Regjisori serb Tomiq për Nacionalen: Po mësohem t’i bie sharkisë
Regjisori serb, Millosh Tomiq ka zbuluar për Nacionalen detajet rreth pjesëmarrjes së tij në Festivalin Anibar në Pejë – bubë në katalog, pritja që e mori në Kosovën me tensione politike me Serbinë, babai i fiksuar pas fotografisë, e tentativa për t’i rënë sharkisë.
Tomiqi 46-vjeçar, është optimist se do të triumfojë në garën e Ballkanit të festivalit Anibar, ku po konkurron me filmin 'My Father's Damn Camera'.
Në mesin e tetë filmave që po marrin pjesë në këtë kategori, është edhe “Shpija” e Flaka Kokollit, të cilës Nacionale ka kushtuar një artikull së fundmi.
Sidoqoftë, filmi i Tomiqit ka të bëjë me një baba/fotograf të fiksuar që sheh imazhe çdoku dhe nuk mund ta ndihmojë veten së fotografuari, derisa biri i tij kërkon vëmendje në anën tjetër. Ai dëshiron të shkatërrojë gjithçka në mënyrë që të krijojë një lidhje më të ngushtë apo të marrë pak vëmendje nga babai.
"Ky film është shumë i ndërlidhur me realitetin tim nga e kaluara", më tha Tomic. "Unë jam një filmkrijues i tillë, i fiksuar”.
Mesazh nga e mbinatyrshmja në formë bube?
Anibari këtë vit në epiqendër ka tematikën e bestytnive, me Tomiqin që zbuloi diçka tejet interesante që i kishte ndodhur me të ardhur në festival.
"Sapo erdha, iu afrova një tende në qendër të festivalit dhe dy vajza vullnetare, filluan të më tregojnë për bestytni dhe për temën e këtij edicioni dhe më pyesnin 'a e dini çka janë bestytnitë', e gjëra të tilla, pastaj më dhanë një katalog.”
"Kur e hapa këtë katalog, brenda ishte një bubë e madhe, këso që të futen në vesh, e që janë tmerruese. Përputhej aq bukur me atë storien e bestytnive.
Hera e parë në Anibar
"Jam shumë i lumtur që më në fund kam ardhur në këtë festival. Kam dëgjuar më herët për Anibarin, por kjo është hera e parë që po vijë në Kosovë.
"Pesë vite më parë, po vozisnim me Vullnetin (organizatorin) nga Maribori në Beograd dhe jemi bërë miq të mire”.
Tensionet politike mes Serbisë dhe Kosovës
Ishte e pashmangshme pyetja rreth tensioneve politike mes Kosovës dhe Serbisë, dhe çfarë ndjesie ishte për të të shkilte në tokën kosovare për herë të parë.
"E di që është një situatë qesharake (e ka fjalën për tensionet politike mes Kosovës dhe Serbisë), por unë nuk anoj nga kjo skenë zyrtare politike.”
"Nuk kam ndonjë qëndrim rreth kësaj. Natyrisht, është e komplikuar dhe me lehtësi mund të thuash 'oh, po, nejse...' Sidoqoftë, këta njerëz (në Anibar) janë shumë të mirë dhe ndihem shumë mirë këtu.”
A mendon se Anibari arrin standardet e festivaleve tjera të animacionet, apo cilat janë dallimet?
"Ajo që shijoj këtu shumë është atmosfera e ngushtë si familje, sidomos fakti që këta filma po reflektojnë në ujë po ashtu (e ka fjalën për Kino Liqenin). Kjo e bën shumë të veçantë.”
"Dhe, nuk e di...kam qenë pjesë e disa festivaleve të rangut A, ku merrnin pjesë figura larg mbi mua. Por, këtu e kam një ndjesi se mund t'i afrohem kujtdo dhe ta pyes çkado që dua. Ndihem më mirë këtu se në festivalet tjera të listës A.”
Tutje ai shprehu optimizmin për të dalë triumfues në kategorinë e tij.
"Mendoj se kam shumë shanse për ta fituar garën e Ballkanit”, u shpreh z. Tomiq.
Krejt në fund, Tomiq tregoi për zhvillimet ditore të tij në Pejë, ku përfshihet vizita në një pazar dhe tentativat për t’u mësuar t’I bijë sharkisë.
"Jam sjellur sot shumë nëpër pazar. Madje, u mundova të mësoj t'i bie sharkisë. Po pres të mësoj më shumë nga Peja".
Përndryshe, shfaqjet filmike gjatë tërë ditës në Anibar po përfundojnë me koncerte muzikore pas mesnate.