Zelensky thotë se Ukraina u ka dhënë negociatorëve amerikanë propozime për përfundimin e luftës - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukraina u ka dhënë negociatorëve amerikanë propozime për përfundimin e luftës

5 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se vendi i tij u kishte dorëzuar propozime negociatorëve amerikanë për një plan për përfundimin e luftës me Rusinë dhe sugjeroi se Rusia do t’i përdorë zgjedhjet parlamentare të saj muajin e ardhshëm si pretekst për të shpallur një mobilizim të ri.

Njoftimi i Zelenskyt për propozime të reja për bisedime të paqes, që kryesisht kanë ngecur që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin, vjen në kohën e sugjerimeve nga Rusia e Ukraina se negociatorët amerikanë së shpejti do t’i vizitojnë vendet e tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne ia kemi përçuar propozimet tona palës amerikane dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në fuqizimin e mbrojtjes sonë, mbi të gjitha me mbrojtje ajrore, dhe t’i vendosin presion Rusisë në mënyrë që planet e saj të jenë ndryshe – të përgatitet për përfundimin e luftës e jo për zgjatjen e saj” – tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes.

Presidenti ukrainas nuk dha hollësi rreth propozimeve të dorëzuara.

Negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për herë të fundit në Moskë ishin në janar dhe nuk e kanë vizituar ende Kievin.

Ukraina në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për armëpushim pas gati katër vjetëve e gjysmë luftimesh. Rusia thotë se dëshiron një zgjidhje, por çfarëdo marrëveshje duhet ta përfshijë dorëzimin e katër rajoneve nga Ukraina si dhe zgjidhjen e “shkaqeve rrënjësore” të konfliktit.

Në fjalimin e tij, Zelensky tha se inteligjenca ukrainase ka dëshmi që Rusia do t’i shfrytëzojë “pseudo-zgjedhjet” e shtatorit për të shpallur një mobilizim të ri që t’i rrisë numrat e personelit luftarak.

“Ata po përgatiten për mobilizim në vjeshtë, menjëherë pas imitimit të zgjedhjeve parlamentare” – tha Zelensky, si pjesë e një plani “për ta krijuar përshtypjen se gjoja rusët e mbështesin luftën”.

Në zgjedhjet e shtatorit në Rusi, partia e mbështetur nga presidenti Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, dhe partitë e tjera pro Kremlinit pritet që ta ruajnë mbizotërimin në Kuvend./Nacionale

Lajme të ngjashme