Jeta e natës në Prishtinë ku gratë kanë pushtetin: Mushkëritë me ‘muskuj’ të Mc Kreshës
Mc Kresha dhe Lyrical Son bënë të pamundurën të vonoheshin sa më shumë që ishte e mundur, eventualisht për t'i dalë përballë popullit - sa ia vlejti? Në pritje e sipër reflektova më shumë nga segmente tjera të jetës së natës.
Dyshja ikonike, Mc Kresha dhe Lyrical Son, do të performonte të mërkurën në një klub nate në Prishtinë dhe, si pjesë e popullit të rëndomtë (klasë punëtore), i cili ushqen artistët si këta të lartpërmendurit, ishte shumë e logjikshme të shkoja e të shihja nga afër a po i "ipej haku" njerëzve që paguajnë për t'i parë nga afër.
Ora 12:00 pas mesnate po kalonte dhe pjesa e popullit qejfbërës kishte filluar të sulmonte zonën e kontrolleve para futjes, aty ku do të gjenin një grumbull tjetër njerëzish që kishin ardhur për të njëjtin qëllim.

"Te femnat gjejmë spreja ma shumë, thika kaniherë, armë të vogla. Sprejat jon për vetmbrojtje, as policia nuk ua merr ato", më tha polici 'i infiltruar' në rroba civile te hyrja në një bashkëbisedim të rëndomtë.
Pavarësisht fluksit të madh të njerëzve, një personel sigurimi insistonte se probleme "nuk ka gati kurrë. Para 2-3 vjete u konë ni problem diçka pak, po kështu nuk ka probleme".
Anomali në vete (e them në kuptimin pozitiv)... në një vend me qindra njerëz, ku e kishe të vështirë edhe të lëvizje nga qeniet e gjalla të renditura në këmbë nën zërin gati shurdhues të muzikës dhe shumica të ekspozuar ndaj alkoolit, njeriu po thoshte se nuk ndodhin kurrë probleme.
Një ndjenjë e veçantë krenarie filloi të më krijohej brenda.
Femra, figurë e pushtetshme
Një tjetër aspekt që ishte për ngritje kapelash ishin femrat me atlete... në një klub nate, gjithmonë ka qenë njëfarë disponimi në mesin e popullatës së seksit grua se takat janë të obligueshme dhe se gjithçka tjetër është e papranueshme dhe jo adekuate për një klub nate. E panevojshme të nënvizojmë jorehatinë që mund të sjellin ato në një vend ku supozoheni të qëndroni në këmbë për orë të tëra.
“Qysh t’nihën rehat femrat, nese nihen rehat me patika, s’ka kurrfarë problemi”, më tha një përgjegjëse për zonën VIP kur e pyeta si shikohen gratë ne atlete nga nikoqirët dhe organizatorët. Hap i rëndësishëm drejt shëndoshjes nga komplekset e ndryshme gjinore që kanë qenë prezente ndër vite.

“Femnat janë më të fuqishme, sidomos në vendosjen për me marrë vendime. Femrave zakonisht iu gjuhën meshkujt këtu, ato vendosin me kënd po dojnë”, po elaboronte personeli i sigurimit mbi pushtetin femëror në klub nate.
Edhe në zonën VIP gratë gëzonin përparësi. “Femrat normal që kanë përparësi në VIP zone, djemtë duhet me pas ndonjë lidhje valla për me hi këtu, përndryshe...” potencoi tutje përgjegjësja e zonës në fjalë.
Ngadalë, por sigurt, po filloja të ndihesha përfaqësues i një gjinie të shtypur.
Sa përjetojnë ngacmime femrat nëpër klube dhe cila është mënyra e duhur për t’iu qasur nga një mashkull?
Po pyesja gra të rëndomta nëpër klub për sfidat e tyre me meshkujt në vende të tilla, ku jo rrallë konsiderohen e trajtohen si “objekte peshkimi” nga gjinia e seksit të kundërt.
"Nuk përjetoj ngacmime. Mënyra më e mirë për me iu qasë ni femnës në klub osht me u tregu i sjellshëm”, më tha prishtinasja me emrin Arta, e cila frekuenton jetën e natës “një herë në javë”.
Por, jo të gjitha kishin qëndrim të njejtë.
"80% të rasteve kur dal përjetoj ngacmime. Nuk ka mënyrë të mirë me ju qasë ni femnës në klub, më së miri osht mos me i folë hiç,” u përgjigj Rea, në pyetjen e njejtë që i bëra pasi e zura në një zonë ku realisht mund të dëgjoje bashkëbiseduesin, pa i ‘shurdhuar’ veshin.
"Ndodhë shpesh mos me të lonë rehat. Të folin, të ngjiten. Mënyra më e mirë me i folë një femrës në klub është me provu veç një herë, nëse nuk don, nuk don”, më tha Njomza në një tjetër dialog gjatë natës.
Me çfarë muzike çaraveshej më shumë populli?
Muzika që dëgjohej në sfondin e pamjeve të tufës së qejfbërësve ishte tejet bazike. Këngë si ‘Crazy in Love’ nga Jay Z dhe Beyonce, e ‘Macarena’ nga Tyga zgjonin entuziazmin e popullit në dyshemenë kërcyese, por vetëm për pak sekonda.
Interesimi humbte pas 20-30 sekondave të parë të refrenit, apo asaj pjesës si “ya’ll gon’ make me lose my mind, up in here, up in here” të DMX. Deficiteti i dopaminës ishte evident me të kaluar pjesa eksplozive.
Entuziazmi ishte më i madh kur bëhej fjalë për ndonjë këngë shqip, por edhe këtu me rënie të theksuar të entuziazmit pas pak sekondave të fillimit. Ora po shënonte 1:40 dhe veç një këngë e Butës ishte lëshuar deri tash. “Anuloje’, e cila madje nuk është as reprezentim dinjitoz i artistit.
Me pak fjalë, ishte muzikë e tmerrshme ajo që lëshohej para eventit gjigant që vinte në formën e Mc Kreshës dhe Lyrical Son.
Njëmend, këta nuk dukeshin askund në horizont dhe pritja e gjatë po shndërrohej në ankth dalëngadalë.
Më herët më ishte thënë se maksimum rreth orës 1:20 do të futeshin në skenë, por ora po shënonte 2:00, dhe nuk kishte shenja se në të ardhmen e afërt do të shfaqeshin.
A ia dhanë hakun audiencës Mc Kresha dhe Lyrical Son?
Plot 14 minuta më vonë dhe erdhi momenti i tyre. Në futje e sipër, “Amsterdam” kishte filluar dhe Kresha po paraqitej me fanellë të Grant Hill, shtatë herë pjesë e “All-Star” te Detroit Pistons mes viteve 1994-2013, sikur po përcillte një mesazh estetik paraprakisht si paralajmërim për atë që do të bënte më vonë.
Këngët si “criminal emigrant”, e “neja private” pasuan, me këtë të fundit ku Kresha përfundon pjesën e vet “accapella” (pa instrumental në sfond), për impresionimin tim që po dëgjoja.
Ishte absolutisht brilante... nuk mund të rreshtja së menduari për mushkëritë e tij, derisa me një frymë të vetme tejkalonte limit pas limiti për të arritur në pikën konkluduese. Në një moment, fillova të shqetësohesha seriozisht për organet frymëmarrëse të tij dhe veç po prisja ndonjë komplikim shëndetësor në mes të krejt atij eventi.
Kontrolli i frymëmarrjes ishte nga një planet tjetër. Oh, dhe performanca tërësisht ishte live, por jo që do ta vëreje dallimin. Madje, në një pikë, u detyrova të pyesja dikë afër “a osht live a po?”, pasi diferenca nga kënga e miksuar ishte minimale.
Lyrical Son ishte po ashtu brilant në rreshtin e tij (‘neja private’), ku loja e fjalëve tashmë ishte nënvizuar dukshëm dhe qartë në këngën me klip.
Pas pesë këngëve, erdhi momenti i “Semaforit”, për t’i futur në ekstazë të pranishmit.
“Qekjo kongë u bo për qësi momente babës”, thotë Kresha fillimisht, para se – siç është shndërruar në diçka tradicionale tashmë - publiku ta kryejë vet një pjesë të mirë të rreshtave, për të pasur një tjetër rrugëtim i maltretues i mushkërive të Kreshës, me shpërthimet e tij njëfrymëshe.
Rreth 26-27 këngë u kënduan nga dyshja jashtëzakonisht e sinkronizuar, me entuziazmin në mesin qejfbërësve që binte me këngë si “për inati”, e ngritej me të tilla si “thirri krejt shoqet”.
Pavarësisht se unë personalisht do të preferoja të dëgjoja diçka si “Plasticman” e “Hiti”, lista e interpretimeve përmbante diçka për të gjithë. Nga mangupllëku te këngët e dashurisë.
Një pritje e gjatë pasoi jashtë ambienteve të klubit te dalja e personave VIP, derisa – së bashku me kolegen Melisa Lajqi – po prisnim dyshe - që herë na thuhej se do dilnin për pak e herë thonin se do të vonoheshin - për ca pyetje të shpejta.
Femrat po hynin e dilnin vazhdimisht nga pjesa ku po qëndronin ata, para se një personel sigurimi të jepte konkludimin përfundimtar. “O nuk dalin sonte, deri kah në 7:00 të mëngjesit mesin këta”, për të na bindur të hiqnim dorë e të ktheheshim në shtëpi.
Sidoqoftë, dëshpërimi ishte minimal pasi performanca e tyre nënvizoi fuqishëm dhe më plotësoi pikëpyetjen nëse kjo dyshe “po i jepte hakun popullit” nëpër klube nate – ABSOLUTISHT PO.
Morali i stories: Përparime të dukshme në sjelljen e kosovarëve nëpër klube nate. Femrat fuqiplotë brenda atij territori. Mushkëritë e Kreshës janë ‘me muskuj’.