Era dhe Dafina publikuan brenda 24 orëve: Dy ekstreme, nga e tmerrshmja në brilante – njëra i dha mësim tjetrës
Dafina Zeqiri dhe Era Istrefi publikuan nga një këngë me një ditë distancë mes vete, dhe ajo që shohim janë dy versione të ndryshme të dy ekstremeve - nga e mira në të keqe, apo anasjelltas.
Era Istrefi fillimisht publikoi më 30 shtator një me emrin "Hala", në bashkëveprim me atë që në popull njihet si Don Xhon.
Dhe, oh, është kaq pa shije. Sinqerisht, prej momentit të parë kur dëgjojmë melodinë, ngritet flamuri i kuq.
Nën tingujt e një melodie tipike ballkanase, zoti Don Xhon, e pastaj edhe zonja Era shprehen:
Hala po t'du, hala po t'du, a po menon?
Që m'ke shkatërru, m'ke shkatërru, a po menon?
Hala po t'du, hala po t'du, a po menon?
Që m'ke harru, m'ke harru, a po menon?
Refreni pretendohet të jetë ky, derisa përsëritet disa herë, para se reperi nga Drenica të futet me një vers për të cilin sa më pak të elaborohet aq më mirë.
Absolutisht zero përmbajtje e kreativitet në pjesën e tij. Reciton vargje të cilat ia kthejnë shpinën çdo lloj identiteti e karakteri të ndërtuar për veten nga reperi në të kaluarën. Ato që ai i thotë mund të thuheshin nga kushdo dhe do të tingëllonin absolutisht njejtë.
Uzi girl (çikë) ça ki mas veti, hajde unë ta preki dalëngadalë
Edhe nëse shteti m'njekë nuk m'intereson o xhan
Gucci, Gucci, full gepeki, harxhojna pare haram
Ku po ikë, ku po ia man, hajde ti me mu o xhan
Nëse klisheja do të ishte repturë dhe jo fenomen, do të ishte ky vers (pjesë). Njeriu realisht ende mendon se Gucci është brend i çartë në vitin 2022, dhe një që mund ta përdorësh nëpër këngë për të nënvizuar jetë luksoze. Gucci kishte reputacion të tillë në të 2010-at, por sot konsiderohet si një prej brendeve më 'cringe' në treg.
Sidoqoftë, nëse referencat demode e reptura klishe e Don Xhonit do të ishte e keqja e vetme e kësaj kënge, në fakt, do të kishim të bënim me një projekt goxha dinjitoz
Qe çka thotë Era, e cila dikur ishte absolutisht artistja më e mirë që kishte dalë ndonjëherë në tregun kosovar.
E du se o bandit, ai m'thirr mu për çdo ditë
Ai osht psycho (psikopat), psycho, eshte shum psycho per kete dh*p
Dite per dite, po poppin’ champagne dite per dite (yee) ai osht LIT une jom COCO pa limit (yee),
Edhe ni reminder o djale,
Si une ti sun gjen se jom shume e rralle
Ti je budall, ti je budall,
hajde se hala po t’du (hajde se hala po t’du).
Oh Zot i madh. Pse? Si mund të kalosh nga diçka si "e dehun" dhe "a po don", në "e du se o bandit, ai m'thirr mu për çdo ditë"?
Në fakt, Era ka bërë gjithçka në fuqinë e saj ta distancojë veten nga arti i njëmendtë dhe të bëmat unike që e karakterizonin në fillim kur kishte shpërthyer.
E paramendoni dot Erën e vitit 2014 duke performuar vargje të tilla në praninë e dikujt si Don Xhoni?
Nga të qenurit më e veçanta, njeriu u shndërrua në një artiste të fiksuar pas pamjeve ekstravagante, e tentativave dëshpëruese për t'u dukur seksi.
Pavarësisht se skena në klipin me Don Xhonin ku performon në hekur duket absolutisht fantastike, ajo tash më shumë të jep përshtypjen e një artisteje që ka mundur të ishte dhi (goat) e padiskutueshme, e tash do të shohim rënien e lirë të saj në greminën ku do t'i gjejë edhe njëqind e njëmijë si ajo. Aventurës së saj jashtë kufijve me "Sony Music" ia pa sherrin një Kosovë, që tash duhet të përbijë faktin se një tjetër artiste me potencial ra pre e 'sehireve' të muzikës 'selaqki'.
Edhe pse, dorën në zemër, 'TKRKT' ishte një prej këngëve më të mira të këtij viti dhe goditja e parë e saj në shenjë për shumë kohë.
Nga flokët rasta e x-at nën rrjetë, te flokët e bardha të nusërisë me dimia - kalimi i Erës nga vlera në antivlerë ka qenë një për studim.
Dafina Zeqiri i tregon si bëhet
Falë Zotit, Dafina na doli në shpëtim nga ankthi i muzikës së tmerrshme të Erës e Don Xhonit, duke publikuar një këngë tejet karakteristike vetëm një ditë më vonë.
Është krejt çka dua të dëgjoj realisht. "Boma ni tel" të rritet përbrenda, pas çdo dëgjimi, e të detyron të kesh një mendim për të, pasi të largon nga rutina e klisheja e këngëve si ajo e Erës dhe Don Xhonit më lart.
Në dëgjim të parë, dhe ndoshta edhe më tutje, mund t'iu duket e kotë, për shkak të elementeve jo shumë ortodokse të tekstit dhe interpretimit, por vetëbesimi i zonjës Dafinë që realisht të publikojë diçka të tillë është për ngritje kapelash.
Vajza vërehet se ka qëndruar në studio për orë të tëra në kërkim të diçkaje që tingëllon unike e inovative, duke e ditur se nuk do të jetë për krejt.
Boma ni tel, nëse t'vjen më lehtë, atëherë çoma ni tekst
Kape telefonin edhe boma ni tel
Në shikim të parë e dëgjim mund të mos duket shumë por, në kombinim me klipin absolutisht brilant, është pakoja e plotë e muzikës dinjitoze.
Për më tepër, dukja e Dafinës prej pirateje të shfrenuar e të rebeluar, në harmoni me kërcimet nonshalanta nganjëherë e nganjëherë edhe koreografike, është një që duhet të shërbejë si manual për Erën në të ardhmen.
Për dallim nga Era, e cila ka zgjedhur Don Xhonin për të shkuar viral me të, Dafina ka shkuar për një emër shumë më pak glamuroz që vjen në formën e një këngëtari me emrin Ron.
Roni mund të mos jetë një prej liricistëve më të mirë që kemi dëgjuar rrotull - dorën në zemër, asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë rresht të vlefshëm nga ai - por të paktën e ka një prezencë prej artisti.
Për më tepër, për respekt është edhe performance koreografike e tij me disa kërcimtarë të tjerë - duke bërë sado pak një ndryshim të vogël në botën e estradës ku burrat kanë standardet më të ulëta që mund të jenë sa i përket performancave në koncerte, klipe e klube nate. Për dallim nga gratë.
Mun me mthirr ntelefon Nese don
Nuk e ki tjeterkon
Un e di qe tmunon
E m'munon kur nuk tkom
Thirrem nese bon
Telefoni le tem bon
Ring ring ring ring
'Delivery' i këtyre vargjeve, të cilat mund të mos duken shumë përmbajtësore nëse veç lexohen, është nivel tjetër.
Është pikërisht ajo që Era nuk ka arritur të bëjë për një kohë të gjatë. Ndoshta prej kohës së "A po don".
E keni parë ndonjëherë dikë duke i tundur të pasmet por pa banalizuar e pa u dukur 'cringe' në proces? Epo, Dafina e bën pikërisht atë te minuta 1:35 më poshtë.
Oh, dhe absolutisht krejt lulet e mundshme për përgjegjësit e klipit, të cilat janë Dina Morina dhe Mjellma Istrefi, sipas përshkrimit në kanalin zyrtar.
Na vjen keq Era, Dafina fiton kësaj radhe.


