Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, sot mbahet “Marshi për Liri”
Në Prishtinë sot mbahet “Marshi për Liri”, i organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Marshi zhvillohet vetëm katër ditë para marrje së vendimit.
Marshi në Prishtinë pritet të mbledhë qytetarë, familjarë, veteranë dhe përkrahës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Organizatorët e kanë paraqitur këtë ngjarje si një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, të cilët prej vitesh ndodhen në paraburgim dhe në proces gjyqësor në Hagë.
Në qendër të mesazhit të marshit është kërkesa për drejtësi dhe ruajtja e kujtesës për luftën e Kosovës. Përkrahësit e organizimit kanë thënë se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të vlerësohet mbi bazën e provave dhe standardeve të drejtësisë.
Marshi vjen gjithashtu në një moment kur vëmendja publike në Kosovë është përqendruar fuqishëm te Haga. Për shumë qytetarë, emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhen drejtpërdrejt me periudhën e luftës dhe me zhvillimet politike që pasuan çlirimin e Kosovës.
Nga Prishtina, pjesëmarrësit pritet të përcjellin sot mesazhin e tyre të solidaritetit, ndërsa vëmendja e opinionit publik do të vazhdojë të jetë e përqendruar në Hagë dhe në zhvillimet e ardhshme të procesit gjyqësor.
Në tubim pritet të marrin pjesë shumë figura, përfshirë këtu edhe liderët opozitarë, Bedri Hamza dhe Ardian Gjini.
“Në emër të platformës ‘Liria ka Emër’ do të flasim ne të dy së bashku, do ta hapim, në fakt, pjesën formale të Marshit. Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati. Do të flasë Liriona Sulejmani në emër të fëmijëve të dëshmorëve, si vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, duke sjellë zërin dhe mesazhin e një brezi që trashëgon kujtesën dhe sakrificën e luftës edhe në familje. Qytetarëve do t’u drejtohen gjithashtu Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, si dhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës-Calit. Programi do të shoqërohet edhe me këngë, të cilat do të jenë pjesë e mesazhit të këtij tubimi, këngë patriotike, natyrisht, që na kanë frymëzuar dhe na kanë kujtuar gjithmonë për përkushtimin tonë për liri”, ka njoftuar Eliza Hoxha.
Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar edhe diasporën që të jetë e pranishme në Hagë më 15 dhe 16 shtator, në ditët kur pritet vendimi në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk janë shprehur në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje.
Kurti, të premten, iu shmang një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me atë nëse do të marrë pjesë apo jo në marsh.