“Shpija” që herë rritej e herë zvogëlohej: Më shumë pyetje se përgjigje - NACIONALE

“Shpija” që herë rritej e herë zvogëlohej: Më shumë pyetje se përgjigje

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Dita e dytë, apo e para pas natës hapëse në Anibar, u përcoll apo po përcillet (kaq shumë dyshime e pikëpyetje në kokën time) me shumë filma të animuar të metrazhit të shkurtër, derisa isha prezent në njërin prej teatrove - e që ka shumë meqë ra fjala - ku po merrte pjesë një animatore kosovare.

Animacioni është lehtë të dokumentohet si një rrymë jo shumë e zhvilluar sa i përket krijimtarisë në Kosovë, andaj kureshtja për të parë më shumë nga vepra e një çike kosovare ishte e papërballueshme.

Flaka Kokolli, me filmin "Shpija" mori pjesë në kategorinë e Ballkanit, së bashku me shtatë të tjerë nga pjesa më e pazhvilluar e Evropës.

"Që kur e shpallëm këtë kategori, qëllimi ka qenë t'i japim hapësirë regjisorëve të Ballkanit për të shkëmbyer eksperienca në ambientet që i ofron vetë festivali", u shpreh drejtoresha Arba Hatashi, në fjalimin hapës të kësaj kategorie.

"Shpija" ishte filmi i parë që u transmetua nga të tetit dhe ai që pati peshën më të madhe në mbamendjen time. Dhe jo, nuk është për faktin se po vinte nga një bashkëvendëse…

Një vajzë në dhomë, i drejtohet derës për ta hapur e për të dalë jashtë, por, në skena tejet të çuditshme, dera fillon të lëvizë nëpër mure për të marrë lloj-lloj forme, duke ia bërë të pamundur personazhit në fjalë të dalë.

Pasi tenton disa herë, ajo ia mësyn opsioneve alternative, derisa gjen një vrimë tejet të ngushtë nëpër të cilën zgjatet e tkurret për të dalë eventualisht jashtë objektit.

Në ecje e sipër, shtëpia i shkon prapa vazhdimisht herë duke u rritur e herë duke u zvogëluar. Nëse mënyra si po e përshkruaj ju duket e çuditshme, prisni ta shihni filmin - nëse do ta shihni ndonjëherë.

Mesazhi ishte miks, delikat dhe konfuz. Pas mbylljes së programit tetë-filmësh, Kokolli doli në skenë së bashku me regjisorë të tjerë duke elaboruar rreth filmit që të jepte më shumë pikëpyetje se përgjigje.

Çka thotë regjisorja?

"Nuk e di nëse e kisha ndonjë qëllim për audiencën. Mesazhi ishte çkado që projekton publiku. Dikush do ta shohë si zonë të rehatisë, dikush do ta shohë si varësi, kështu që nuk kisha për qëllim të nënvizoja si do ta shohë audienca", u shpreh ajo në një përgjigje tipike regjisorësh te të cilët është shumë i popullarizuar narracioni apo teoria e mbajtjes për vete të mesazhit real të pretenduar.

Literalisht, ju mund t'i vini përballë tytës së revoles dhe nuk tregojnë prapavijat që i kanë pasur në kokë gjatë krijimit.

Tutje, Kokolli elaboroi në kulturën e animacionit në Kosovë, duke dhënë një koment interesant.

"Nuk ka shumë animatorë, por është një kulturë animimi në Kosovë, gjë që e bën më të lehtë paksa se të mos ekzistonte fare."

Flaka në vazhdim, po i drejtohem në emër kësaj radhe me që më pëlqeu filmi dhe tash po mendoj se kemi gjëra të përbashkëta, tregoi detaje rreth procesit të krijimit të "Shpija", film të cilin e kishte dizajnuar me disa persona të tjerë që gjendeshin në audiencë, e të cilët nuk hezitoi t'i falënderonte për ngazëllimin e tyre dhe të të pranishmëve të tjerë që filluan duartrokitjet.

"Thjesht aplikova në QKK, të fitoja pak momentum. Të bëja një film, gjërat tjera erdhën natyrshëm. Ishte një nga ato storiet universale për të cilat çdokush mendon në një pikë", u shpreh ajo.

Nuk e kisha ndërmend të lija me njërën anë çështjen e inspirimit dhe mesazhit të pretenduar të regjisores, derisa m'u ofrua mundësia të bëja pyetje.

"E di që the se publiku e merr sipas mënyrë së vet mesazhin e filmit, por ju realisht ku jeni inspiruar në zhvillimin e një karakteri të tillë si i asaj çikës në film?", ishte pyetja ime si tërthorazi, në tentativë të krijoja një ambient më komod për të që të 'rrëshqiste' e të zbulonte mesazhin e pretenduar.

"Inspirimi është kryesisht i brendshëm. Ka qenë veç një vizatim, s'kena pasë kohë, edhe veç e kena vendosë prej qatij vizatimi me bo karakterin vizualisht qysh ka me u dokë. Kemi punu një vit me pushime, por diku gjashtë muaj kanë qenë punë", u përgjigj ajo për të më detyruar të dorëzohem nga insistenca e mëtutjeshme.

Përndryshe, Anibari po përcillet me mot jashtëzakonisht të nxehtë në "Pejën e bukur që rrethohet nga malet e Rugovës" siç do ta përshkruante ndonjë gazetar në të 40-at.

Lajme të ngjashme