Erdhi dita edhe për gazetarët e kulturës: Kryeministri “iluminon” me një ligjëratë mbi gazetarinë e kulturës - NACIONALE

Erdhi dita edhe për gazetarët e kulturës: Kryeministri “iluminon” me një ligjëratë mbi gazetarinë e kulturës

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Ka mbajtur ligjërata sesi punojnë “bojlerat e KEK-ut”, sesi ndërtohet “teli i bakrit” e sesi bëhet “ngritja ekonomike”. Të enjtën e 21 korrikut, erdhi dita për ligjëratën mbi gazetarët e kulturës.

Terrasa e katit të gjashtë në Hotel Grand është mbushur me gazetarë ndërkombëtarë, dhe staf të Bienales së Manifestës. Por mungojnë gazetarët vendorë. Mëngjesin e së enjtes, kryeministri vendosi që të nis “Manifestën” me një takim të organizuar me gazetarë nga vende të ndryshme, kryesisht gjerman-folëse, por edhe nga Holanda, meqenëse Bienalja nomade “Manifesta” që do të nis me 22 korrik në Prishtinë, e ka bazën në Amsterdam.

Kryeministri iu bashkua ekipit të gazetarëve të cilët po shijonin rrezet e diellit të mëngjesit duke e prishur kështu rehatinë e një mëngjesi perfekt: ushqim dhe pije në terrasën e Hotel Grandit. Kurti është në shoqëri të një ekipi të përbërë nga këshilltarë dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Hapësira e teracës mbushet me njerëz, dhe pa u zgjatur fillon ceremonia.

Drejtoresha e Bienales së Manifestës, Hedwig Fijen, falenderon kryeminsitrin duke ia bërë qejfin me epitetin “adhurues i artit”, por kryeministrin përnjëmend e fton, Yll Rugova, ish-drejtori i kulturës në Prishtinë në kohën kur VV-ja e ka pasur pushtetin.

Rugova është një prej njerëzve më meritor për ardhjen e Manifestës në Prishtinë, por ylli i ngjarjes, megjithatë është kryeministri.

Ai mori fjalën duke e cilësuar mbajtjen e Manifestës në Prishtinë si “lajmin më të mirë që ka mundur ta marrë Kosova këtë verë”, dhe menjëherë nis ligjëratën e tij mbi “rëndësinë e gazetarisë së kulturës”.

Adhuruesi i artit” e nisë fjalimin e tij me një hyrje që tenton të romantizojë rolin e gazetarisë së kulturës, duke marrë kështu edhe vëmendjen e gazetarëve të huaj.

Është interesant me ardhë në një vend për të cilin lexon vetëm narrativa me politikanë të korruptuar dhe të ballafaqohesh me një kryeministër i cili prezantohet si ‘adhurues arti’”, tha Ana, një gazetare gjermane.

A është edhe ky piktor si kryeminsitri i Shqipërisë?”, thotë Thomas, një koleg i Anës, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama. Në të njejtën kohë, duke e hedhur poshtë mundësinë që epiteti që ia dhanë Kurtit, Hedwig dhe Rugova, të përdoret në storjet e tyre.

“Sa herë një politikan tenton të përdorë artin si formë për tu reprezentuar, ngjallen dyshime mbi punën e tij të vërtetë: qeverisja”, thotë Ana duke shkaktuar të qeshura.

Por, le të fokusohemi tek fjalimi i kryeministrit. Apo më mirë të themi ligjërata e tij mbi “gazetarinë e kulturës”.

Kryeministri i cili ka ndërtuar një Qeveri, burokratët e së cilës nuk i përgjigjen shumicës së gazetarëve, duke i ndarë ata në kategori të ndryshme varësisht nga perceptimi i partisë në pushtet mbi mediat, flet para gazetarëve ndërkombëtarë, për gazetarinë e kulturës si diçka magjike.

“Roli i gazetarëve të kulturës është ta bëjnë magjinë të qasshme, për artin që të jetë ndryshues i jetës. Dhe që arti të jetë pjesë e përditshmërisë sonë, varemi nga gazetarët e kulturës,” tha Kurti, me një intonacion romantizues, thua që po fliste me një filozofi të rafinuar.

Në fakt, kjo që tha kryeminsitri është vetëm një lojë fjalësh për të treguar diçka që dihet botërisht për gazetarët. Për të tingëlluar edhe më shumë i afërt me gazetarët e kulturës nga vendet e ndryshme evropiane, kryeministri nisë të flasë për “një gazetari tjetër”, atë të politikës. Gazetarisë së preferuar të kryeminsitrit. Ose gazetaria me të cilën ai ka ndërtuar karrierën politike. Por tash Kurti po fliste si “adhurues arti”, andaj edhe është koha të kritikojë “gazetarinë politike”.

Sot njerëzit janë të bombarduar me informacione kudo që shkojnë e shikojnë. Zakonisht lajmet janë për politikë dhe politikanë. Koha ‘prime time’ është e zënë me luftë, ngrohje globale, inflacion etj. Sidoqoftë falë jush, gazetarë të kulturës na garantoni një rrugë për reflektim duke mbuluar ngjarjet kulturore që na bashkojnë”, tha kryeministri.

Ligjërata e tij e shkurtër mbi rëndësinë e gazetarisë së kulturës, përfundon, dhe brenda disa minutash, Kurti i kthehet gazetarisë politike. Veçohet me një grup gazetarësh dhe nisë të flas me ta për politikë. Ata bëjnë pyetje politike. Për dialogun. Për vizat. Luftën në Ukrainë.

Gazetarët e kulturës tamam, ndërkohë nisin e flasin për agjendën e Bienales. Se çka të vizitojnë e për çka të shkruajnë. Kurti në anën tjetër pasi përfundon “deklaratat poltike për mediat e huaja”, vendosë të fotografohet me disa punonjës së Hotel Grandit, dhe ikën.

Nuk ndalet në asnjë prej ekspozitave që janë në gjastë katet e Grandit. Madje pa asnjë interesim për futur kokën tek ndonjë katet për të parë ndonjë vepër, të cilat i kishte para syve. Kjo nuk ka shans ti ndodhë një “adhuruesi të artit”.

Apo ndoshta duke qenë ‘adhurues i artit’ e ka lënë për ndonjë ditë kur ka më shumë kohë”, thotë një nga gazetaret ukrainase, pjesë e grupit të gazetarëve nga ky vend që po streohen në Kosovë, pjesë e një programi qeveritar të Kosovës.

Lajme të ngjashme