Një Bienale - dy agjenda politikanësh që kërkojnë glorifikim artistik - NACIONALE

Një Bienale - dy agjenda politikanësh që kërkojnë glorifikim artistik

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Mbrëmja e së mërkurës, gjeti qindra njerëz të grumbulluar tek ish-fabrika e tullave në Prishtinë. Mes kuriozitetit për hapësirën e renovuar dhe mbi të gjitha të pastruar nga bërlloku që kishte kapluar këtë hapësirë për vite të tëra që u la pa përkujdesje, ylli i mbrëmjes ishte kryetari Përparim Rama.

Si mikpritës i Bienales nomade të artit “Manifesta”, në kryeqytetin që e drejton si kryetar, Përparim Rama ka mbushur hapësirën me mysafirë të ftuar. Qindra pjesëmarrës në Manifesta dhe mysafirë të tjerë të ftuar nga Komuna e Prishtinës në ceremoninë e hapjes së Manifestës, para se ajo të nisë zyrtarisht të premten e 22 korrikut, ishin aty. Munguan kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Megjithatë, aty është ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Mëngjesi i së enjtes gjeti dhjetëra gazetarë ndërkombëtarë në tarracën e katit të gjashtë në Hotel Grand. Mes kuriozitetit për pamjen fantastike nga tarraca dhe mes ushqimit e pijeve për një mëngjes perfekt, ylli i ngjarjes ishte kryeministri Albin Kurti. Si kryeministër që dëshiron të duket sa më i mençur që është e mundur, Kurti u flet gazetarëve të huaj për rëndësinë e Bienales së Manifestës, e cila çdo dy vjet udhëton nëpër vende të ndryshme të botës, dhe për rëndësinë e gazetarisë së kulturës.

Por e përbashkëta e këtyre dy agjendave politike në një Bienale arti, është epiteti që Rama dhe Kurti morën nga këto paraqitje të ndara. Me apo pa plan, në eventin që e organizoi Rama, ai u cilësua si “njeriu që la Manifestën për Prishtinën” ndërsa në ngjarjen që e organizoi Kurti, ai u cilësua si “adhurues i madh arti”. Të dy këto epitete, Rama dhe Kurti i përdorën për t’i dhënë vetes të drejtën që të flasin e të mbajnë fjalime në ngjarje ku njerëzit më së paku janë të interesuar të dëgjojnë fjalime. Por le t'i analizojmë të dyja këto ngjarje veçmas.

Manifesta e Ramës

Bienalja e Manifestës për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama (LDK), është një ngjarje në të cilën ai ka pasur rol qysh prej fillimeve të para, kur u vendos se do të mbahej në Prishtinë. Ishte nëntori i vitit 2019 kur Rama ishte bërë pjesë e Bordit Inaugurues të Bienales në Prishtinë. Në atë kohë, Rama ishte thjesht një arkitekt i përfolur në media, por askush s'e mendonte se do t’i hynte garës për kryetar të Prishtinës. Tek në maj të vitit 2021, Rama nisi garën e tij, e kësisoj duke u larguar nga Bordi i Bienales.

Ne kemi humbur një profesionist të jashtëzakonshëm, por duket se ia ka vlejtur për t'u bërë kryetar i Prishtinës”, tha drejtoresha e Bienales “Manifesta”, Hedwig Fijen.

E qeshura dhe shkëlqimi në sytë e Ramës pas kësaj fjalie, nuk munguan. Por ai tashmë e kishte përfunduar fjalimin, andaj nuk kishte se si ta përdorte këtë “glorifikim” për t’iu drejtuar masës. Megjithatë, Rama përkundër që foli para “glorifikimit”, fjalimi i tij dukej se ishte shkruar mbi të njëjtën frymë. Përpos që foli gjatë, shuuumë gjatë, Rama u kujdes që t'i romantizonte Bienales sipas një perceptimi personal. Mbi të gjitha, duke e paragjykuar, ndikimin e Bienales në qytet, ende pa filluar ajo.

Manifesta do ta ndryshojë Prishtinën përfundimisht”, tha Rama, me një siguri të madhe.

Aq shumë foli në ceremoni, sa edhe drejtueseve së Manifestas, kuratores Catherine Nichols dhe drejtoreshës Fijen, nuk u mbeti të tregojnë shumë gjëra. Në këtë mënyrë, ato falënderuan në mënyrë të veçantë Ramën, i cili në fjalimin e tij foli sikur të ishte ai një nga “njerëzit kryesorë” që e solli Bienalen nomade në Prishtinë. Roli i tij nuk ishte edhe aq i madh. Madje ishte minor për procesin para vendimit që Bienalja e mori për të pranuar ftesën e Prishtinës, ose më saktë të drejtorit të Kulturës atë kohë, Yll Rugovës. Mungesa e kryeminsitrit dhe presidentes në këtë ngjarje, ia mundësoi Ramës që të ishte pa dyshim “ylli” i vetëm i mbrëmjes.

Manifesta e Kurtit

Shumë njerëz pyetën të mërkurën mbrëma pse kryeminsitri Albin Kurti mungoi në ngjarjen e organizuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, por duket se mungesa e tij në atë ngjarje ka qenë e qëllimshme. Mëngjesin e së enjtes, Kurti kishte agjendë tjetër, personale, për Manifesta-n. Në vend që të ishte në një ngjarje që do të duhej ta ndante skenën me Ramën, Kurti kishte organizuar një ngjarje në të cilën ai do të ishte “ylli” i vetëm. Meqenëse zyrtarisht, Zyra e Kryeminsitrit dhe Kurti si kryeminsitër, nuk kanë ndonjë meritë ose përfshirje në organizimin e Bienales në Prishtinë, Kurti nuk ka shumë hapësirë për të folur për artin në Manifesta. Në vend të kësaj, ai foli për “gazetarinë e kulturës”.

Ja “ligjërata” e tij:

Për në këtë cilësi, Kurti foli, vetëm pasi ai u “glorifikua” si një “kryeminsitër që është adhurues i artit”. Edhe drejtoresha Fijen dhe ideatori që të ftohet Manifesta, Yll Rugova, e prezantuan Kurtin me këtë epitet. Kurioziteti i gazetarëve ndërkombëtarë për të dëgjuar kryeministrin “adhurues të artit” ishte i madh, por ai nuk foli për art, por për gazetarinë e artit dhe kulturës.

Ai përdori fjalë romantike si “magjia” kur foli për “rolin e gazetarëve të kulturës që e bëjnë magjinë të qasshme”, pastaj foli për atë se si falë gazetarëve të kulturës “arti është pjesë e përditshmërisë sonë”, dhe pak për Muzeun e Artit Bashkëkohor, që është në fakt objektiv i secilës Qeveri deri tash. Për Kurtin, për dallim nga Rama, Manifesta është një “mësim për kulturën në Kosovë” dhe ndryshimi kulturor sipas kryeministrit do të ndodhë “pasi Qeveria e tij të jetësojë Muzeun e Artit Bashkëkohor”. As qëndrimi i Ramës se “Manifesta do ta ndryshojë Prishtinën” e as qëndrimi i Kurtit “se Qeveria do ta ndryshojë kulturën në Kosovë”, nuk qëndrojnë. Janë thjesht tentativa të dy politikanëve me pushtet për ta paraqitur veten si të rëndësishëm në një ngjarje kur të rëndësishëm janë artistët.

Lajme të ngjashme