëpi të djegura, tash babai dhe e bija duken më të relaksuar, pa ditur për fatin tragjik të së ëmës respektivisht gruas.
Kur jemi te nëna, epo, kjo është pjesa më e vështirë për t'u kapërdirë, pasi ajo e gjen vdekjen në kërkim e sipër të së bijës nga një plumb që vjen nga taborri i të aramtosurve.
Në anën tjetër, rrugëtimi vazhdon për turmën e njërzve (ku gjendet edhe babai në fjalë me të bijën), derisa Dardani shprehet:
"Çdo hap na dërgon më afër, nuk mund të dështoj.
"Shumë gjëra varen nga kjo. Ngjitem mal pas mali duke menduar për jetën.
"Dua ta arrij majën, por më tërheq poshtë. S'kam apetit, por jam i uritur."
Tutje, njerëzit përfundojnë në një autobus, i cili niset diku për një shtet evropian - në Gjermani, nëse bëj ndërlidhjen me storien personale të luftës.
Në këtë pikë, Dardani zgjedh shqipen për t'i thënë nja dy-tri fjalë.
"Më ka marrë malli për ty," është shprehja e tij, ndërsa për mua dhe familjen time është jashtëzakonisht emocionale të shikohet, pasi - derisa ne gjendeshim në autobus, ngjashëm me pamjet në klip - nuk dinim për fatin e njërit prej familjarëve, me të cilin eventualisht do të bashkoheshim në Gjermani në një përfundim të lumtur.
Me të arritur në Gjermani, në tendat e vendosura për ndihmë nga "Kryqi i Kuq", burri fillon t'ua shfaqë foton e gruas së tij të pranishmëve, por pa sukses.
Vite më vonë, dyshja (burri dhe e bija) shfaqen te varri i nënës respektivisht gruas së ndjerë, ku vendosin një buqetë me lule.
Në një eksperiencë zemërthyese, mbi 4 minutëshe, klipi mbyllet me një shprehje nga Mahatma Ghandi.
"Një sy për një sy përfundon duke e bërë krejt botën të verbër."
Mundohuni të përmbaheni derisa e shikoni.
Kërcitje shuplakash për "Fati TV" që është përkujdesur për klipin dhe Dardanin që solli emocione potente nga një periudhë e errët e historisë tonë.
