Është koha t’ua thotë dikush: Qe arsyet pse nuk kemi nevojë për një album tjetër nga Kresha dhe Lyrical Son - NACIONALE

Është koha t’ua thotë dikush: Qe arsyet pse nuk kemi nevojë për një album tjetër nga Kresha dhe Lyrical Son

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Këngët dhe albumet e Mc Kreshës dhe Lyrical Son kohëve të fundit të japin ndjesinë e një ashensori të prishur, të bllokuar në të njëjtin kat, me mekanizëm jo funksional për të dërguar vdektarin e rëndomtë në destinacione të reja.

Sinqerisht, sa herë shoh apo dëgjoj se Kresha dhe Lyrical Son do të sjellin një projekt të ri, kam emocione mikse. Ndihem i obliguar të pres shumë nga dy dhitë e padiskutueshme të hip-hopit, por pastaj më kujtohen veprat e fundit.

Pavarësisht se mbeten më lart se shumica e materialeve që hedhen nga homologët e tyre, prapë duket sikur ata janë mbërthyer në një gropë krijuese të thellë, të vështirë për t'u ngjitur e për ta gjetur daljen, dhe nga aty riciklojnë të njëjtat ide dhe tema pa pushim. Tematikat "hustle" mund të të sjellin deri një pikë, por sa po e shohim rritjen nga albumi në album të Kreshës dhe Lyrical Son? Herën e fundit, parafundit, e aq sa na kujton mbamendja, i dëgjuam duke biseduar për gjëra të tilla.

Si një CD e gërvishur, duke luajtur të njëjtën melodi të njohur, por me çdo luajtje, muzika bëhet gjithnjë e më monotone. Prirja e tyre për të bashkëpunuar vetëm me një grup të përzgjedhur individësh (e thonë edhe vetë, me mburrje madje, në formën “nuk bojna muzikë me artista që nuk i kena shokë”) në vend që të zgjerojnë horizontet e tyre artistike duke punuar me një sërë talentesh të ndryshëm, në fund shërben si një pengesë e vetë-imponuar për rritjen e tyre krijuese.

Aktualisht janë versioni perfekt muzikor i "Groundhog Day", derisa na bëjnë të përjetojmë të njëjtat tema të pafrymëzuara.

Dhe këtë e them me plot përgjegjësi si një prej fansave më besnikë të kësaj dysheje, madje prej kur funksionin edhe si të ndarë nga njëri-tjetri. Absolutisht duke e mbrojtur në çdo debat të mundshëm lokal reputacionin e tyre si dhia të hip-hop kulturës kosovare por, sigurisht, kjo nuk i bën më pak legjitimë për kritika kur është e nevojshme.

Hip-hop kultura nuk ka nevojë për një tjetër album riciklues nga Kresha dhe Lyrical Son

Vetëm analizoni titullin e këngës së re të Kreshës dhe Lyrical Son, bashkë me Lumi B, "Hustle për Burek".

Një fjali që e kemi stërdëgjuar nëpër këngë të tjera nga Kresha dhe, disi, vetëm leximi i këtij titulli më dha njëfarë ndjesie se do të dëgjoja diçka që tashmë e kam dëgjuar.

Kënga është pjesë e albumit të ri që dyshja është duke e përgatitur me titullin "Muzikë Me Qalldis", që duket se do të jetë vazhdimësi e atij paraprak, "Muzikë e Alltisë". Kur flasim për përsëritje... kam frikë se do të shërbehemi sërish me vargje të jetës së një personi fiktiv të ndërtuar brenda hapësirave të studios nga Kresha, i cili e ka të vështirë të shoh përtej atij karakteri.

Është e qartë se mitrovicasi ka hedhur hap në një drejtim të ri në jetë me inkorporimin e fesë, por fatkeqësisht kjo perspektivë dhe mundësi për të rrokur thellësi të reja, nuk pasqyrohet në muzikën e tij. Në vend të kësaj, dëgjuesit takohen me të njëjtat tema të lodhura që kanë pllakosur punën e mëparshme të të njëjtit. Mungesa e përditësimeve në muzikën e tij shtohet edhe më shumë nga fakti se besueshmëria e Kreshës si tekstshkrues është vënë në pikëpyetje në të kaluarën. Shkëputja midis bindjeve personale dhe përmbajtjes së muzikës së tij ngre pyetje në lidhje me vërtetësinë e mesazhit dhe i lë fansat (si unë) të duan më shumë.

Nuk është se temat fetare nuk mund të përfshihen në muzikë, por është e vështirë ta marrësh seriozisht mesazhin e Kreshës kur duket sikur ai thjesht po kalon faqe e kapituj nga jeta e tij. Mungesa e kredibilitetit në muzikë, e bën të vështirë lidhjen me të në një nivel personal, dhe është mëkat që ai nuk po e përdor këtë perspektivë të re për të shtyrë kufijtë e artit të tij për të krijuar diçka më kuptimplotë.

Duhet theksuar se si artist, Kresha ka të drejtë të shprehet sipas mënyrës që e sheh të arsyeshme, qoftë nëpërmjet temave fetare apo jo, por edhe ne si audiencë kemi të drejtë të shprehim zhgënjimin dhe dëshirën tonë kur bëhet fjalë për mungesën e krijimtarisë së përditësuar në muzikën e tij.

Është koha që ai ta shtyjë veten si artist përtej kufijve që ka vendosur tradicionalisht hip-hopi. Nëse artistë si Kendrick Lamar dhe Mos Def i kanë tejkaluar barriera të tilla, njëri duke lënë pas egon dhe përdorimin e termit "GOAT", tjetri duke ia kthyer shpinën botës së famës si një udhëtar që ecën tokën si pelegrin, Kresha duhet të shfrytëzojë aftësitë e tij të pakapshme prej liricisti të zgjerojë këndvështrimin dhe të eksplorojë tematika tjera. Ka më shumë nga jeta se aq. Po flasim për një 38-vjeçar, fundja.

Nëse flasim për “Hustle për Burek” dhe këngët e projektet e tij të fundit, janë bërë si një ninullë, tepër familjare, por pa shkëndijën dhe origjinalitetin që dikur i veçonte. Mishërim muzikor i déjà vu-së, me çdo publikim të ri që ndihet si një ripërsëritje e punës së tyre të mëparshme. "Hustle për Burek" shërben vetëm për të përforcuar këtë ndjenjë të përsëritjes.

Është thelbësore të kujtojmë se shprehja artistike është një koncept i rrjedhshëm dhe gjithnjë në zhvillim, dhe si i tillë, i nënshtrohet një game të gjerë këndvështrimesh dhe opinionesh. Dëgjuesi, si gjyqtar i fundit i përvojës së tij muzikore, ka fjalën përfundimtare në përcaktimin nëse materiali në fjalë rezonon me ta në nivel personal.





Lajme të ngjashme