“Më s’mund të them jam nga vendi i Dua Lipës” - Qysh e humbi Kosova personin më të cilin identifikohej ndërkombëtarisht? - NACIONALE

“Më s’mund të them jam nga vendi i Dua Lipës” - Qysh e humbi Kosova personin më të cilin identifikohej ndërkombëtarisht?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Deri të hënën e 28 nëntorit çdo kosovar që është takuar me ndonjë ndërkombëtar, i cili nuk e ka ditur se nga i bie Kosova, ka mundur lirisht t’i thotë se “jam nga vendi i Dua Lipës”. Më ka ndodhur personalisht ta përdor këtë fjali në shumë raste gjatë dy viteve të fundit. Asnjëherë nuk kam dështuar. Por, jo më! Ajo tashmë u bë ‘me prejardhje’ nga Shqipëria, dhe kjo duhet të merret shumë më seriozisht se që tingëllon. Si është e mundur që një detaj i tillë t’i ketë ikur një kaste të tërë politikanësh? Si është e mundur që këtë penalti t’ia linin Edi Ramës? A keni pritur që Dua Lipa të shkojë në Komunën e Prishtinës apo në Zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të aplikuar për një pasaportë?

Para kiametit të Duas (28 nëntorit)

Kjo ka ndodhur për shkak të Dua Lipës. Në të gjitha intervistat e saj, Dua e ka përmendur Kosovën si vendlindjen ku ishte kthyer si fëmijë dhe që e kishte braktisur si adoloshente. I ka përmendur kosovarët si fansat më besnik të cilët e kanë ndihmuar të arrijë famën botërore falë mbështetjes dhe shpërndarjes masive që i kanë bërë.

E ka përmendur sesi ka krijuar një festival “Sunny Hill” në qytetin e saj të dytë, Prishtinën. Pra, Dua Lipa ka bërë çmos që ta përmend Kosovën si vendlindjen e saj në të gjitha mediat ndërkombëtare. Dhe jo çfarëdo media, por në ato më të mëdhatë në botë.

Dhe jo vetëm në mediat më të mëdha në botë, por edhe tek këngëtarët më të famshëm në botë. Ka sjellur yje botërore sikurse Milye Cyrus, Calvin Harris, J Balvin, Skepta, Diplo and AJ Tracey.

Pra një vajzë me prindër nga Prishtina ka bërë çmos që të etablojë vetën si një vajzë nga Kosova. Një vajzë nga një vend, që ka mbijetuar luftën e vitit 1999, si një vajzë që ishte inspiruar nga rock-u dhe muzika e babait Dukagjin Lipës dhe rrethit të tij muzikor me bendin “Gjurmët”. Sesi në Prishtinë ka ndjekur koncertet e para në jetë, ato të Redman, Method Man dhe 50 Cent si 13 vjeçare.

Teksa fama e saj rritej dhe ajo fitonte “Grammy” ajo vazhdonte të flsite për Kosovën dhe Prishtinën. Të gjithë në botë, e dinin se Dua Lipa është nga Kosova dhe Prishtina. Askush nuk e dyshonte në prejardhjen e saj. Ju kujtohet kur Dua foli edhe për liberalizim vizash për Kosovën edhe kur fitoi çmimin prestigjioz për lidership “Atlantic Council” dhe kur vendosi që tema e festivalit “Sunny Hill” të ishte #SetMeFree si thirre për Europën.

Askujt në botë nuk i shkonte ndërmend nëse Dua Lipa ka dokumente të Kosovës, ndonjë pasaportë. Sepse historia që Dua Lipa i tregonte botës e bënin të parëndësishme këtë detaj.

Pas kiametit

Por kjo ka ndryshuar krejtësisht, plotësisht nga ky 28 nëntor. Nëse tash e shkruan në Google ose kudo në internet “Dua Lipa…” të dhënat e para që të dalin jane “Dua Lipa merr nënshtetësi shqiptare”.

Për një moment, të gjitha ato që Dua Lipa i kishte thënë për Kosovën dhe etablimin ndërkombëtar që i kishte bërë Kosovës si shteti prej të cilit vjen, u shua. Tash për tash, kjo po ndodhë vetëm në internet. Në secilën media të mëdha botërore, lajmi se Dua Lipa ka marrë nënshtetësi të Kosovës, mori dhenë.

Por përtej lajmit, mediat ndërkombëtare u siguruan që të tregojnë edhe diçka tjetër. Në fakt, të veçojnë një detaj: se Dua Lipa nuk është nga Kosova, por vetëm prindërit e saj.

Këtë gjë e ka bërë në mënyrë specifike gazeta e madhe britanike, “The Guardian”. Në fund të tekstit prestigjiozja bëri një ndryshim duke potencuar faktin se “vetëm prindërit e saj janë nga Kosova”.

“Ky artikull është ndryshuar sepse në një version të mëhershëm kemi shkruar gabimisht ‘nga vendi i saj Kosova”. Prindërit e saj janë nga Kosova”, shkruan The Guardian.

Konfuzitetit ndërkombëtar mbi prejardhjen e Dua Lipës, i kontribuoi edhe transmetuesi publik britanik “BBC”, që në një postim të tyre shkruajtën se “Familja iu rikthye në Shqipëri kur Dua ishte 11 vjeçare.” – shkruan BBC. Në fakt, familja e Dua Lipës as nuk ka jetuar e as nuk është rikthyer për të jetuar ndonjëherë në Shqipëri.

Por kjo nuk ka rëndësi. Tash të gjitha këto media dhe miliona njerëz nëpër botë që do të lexojnë artikujt e tyre që do të mbesin si kryesorët kur dikush kërkon mbi origjinën e Dua Lipës, do t’i dalë “nënshtetësia shqiptare”. Në fotografi do t’i shfaqet Dua Lipa me pasaportë të Shqipërisë.

Kësisoj, dalëngadalë në kujtesën e internetit, nga e cila njerëzit nëpër botë varen çdo ditë e më tepër, “Dua Lipa do të mbes një këngëtare nga Shqipëria”.

Dhe për këtë faji është i shtetit të Kosovës. I kësaj Qeverie e cila shkaktoi një “krizë me babain e saj për një tokë publike” dhe mbi të gjitha për gjuhën toksike që përdorën militantët partiak për ta sulmuar “Duan kapitaliste”.

Është faji i Qeverive të kaluara, të cilat kanë qenë në pushtet. Dua Lipa është e famshme në Britani dhe Evropë qysh në vitin 2015 kur krijoi hitin “Be the One”.

Nëse në vitin 2015 nuk na paska qenë shumë e njohur sa për ta thirrur e për t’ia organizuar një ceremoni, atëherë kjo ka mundur të bëhet në vitin 2017 kur ajo bëri hitin botëror “Blow your mind”. Nëse jo në vitin 2017 atëherë një vit më vonë kur ajo mori famë përtej Evropës me hitin “One Kiss” që u bë edhe himni i fansave të Liverpool-it.

Ja po e lëmë se as në këtë vit Qeveria dhe shteti i Kosovës nuk u bind dhe nuk u kujtua që ta bëjë nënshtetase Dua Lipën, sepse po e zëmë kanë pritur famë globale. Pse Dua Lipës nuk iu ofrua nga shteti i Kosovës, një ceremoni e tillë në vitin 2020 kur ajo publikoi albumin “Future Nostalgia” që e bëri Duan të famshme në krejt botën. Ama bash në krejt botën.

Ta zëmë se ishim të zënë me Covid19 e me Pandemi. Pse nuk iu ofrua një pasaportë dhe nënshtetësi në gusht të këtij viti kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e dekretoi Dua Lipën si “Ambasadore Nderi të Kosovës”. Si nuk i ra ndërmend askujt as nga Presidenca, as nga Komuna e Prishtinës, as nga Zyra e Kryeminsitrit, as nga Minsitria e Punëve të Brendshme apo e Jashtme që ta pyes Duan, ose dikë nga familja e saj, nëse “vajza më e famshme në botë nga Kosova ka një pasaportë të Kosovës?”.

Si është e mundur që një detaj i tillë t’i ketë ikur një kaste të tërë politikanësh e njerëz që kanë drejtuar shtetin. Si nuk iu kujtua Shpend Ahmetit si kryetar. As Përparim Ramës tash. Si nuk iu kujtua Isa Mustafës e Ramush Haradinajt si kryeministër. Ose Avdullah Hotit. Apo presidentit të atëhershëm Hashim Thaçit. ASKUJT.

Si është e mundur që këtë penalti t’ia linin Edi Ramës, i cili në pikun e krizës që ka si kryeministër me emigrantët e shumtë shqiptarë që po ia mësyjnë Evropës e sidomos Brtianisë së Madhe? Si ia lamë këtë mundësi Erion Velijajt?

Këto pyetje të gjitha nuk kanë përgjigje normale. Krejt situata është absurde. A keni pritur që Dua Lipa të shkojë në Komunën e Prishtinës apo në Zyrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të aplikuar për një pasaportë?

Lajme të ngjashme