Mbyllet Anibari XIII: Nuk shfaqet kryeministri, regjisori serb fiton çmimin e Ballkanit - feston Jerusalemi - NACIONALE

Mbyllet Anibari XIII: Nuk shfaqet kryeministri, regjisori serb fiton çmimin e Ballkanit - feston Jerusalemi

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Tashmë është mbyllur edicioni i 13 i festivalit të Animacionit, Anibar, i cili për gjashtë ditë me radhë shfaqi filma, organizoi ndeja e foli për bestytni – e krejt këto çuan drejt momentit final të sontëm, ku u shpallën fituesit.

Plot 177 filma u shfaqën në shtatë kategori të ndryshme, derisa të martën mbrëma të gjithë u renditën në ulëset me të cilat tashmë ishin familjarizuar te Kino Liqeni, për të parë eventin derisa po i vihej qershia mbi tortë - ndjesë nëse kjo fjalia e fundit tingëlloi paksa 'cringe', por thjesht nuk mund t'i rezistoja...

Bestytnija ishte tematika e këtij edicioni, me krejt programin e aktivitetet që përcilleshin me klipe, diskutime, e rekuizita nënvizuese të fenomenit në fjalë.

Sonte mësova se Peja e ka një farë tradite të veçantë betytnishë. Në hapje, prezantuesja tregoi se pejanët (tregtarët) “për t'u mbrojtë prej syrit të keq, i vendosin nëpër dyqanet e tyre disa patkoj kuajsh".

Niels Bohr, fizikant i madh danez, po ashtu i mbante ca patkoj kuajsh te dera e shtëpisë së tij për t’i ikur syrit të keq. I pyetur “pse po e bën këtë gjë, kur ti je fizikan?” ai kishte pasë thënë: “kam dëgjuar që ndihmojnë edhe nëse s’beson në to”.

T’i kthehemi pejanëve.

Nëse mendoni se kjo lloj bestytnije është e çuditshme, prisni ta dëgjoni tjetrën. Pejanët, tutje shpjegoi prezantuesja, "për gojët e liga a për fjalët e këqija, ekziston një bestytni tjetër. Shembull, nëse ju skuqen veshët, i bjen që dikush është duke folë keq për juve". Herën tjetër, skuqjen e veshëve do ta marrë me një konotacion krejtësisht tjetër.

Për një javë, Peja ka frymu, ka rënë e është zgju me Anibarin dhe animacion. Gjatë javës kisha zhvilluar biseda e intervista me regjisorë të ndryshëm, përfshirë Millosh Tomiqin nga Beogradi, i cili po garonte në kategorinë e Ballkanit - ku bënte pjesë edhe filmi "Shpija" i Flaka Kokollit - e me të cilin kishim diskutuar për shumë gjëra, përfshirë pjesmarrjen e tij pavarësisht tensioneve politike Kosovë-Serbi, derisa ai kishte shprehur optimizmin se do të dilte fitues.

"Mendoj se kam shumë shanse për ta fituar garën e Ballkanit”, më kishte thënë ai.

Ecim tutje, katër ditë më vonë, dhe ai u shpall fitues me filmin "My Father's Damn Camera", derisa tash ishte larguar nga Peja dhe nga një destinacion tjetër dërgoi një klip që u shfaq në ekranin e madh të Kino Liqenit, ku u shpreh:

"Anibar, ndoshta është shaka ajo që po thoni për çmimin, por sidoqoftë, çmimi i vërtetë ishte që isha aty, t'iu njoftoja të gjithë juve, Dhe, nëse çmimi është njëmend i vërtetë, atëherë juhuuuuu".

"My Father's Damn Camera" flet për një djalosh pothuajse të dëshpëruar dhe që kërkon vazhdimisht vëmendjen e babait të tij - një fotograf. Duke u përballur me kaosin artistik të të atit dhe magjepsjen e tij obsesive me fotografinë, në rrugën e tij të rritjes, këto elemente përfundimisht bëhen thelbësore për forcimin e lidhjes së tyre baba-bir.

Në kategorinë e njejtë, filmi "Shpija" i Kokollit, fitoi çmimin "përmendje e veçantë".

Te "Shpija", një vajzë në dhomë, i drejtohet derës për ta hapur e për të dalë jashtë, por, në skena tejet të çuditshme, dera fillon të lëvizë nëpër mure për të marrë lloj-lloj forme, duke ia bërë të pamundur personazhit në fjalë të dalë.

Anibari 'e bën botën një vend më të mirë'

Kate Jessop, e cila ishte pjesë e jurisë përzgjedhëse të fituesve, mori fjalën në ceremoninë përmbyllëse, duke dhënë një deklaratë goxha të fuqishme.

Edhe me të kisha bërë një intervistë ditë më parë, pasi drejtoi një kolazh filmash "QUEER", e ku foli për një "listë të vendeve të sigurta për komunitetin LGBTIQ", e ku - normalisht - Kosova është shumë poshtë, ose nuk ishte fare pjesë e saj.

Jessop në fjalimin e saj të së martës mbrëma, u shpreh se ky festival e bën botën një vend më të bukur, për shkak të frymës që ka përcjellur.

"Dua ta falenderoj Anibarin, gjithë ekipën, për mikpritjen e ngrohtë. Mendoj se ky festival e bën botën një vend më të mirë", u shpreh fillimisht ajo.

"Kur je në Anibar, ndiheni sikur bota është një vend më i mirë".

Drejtoresha flet për të bëmat e një jave

Drejtoreshën e festivalit, Arba Hatashi e ndala për një prononcim përmbyllës rreth krejt zhvillimeve gjasshtë-ditore të Anibarit.

"Jena të kënaqun me krejt aktivitetet qysh kanë shku, qysh jon implementu, me audiencën", është shprehur fillimisht ajo.

"Komentet janë tepër të mira prej audiencës që i ka ndjekë aktivitetet po edhe prej krejt mysafirëve që jon prezent ndërkombëtarë, po edhe prej krejt qytetit.

"Çka muj me veçu për këtë edicion është një punëtori që ka pasë të boj me 'argumented reality', dhe t'njejtën kohë gjithë audienca i ka kriju ilustrimet të cilat duken si piktura.

Numri i pjesmarrësve nëpër aktivitetet e Anibarit?

"Në vitin 2019, kemi pasë një audiencë prej 15 mijë vetave, vjet kanë qenë rreth 10 mijë, për këtë edicion pritet me pa në ditët në vazhdim kur t'i shikojmë statistikat", ka thënë Hatashi.

"Letter to a pig" fitoi çmimin kryesor

Filmi "Letter to a pig" i regjisores nga Jerusalemi, Tal Kantor, fitoi çmimin kryesor të këtij festivali e që është gara ndërkombëtare.

Filmi bën fjalë për një të mbijetuar të Holokaustit i cili i shkruan, pas luftës, një letër falënderimi një derri që i shpëtoi jetën. Pas rrëfimit së tij në një klasë, një student i ri ëndërron një version tragjik të historisë së tij. Përtej vizionit personal të regjisores, filmi gjithashtu eksploron temat e traumës kolektive, hakmarrjes, të keqes njerëzore dhe dhembshurisë.

Me t'u zyrtarizuar fituesi, Kantor u shfaq në një paraqitje në ekran nga Jerusalemi ku, derisa po festonte me një gotë raki, u shpreh:

"Uroj të kisha qenë aty me ju për të festuar këtë moment të jashtëzakonshëm, është nder i madh. Ky çmim ka kuptim të madh për mua. Kur vjen nga ju, nga Kosova, nga Anibari i dashur. Faleminderit për këtë. Nuk i kam fjalët e duhura, jam shumë e lumtur dhe e nderuar".

Përndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte paralajmëruar se do të merrte pjesë në natën përmbyllëse, për ngazëllimin tim që po e prisja se mos po pranonte të më jepte ndonjë prononcim si nënpunësi i tij ministri Hajrulla Çeku, për ta kuptuar më vonë se vizita e tij ishte anuluar për arsye të panjohur.

Lista e plotë e fituesve publikohet së shpejti,,,

Lajme të ngjashme