Mungesë autenticiteti e kreativiteti: Tayna skuqet në sy të botës, i kërkohet dëmshpërblim për vjedhje – reagon menaxheri
Vjedhja, fenomen i përqafuar tash e një kohë nga artistët e estradës - aq shumë madje, sa që dalngadalë është shndërruar në një temë paksa të mërzitshme e të konsumuar të flitet në ditët e sotit.
E kjo u ka shkuar për shtati më së shumti mjelësve të popullit që vijnë në formën e llojlloj artisti, i cili gjen varianta inovative për të gjeneruar audiencë e klikime - duke lënë në plan të dytë, mos të tretë, atë për të cilën realisht është i thirrur.
Tayna është e fundit që e ka gjetur veten të zënë duke bërë atë që plot homologë të saj e bëjnë rrallë e shpesh, varësisht prej kreativitetit në përfshirjen e vjedhjes në një platformë tjetër të improvizuar.
Sepse ashtu ndodh gjithmonë - një rresht aty, një skenë klipi këtu, një tingull atje dhe një produkt përfundimtar mjelës 15-minutësh.
E them "15-minutësh" pasi, më shpesh se që mund ta përceptojmë, këngët që duken si bomba vereje që gjenerojnë miliona e miliona klikime, zhduken e përhupen në grumbullin e miksin e dhjetëra këngëve të tjera të ngjashme që publikohen brenda tre-katër muajve.
Njeriu fiton përshtypjen se mobilizohen një vit të tërë për 3-4 muaj verë, sikur këto tetë muajt tjerë jemi të shurdhër ose alergjik ndaj muzikës. Edhe pse, aty-këtu dikush e sheh të arsyeshme të publikojë diçka sa për të thënë. Mirëpo, përpjekjet e vërteta janë mirë të dokumentuara se ruhen për kohën kur dielli përvëlon.
Tayna është e fundit që e ka gjetur veten të ekspozuar ndaj vjedhjes, të sjellur në pah nga artisti xhamajkan Stylo G, i cili madje ka kërkuar dëmshpërblim nga këngëtarja.
Në këngën e tij të quajtur “BAMM BAMM”, Stylo G performon vargjet: "
Pull up in ah, pull up in ah fresh Adidas (Ah)
None of my ride dem never need gas”.
Këto vargje i vlerësoi si të dinjitetshme për t’i vjedhur, apo huazuar, Tayna, e cila copy-paste i futi në këngën e saj me Lumi B-në, “Valle”, të publikuar dy vite pas asaj të artistit nga shteti afrikan.
Stylo G-së iu deshën dy vite t’i shkonte lajmi në anën tjetër të botës, si duket, derisa së fundmi ka bërë një publikim në Instagram ku evidenton vjedhjen ose huazimin, e kam të paqartë si t’i referohem, duke shkruar:
“Sa më ka borgj?”, teksa aludon qartazi në një dëmshpërblim potencial, pasi reperja kosovare përdori vargjet e tij.
Çka thonë nga kampi i Taynas?
Epo, menaxheri i Taynas, Rinor Hykolli, i cili ishte jashtëzakonisht bashkëpunues dhe i hapur për koment, meqë ra fjala – disi ndihesha keq që nuk jam fans i klientes së tij pas tërë atij mirëkuptimi e mirësjelljeje – nuk është shumë i brengosur për situatën.
“Ajo kangë i ka pëlqy (Taynas)”, u shpreh paraprakisht ai.
“Me marrë një referencë të një kangës tjetër si rresht, është në pajtim me ligjin. Quhet ‘fair use’. Është marrë vetëm një fjalë, t’u e marrë parasysh që kanga nuk është e njëjtë”.
Në vazhdim, ai dha një koment të guximshëm madje. “Ai (Stylo G) është i dobët, a se ke pa, ka ma pak like në Instagram se unë”.
Në fakt, doli të jetë e kundërta. Stylo G kishte më shumë ‘likes’ e ndjekës në Instagram se Hykolli, me reperin që aktualisht është në numrin e afër 300 mijë ndjekësve në Instagram, në krahasim me Hykollin që ka pak mbi 36 mijë ndjekës.
Sido që të jetë, do të preferoja të mos ekzistonte si fenomen ky i huazimeve të rreshtave, apo çfarëdo lloj huazimi tjetër.
Edhe pse, dorën në zemër, e kërkon njëfarë mjeshtërie edhe vjedhja, tash që po e mendoj. Po të ishte aq e lehtë, do ta konsideroja edhe unë të merrja nja dy-tre rreshta nga Jay Z, dy-tre të tjerë nga Pusha T, një instrumental nga Kanye West dhe t’i hipja dhisë së suksesit.

