“Future Nostalgia” në Gërmi dhe si dallohen të rinjtë e izoluar të Kosovës në një festival ndërkombëtar - NACIONALE

“Future Nostalgia” në Gërmi dhe si dallohen të rinjtë e izoluar të Kosovës në një festival ndërkombëtar

1 javë më parë

nga Vullnet Krasniqi

Dua Lipa ka mbajtur turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në 85 vende të botës. Një spektakël 90 minutësh në të cilën përformohen këngët më të mira të kosovares, është futur në listën e turneve më të sukseshme në industrinë e muzikës në krejt botën, gjatë tërë historisë. Me fjalë të tjera, ka hyrë në listën e turneve të bendit legjendar britanik “Beatles” dhe yllit amerikan të popit Madonna.

Ajo ka qenë deri afër në Itali por ka qenë edhe në Portugali. Si gazetar unë kam pasur mundësinë të zgjedhë mes këtyre dy vendeve që të shkoj e ta përcjellë koncertin e saj. Me 100 euro kam gjetur biletë për Itali. Me 280 për Portugali. Hostel për 18 euro në Rome e studio në Lisbonë për 26 euro natën. Por unë nuk mund as ta mendoj asnjërin nga opsionet për një arsye shumë banale për krejt krejt Evropën: pajisja me një vizë për të shkuar në Itali ose Portugali.

Kështu që, ja ku jam, 33 vjeçar, në Parkun e Gërmisë, mes mijëra të rinjëve 90% përfundi moshës 25 vjeçare. Duke dëgjuar paraprakisht këngë që vetëm unë nuk i di, dhe shumica i këndojnë sikurse kur në skenë ishte Kida, apo duke u mahnitur me faktin se sa kosovare ishte bërë Elvana Gjata që këndoi këngë të Shkurte Fejzes, dhe duke mos ju besuar veshëve teksa dëgjoja korin prej 20 mijë vetave që këndonin këngët e Yll Limanit.

Këtu nuk bën pa e përmend faktin, edhe pritjen time të përjetshme për “kuleten digjitale” me të cilën nuk u pajisa kurrë. Por më pas doli në skenë Dua Lipa. Dhe skena ndryshoi komplet, edhe pse ishte e njëjta. Nuk të vyen shumë kohë, për ta kuptuar pse Dua Lipa e ka pushtu në mënyrë kaq masive skenën e muzikës në botë.

Ajo është një lidere e vërtetë në skenë. Vallëtarët janë në shërbim të saj. Këngëtaret si zë të dytë në kor janë nja “5-6 Dua Lipa ndihmëse” të cilat nuk e lënë të dështojnë asnjë sekond yllin Dua Lipa. Në ndërkohë që Dua Lipa si “persona” është një super qikë që është duke bërë shumë qejf.

Është pak “e lazdruar”, krijon kontakt intim duke u kënduar rreshta të këngëve audiencës së caktuar, bëhet “rock and rolla” për të dëshmuar aftësitë e saj të vallëzimit apo performon me një sensualitet përmes së cilës ta bënë me dije shumë qartë: unë jam një superyll.

Për të realizuar një spektakël të tillë në pop-industrinë e muzikës është një proces që njihet si “standard hollivudian” për arsyen e punës së komplikuar që duhet bërë për të krijuar një set ose skenë e cila duhet të funksionoi përfekt për shumë aktorë të ndryshëm. Kam qenë skeptik se Dua Lipa do të mund ta performonte komplet “Future Nostagia” në një skenë të ndërtuar në parkun e Gërmisë, por ajo e bëri. E realizoi komplet, përpos elementit të “ngjitjes lart në qiell” me “makinen e saj fluturuse” - që ka munguar edhe në shumë vende të tjera në botë.

Për këto arsye, fakti që Dua Lipa ka rrezikuar edhe reputacionin e saj si një këngëtare në top 5-shen botërore për t’ia ofruar të rinjëve kosovar dhe 33 vjeçarit si puna ime ta shoh këtë koncert, është për tu vlerësuar si veprim i jashtëzkonshëm që një person bënë për një komunitet me të cilin e lidh “orgjina”. Sidomos në një kohë kur Dua Lipa është e famshme njejtë sikur në Prishtinë, në secilin qytet tjetër të botës.

Dua Lipa e mbylli. Dhe unë 33 vjeçari, që shkoj vetëm në festivale e ndeja të muzikës elektronike, për herë të parë u gjenda mes 10 mijë të tjerëve shumica 2000-isha nga shumë vende të rajonit e Evropës që shkojnë në festivale me këngëtarë. Dhe si gazetar, menjëherë ndezet radari i “vëzhgimit subkulturor’ dhe “analizimit të sjelljeve si konstrukte sociale”, të cilat dilnin sheshit qartë si pasojë e izolimit. Të rinjt nga Kosova mund t;i dalloje shpejt e shpejt, në gjëra praktike, sikurse organizimi në turma festivalesh, diversiteti seksual e social në ngjarje muzikore ndërkombëtare e deri tek format e komunikimit dhe përmbajtjes së llafeve.

Të rinjë kosovarë i sheh duke përqeshur mënyrën sesi dikush vallëzon. Duke mos pasur mundësi për të udhëtuar dhe shkuar në festivale e vende të ndryshme për të takuar komunitete të ndryshme dhe jashtëzakonisht laramane për nga mënyra sesi sillen ose jetojnë e mendojnë, ka krijuar një rini e cila jeton mes pa aftësisë për ta liruar trupin e tyre pasi në shoqërinë e vogël ku jetojnë, lëvijze të ndryshme të trupit kanë interpretime të ndryshme seksuale ose gjinore. Të rinjt që kanë mundësi të lëvizin lirshëm nuk janë që e kuptojnë këtë sepse kanë lindur në Evropë por sepse kanë rastin të dalin të shohin qysh kur janë të rinj se mënyra sesi dikush vallëzon ose dikush luan me trupin e tij nuk përcakton asgjë biologjike sikurse seksi, ose orientimi seksual.

Të rinjt e izoluar të Kosovës “gjithë duke e këku dikë” ose “kan humbur grupin” në festival. Duke pasur mundësinë që të shkojnë vetëm në ngjarje ku më së shumti mund të jenë nja 5-6 mijë veta, brenda një hapësire që është e mbyllur dhe nuk ke mundësi të humbasesh, të rinjë kosovar i dalloje nga të tjerët në “Sunny Hill” duke i parë të humbur ose duke e kërkuar dikë vazhdimisht. Të tjerët, të rinj kosovar që jetojnë në diasporë e që ishin me “kushat e kusherinat” e izoluar, e përdornin “trenin” ose kapjen e duarve mes vete, si formë e qëndrimit së bashku. Nëse shkon në festivale të ndryshme pas një kohe e krijon idenë e organizimit vetvetiu, andaj kjo nuk është diçka që të rinjt nga Kosova kanë mundësi ta praktikojnë. A ushtrohet nëpër klube nate qysh mps me hup në festivale të mëdha?

Të rinjt e izoluar të Kosovës “kenaqen veç mes vete”, pra nuk dijnë të socialozhen me të huajt në festival. Një nga taktikat më të përdorura në festivalet ndërkombëtare është “meeting point”. Grupi përcakton një pikë në të cilën të gjithë duhet të mblidhen në rast se duan të takojnë dikë nga grupi, ose të presin dikë. Ose krejt në fund para se të ikin, takohen aty. Kjo bëhet pasi, ata nuk “kënaqen veç mes vete” por e ushtrojnë një praktikë të thjeshtë të njohur si socializimi me të tjerët. Pra e shijojnë festivalin si të tërë, me diversitetin e njerëzve dhe eksperiencave. Pastaj eksperiencat tregohen brenda grupit si formë e foreve dhe kujtimeve nga festivali. Të rinjt kosovar pijnë vec mes veti, kërcejnë veç mes vete, dhe “runa zot me hi nllaf ose shoqni me dikon tjetër”. Ose nëse kjo ndodhë, “një djalë po don me nxon një qikë”.

Vajzat e izoluara të Kosovës i sheh në grupe vetëm qika të cilat janë mësuar me idenë “e ngucjes” nga djemt dhe skuqen ose shtangohen kur dikush i huaj i ofrohet pa asnjë tendencë. Të jetosh vetëm me një grup njerëzisht, ku personi i seskit të kundërt është gjithmonë një ofertues ose kërkues seksual, të bënë të paaftë për t’u përgjigjur ndaj një llafi të zakonshëm. Djemt të rinj të cilët nuk kanë rastin të shohin në praktikë që seski i kundërt nuk vallëzon për ty, as nuk po të jep ndonjë shenj pse po bëhet e sjellshme.

Sa më shumë deheshin, situata bëhej më kritike. Dallimet dilnin më shumë sheshit. Po bëhej shumë e trishtë panorama, andaj edhe ika. Gjithashtu këtu përfundon ky tekst.

Lajme të ngjashme