Kënga e re e Rinës është krejt çka dua ta dëgjoj e shikoj - NACIONALE

Kënga e re e Rinës është krejt çka dua ta dëgjoj e shikoj

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Mjaft fjetët mbi Rinën...

Ka performuar me konsistencë dinjitoze prej lidhjes me Sin Boy e së këndejmi, dhe disi kam përshtypjen se asnjëherë nuk ka marrë lulet që i meriton.

Rina sjell mbi tavolinë atë që askush tjetër nuk mundet, dhe është koha t'ia thotë dikush. Kënga e saj e re "E Kalume" pllakosi menjëherë një vend në playlistën time, falë disponimit si projekt komplet që më dha - si për nga përmbajtja tekstuale, ashtu edhe për "eksperiencën" e klipit.

"E kalume" ka disa ditë që është publikuar dhe unë po e kuptoj sot - pak a shumë nënvizuese për hapësirën e paktë mediale që merr ajo, dhe përfaqësimin jo të niveleve ultra imponuese të artistëve tjerë të estradës kur publikojnë ndonjë projekt.

Në fakt, u desh të klikoja specifikisht "Rina" në YouTube për të kuptuar më shumë nëse lajmi i raportuar sot për vdekjen e Sin Boy nga mediet greke është i vërtetë.

E para video që u shfaq ishte "E Kalume", e cila ishte publikuar më 10 shkurt. Gjthçka fillon, siç duket, në mëngjes, kur Rina zgjohet lakuriq nga pjesa e epërme dhe kamera kap nga prapa lëvizjet e saj. Pasi vishet, fillon refrenin e vetmuar në banesë.

"A thu s'koka konë e shkrume

Kom lypë dashni n'vende t'gabume

Dashninë e du, po m'dulë për hune

Na dy bashkë veç e kalume".

Edhe pse nuk jam shumë fans i pamjeve të Rinës në ballkon kur kapet nga një kamerë statike, gjithçka duket më tërheqëse kur pamjet vijnë në forma tjera, më hiperaktive, të xhirimit. Pasi vishet e përgatitet, Rina vë një xhaketë të bardhë të improvizuar me një kokë luani dhe një palë syze interesante, që përshtaten tutje me vizitat dhe aventurat e saja në rrugë, "fast food", e që eventualisht përfundojnë në një apartment ku e tërë shoqëria e saj i bëjnë surprizë për ditëlindjen e 24-t.

Oh, konsumimi i marihuanës dhe disa pilulave të bardha të cilat mund të jenë aderall (amfetaminë) ose thjesht vitamina për forcim imuniteti, vijojnë përgjatë klipit për t'i bërë edhe më atraktive pamjet të cilat të shtyjnë t'u shkosh deri në fund.

"S'kom faj, jom lodh

Lem vetë, s'du mo

T'kom dashtë, tinëzar (nuk jam shumë i sigurt)

Veç fjalë, ke thonë

Jom konë, mo jo

T'kom dhonë, shumë kohë

Pishman, s'jom bo"

Është pjesa pasuese e këngës, teksa artistja përshkruan ndjesitë e saja nga ndarja, thjesht por kuptimplotë.

Në përgjithësi, "E Kalume" është një këngë tërheqëse, optimiste me një ritëm të zhurmshëm që shfaq stilin dhe personalitetin unik të Rinës. Videoklipi plotëson në mënyrë perfekte tekstin e këngës dhe krijon një eksperiencë interesante për shikuesin. Nëse nuk e keni dëgjuar ende, ju rekomandoj t'i hidhni një sy e vesh më poshtë. Është një shtim i shkëlqyer për çdo listë dëgjimi dhe një përfaqësim i përsosur i vizionit artistik të Rinës.

Lajme të ngjashme